Fejzi Aziri në fjalën e tij ka kërkuar që prokurori publik Lubomir Joveski dhe prokurorja për krim të organizuar Villma Ruskovska ta vizitojnë atë në burgun e Shutkës, ose ta ftojnë, në mënyrë që tua dorëzoj argumentet dhe faktet mbi atë se kush është organizator, ekzekutues i vrasjes së pesëfishtë në liqenin e Smillkovës
Shkup, 23 shkurt/ Gazeta FAKTI – Është shpallur aktvendimi për rastin “Monstra” në Gjykatën Penale. Të akuzuarit Alil Demiri, Afrim Ismailoviç dhe Agim Ismailoviç janë dënuar me burg të përjetshëm, për veprën “terrorizëm”, transmeton TV21.
Haki Aziri është dënuar për dy vepra penale si ndihmës në kryerjen e veprës me 9 vjet burg. Këtu llogaritet dhe koha e kaluar në burg deri më tani. Fejzi Aziri dënohet për dy vepra penale dhe dënohet me 15 vjet burg. Ndërkaq Sami Luta ashtu edhe siç pritej, është liruar nga dënimi.
I dënuari në rastin “Monstra”, Agim Ismailoviç e ka refuzuar kërkesën e prokurores Fatime Fetai që t’i shqiptohet masa e paraburgimit si masë e sigurimit të prezencës së tij në vuajtjen e dënimit.
Ismailoviç ka deklaruar se nuk ka nevojë për këtë masë, pasi nuk është sikurse ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim që të arratiset.
Fatime Fetai: Kanë qenë të pritshme dënimet e sotme
Prokuroja që e ka udhëhequr rastin “Monstra”, Fatime Fetai pasi u shpall aktvendimi për rastin, ka vlerësuar se për ata kanë qenë të pritshme dënimet e sotme, pasi siç thotë, ishin në suaza të asaj që i kërkoi prokuroria.
“Ashtu edhe siç pritëm si prokurori, të gjitha aktakuzës nga ana juaj u shpallën si të tilla dhe ne tashmë këtë e pranojmë”, tha Fetai. Ajo ka kërkuar paraburgim për të dënuarin, Fejzi Azirin pasi më 8 shtator ka kryer vepër tjetër penale Haki Azirin dhe Agim Ismailoviçin të cilët janë në arrati.
Fejzi Aziri fton Jovevskin dhe Rusokosën t’ua dorëzojë dëshmitë se kush e ka kryer vrasjen e pesëfisht
Fejzi Aziri në fjalën e tij ka kërkuar që prokurori publik Lubomir Joveski dhe prokurorja për krim të organizuar Villma Ruskovskata vizitojnë atë në burgun e Shutkës, ose ta ftojnë, në mënyrë që tua dorëzoj argumentet dhe faktet mbi atë se kush është organizator, ekzekutues i vrasjes së pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.
“Paraburgimi më është caktuar edhe herën e kaluar ngase është ditur se do të ndryshojë nenin nga aktakuza. Unë nuk kam ikur asnjëherë dhe nuk do ta bëj. Por i bëj thirrje Prokurorit Publik, Lubomir Joveski, Villma Rusovskën, të më vizitojnë në burgun e Shutkës, që t’i jap dëshmi për porositësit e vrasjes, ndihmuesit me emra dhe mbiemra me fakte. Nëse nuk më vizitojnë në 10 ditët e ardhshme, unë do të jap në opinion këto fakte edhe ambasadave të huaja edhe bashkësisë ndërkombëtare, që të shihet se kush është porositësi, kush është ekzekutori i kësaj vrasje”, ka saktësuar Aziri dhe i revoltuar se pse prokurorja Fatime Fetai po kërkon prabaurgim për të dhe të dënuarit tjerë të “Monstrës”, ai ka deklaruar se nuk ka nevojë t’i parashtrohet një masë e tillë.
“Për paraburgimin tim ka vendosur “Luis Vuiton” kuferi. Dikur ka vendosur gjykatësja “swarovski”, kurse tash po kërkon sërish të më shpallet “Luis Vuiton” valixhja”, tha Aziri, transmeton TV21
Edhe Haki Aziri është shprehur kundër masës, pasi siç ka deklaurar, nuk ka në plan të ikë ngaq shteti dhe do të qëndrojë këtu siç ka qëndruar deri më tani.
Avokati Alispahiq: Të dënuarit nuk e kanë kryer veprën
Avokati Asmir Alispahiq ka vlerësuar se me paraburgimin dhe me aktvendimin e sotëm, gjykata ka dëshmuar se vepron me thikë me dy tehe. Ai vlerëson se me këto vepra, prokuroria por edhe gjykata është duke dëshmuar se është po ajo që ka qenë.
“Jo vetëm për paraburgimin, por edhe të aktvendimit, ne jemi të bindur se si mbrojtje të dënuarit nuk e kanë kryer veprën”, tha Alispahiq, transmeton TV21.
Ndërkaq i pyetur për atë që Fejzi Aziri, e ftoi kryeprokurorin Lubomir Joveskin dhe Villma Ruskovskën që të shkojnë në burg për t’iu dhënë dëshmi të reja”, Alispahiq tha nuk e di se për çfarë e ka pasur fjalën ai.
Aziri në seancën ku u shpall aktvendimi, u bëri thirrje Joveskit dhe Ruskovskës që të shkojnë ta vizitojnë në Burgun e Shutkës dhe se do të ofrojë prova për porositësit, organizatorët, vrasësit dhe ndihmësit e “Monstrës”.
Zaevi i ka ndryshuar fjalët rreth këtij rasti
Rasti “Monstra” ka të bëj me vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës ndodhi në prill të vitit 2012 dhe për këtë vepër disa nga gjashtë të akuzuarit ishin dënuar me burgim të përjetshëm e disa me dënim maksimal.
Rasti “Monstra” është kthyer në rigjykim në fund të vitit 2017 ndërsa i ka paraprirë afera e përgjimeve në vitin 2015 nga ish lideri i atëhershëm i opozitës maqedonase, Zoran Zaev i cili kishte deklaruar se ka dëshmi se të akuzuarit për këtë rast mund të jenë të pafajshëm. Por, tani Zaev ka deklaruar se asnjëherë nuk ka thënë se persona të tjerë e kanë kryer aktin, apo se këta janë të pafajshëm dhe se për këtë rast fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë.
Mbrojtja e të akuzuarve, në fjalët përmbyllëse tha se rasti “Monstra” është plotësisht rasti i montuar dhe sinonim i rastit “Dreyfus”, me pasoja të mëdha pasi gjashtë njerëz të pafajshëm dënohen pa drejtësisht. Sipas tyre, është e qartë që prokuroria nuk ka siguruar prova të mjaftueshme dhe ka bazohen vetëm në vetëm indikacione.