Shkup, 10 prill/Gazeta FAKTI – Ekzistojnë dyshime të bazuara se virusi korona ka qenë shumë herët i pranishëm në territorin e Maqedonisë para se të bëhet publik. Rasti i vdekjes së nënës dhe djalit të saj nga Velesi para disa javësh e vërteton këtë dyshim, kurse këtë e ka konfirmuar edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili ka thënë për mediat se një mundësi e tillë ka ekzistuar por tani të gjitha kapacitetet janë të orientuar në pengimin e përhapjes së këtij virusi dhe shërimin e të sëmurëve, raporton DW.
Lajmi për vdekjen e nënës 79 vjeçare dhe birit të saj 53 vjeçar, do të ishte tepër i zakonshëm sikur policia të mos rihapte varrin e tyre me ç’rast gjatë obduksionit tek gruaja janë gjetur gjurmë të virusi korona në rrugët e frymëmarjes.
Dyshime që lidhen me këto dy raste nga Velesi, kanë qenë objekt interesimi edhe nga fqinjët e të ndjerëve. Ata kanë vërejtur se nënë e bir nuk ishin vërejtur për disa muaj dhe dyshojnë se kanë mundur të kenë vdekur në janar të këtij viti.
Një mundësi të tillë nuk e përjashton edhe ministri Filipçe.
Rasti i parë i regjistruar oficialisht me Covid-19 në Maqedoni është zbuluar më 26 shkurt të këtij viti. Bëhet fjalë për një shtetase nga Maqedonia e cila ishte kthyer e sëmurë nga Italia.