• Today is: Monday, April 29, 2024

VOTUESIT IU DHANË TË DREJTË KAUZAVE TË ALBIN KURTIT

fakti
February17/ 2021

Kjo fitore plebishitare e Albinit dhe Vjosës do të ishte e paplotë, nëse nuk e arrijnë një objektiv tjetër më madhor: ta transformojnë logjikën e deritanishme përjashtuese, anatemuese e paragjykuese, në konkurrencë të shëndosh idesh e veprimesh, ku nuk do të ndjeheshin të huaj edhe ata që nuk kanë votuar për ta, për të triumfuar në fund uniteti dhe mirëkuptimi i brendshëm kombëtar e shoqëror  

Nga Emin AZEMI 

Ata që në vazhdimësi e kritikonin për gjithçka Albin Kurtin, humbën më 14 shkurt. Pra, ata nuk paskan pas të drejt në gjithë ato kritika e akuza dhe doli që Albin Kurti për shumë çka paska pas të drejtë.
Ai kishte pas të drejt, sidomos, kur kishte kritikuar abuzuesit dhe zhvatësit e shtetit.
Ai kishte pas të drejtë, sidomos, kur kishte kritikuar sistemin e drejtësisë, i kapur nga politika.
Ai kishte pas të drejtë kur ka kritikuar metodologjinë e gabuar të nomenklaturës së vjetër politike në bisedimet me Serbinë, ku këtë të fundit e nxirrte të jetë problem i brendshëm i Kosovës, dhe për rrjedhojë Serbia vazhdimisht tregohej edhe viktimë edhe superiore në këto bisedime.

Krejt këto qëndrime të Albin Kurtit u legjitimuan dhe u konfirmuan nga votuesit të dielën, të cilët, atij bashkë me Vjosa Osmanin, i deleguan një besim bukur të madh politik, i papërsëritshëm deri në tani në Kosovën e pasluftës.

Kurti nuk vjen nga shkollat aktuale politike të Kosovës. Ai është një ‘sui generis’. Një model i pakopjueshëm bashkëveprimi në mes të intelektit dhe guximit, në mes të etikës dhe përgjegjësisë. I ndodhur diku në kufirin që ndanë mendësinë politike që prodhoi ‘rugovizmin’, nga refuzimi i nënshtrimit që prodhoi UÇK-në, Albin Kurti, ndonëse i etabluar për një kohë  pranë ‘institucionit Adem Demaçi’, megjithatë, më tepër u  frymëzua nga teoritë politike-ekonomike sociale-demokrate evropiane, për t’i plotësuar me strallin e pashuar të udhërrëfimit/shtendërtimit që prodhonte filozofia politike e Ukshin Hotit dhe doktrina revolucionare e Hasan Prishtinës.

Sido që të jetë, Demaçi për të ishte ‘totemi’ urban i Prishtinës që ndante skemën mentale publike të fundviteve të nëntëdhjeta midis  atyre që rrezikonin jetën pritave për të hequr qafe ndonjë uniformë serbe, dhe atyre që nën avujt  e makiatos rrëfenin prajshëm për refuzimin estetik të Rugovës.

Albin Kurti vjen nga fryma e padëgjueshmërisë studentore, për t’u shndërruar në opozitar jetëgjatë kundrejt gjithë sistemeve që deformonin hierarkinë pozitive të vlerave kombëtare e shtetërore të shqiptarëve. Ai është shembëlltyra e anstisistemit që e kishte instaluar për shumë vite klasa e vjetër politike e Kosovës.
Skepticizmi i tepruar dhe mosbesimi ndaj Albin Kurtit, i hasur nëpër disa shkolla të deplasuar të mendimit publik në Prishtinë e Tiranë, burimin e kia te refuzimi për të kuptuar se Kosova di dhe mund të lindë një politikan që paraqet model në vetvete, i cili nuk ka pasur nevojë të kalojë nga partia në parti për të përvetësuar zejen e politikës.
Nga kush të mësonte?! Ai këtë zeje e mësoi duke lexuar me vëmendje ritmin e humbur të politikave pararendëse dhe cingërimën e kambanave për proceset që duhet të vinë, prandaj dolën blofe të zbrazëta retorikat shpresëhumbëse për Albinin arrogant e kokëfortë, për Albinin e majtë ekstrem, për Albinin jobashkëpunues me ndërkombëtarët, sidomos me amerikanët.

Albin Kurti, si imazh, si ide dhe si veprim, ishte gjatë kohë i pranishëm në kujtesën e njerëzve. Kjo bashkëjetesë e Kurtit me ndërgjegjen kolektive të kosovarëve, ishte projektuar në kushte gati të jashtëzakonshme, gjithmonë me koston e lartë të anatemimit dhe refuzimit që injektohej nga makineria e pazargjinjëve mediatik.

Paraqitja e Kurtit si ‘antiperendimor e antiamerikan’, si ‘dhunues i institucioneve të shtetit’, si ‘ekstremist i majtë’, si ‘islamist’, si ‘armik i shtetësisë së Kosovës dhe simboleve të saj’ etj. etj. ka kushtuar si propagandë më shumë se të gjitha fushatat bashkë kundër korrupsionit e nepotizmit.
Në vend se të ishin elaboruar në detaje pasojat e rinegocimit të statusit të Kosovës me Beogradin në tavolinat e dyshimta, pas vitit 209-të, në vend se të ishin hulumtuar burimet e 12 miliard eurove që aktualisht ndodhen në duart e disa klaneve familjare-politike mafioze të Kosovës, në vend se të ishin shkoqitur shkaqet e sistemit shëndetësor, arsimor dhe të drejtësisë, – në Kosovë për shumë vite u projektua një diskurs i gabur publik e mediatik kundër Albin Kurtin, duke e anatemuar atë si një gogol i rrezikshëm.

Teoritë e shumta të konspiracionit, të ushqyera edhe me mendime e qasje të njëanshme të shumë njerëzve publikë, e paraqitën Albin Kurtin si figura më problematike e skenës politike kosovare, duke i atribuuar atij të gjitha njollat e zeza.

Futja e Serbisë si temë interne e Kosovës dhe përjashtimi i kreut shtetëror serb nga fabulat tragjike për të pagjeturit dhe nga matematikat mbi reparacionin, ka qenë një nga dështimet lapidare të atij diskursi publik e mediatik kundër Albnin Kurtit.

Nga ky diskurs kohë të gjatë ishte përjashtuar raportimi për vendet kryesore të Bashkimit Evropian, të cilat e kishin njohur Kosovën dhe i kishin paraqitur vërejtje Serbisë se rruga e saj drejt integrimeve evropiane nuk do të mbetet pa pasoja nëse Serbia insiston që të ketë rinegocim të statusit të Kosovës.  Kjo kishte ndodhur sidomos në korrik të 2010-tës kur ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kishin diskutuar rreth Kosovës, pas shpalljes së mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës ‘Deklarata e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare’.

Ata që ka qenë dashur ta etablojnë këtë diskurs publik e mediatik të Kosovës, janë marrë me rreziqet dhe pasojat që mund të vinin nëse Albin Kurti po ardhka në pushtet, bashkë me “miqtë” dhe “financuesit” e tij nga Rusia, Irani, Kamboxha, Koreja e Veriut etj. (!)

Albin Kurti, bashkë me Vjosa Osmanin, e mundën mendësinë e vjetër politike dhe janë në rrugë të mirë që të sjellin një stil të ri, kreativ, e transparent në politikbërje. Por që të arrihet kjo, nuk do të jetë lehtë, sepse instilacionet e sistemit të vjetër edhe për një kohë të caktuar do të mundohen ta luajnë rolin e atyre argatëve të padukshëm të legjendës së Rozafës.

Kosova e drejtuar nga Kurti e Osmani tash e tutje ndodhet para dy sfidave të mëdha: rikthimin e shtetit normal dhe mbyllja e çështjeve të hapura me Serbinë.
Të gjithë ata që do të presin rezultate spektakolare, sigurisht që do të zhgënjehen, sepse përpos faktorit kohë, nevojitet edhe vullnet e gatishmëri ligjore e institucionale për t’u ballafaquar me pasojat që ka lënë avaria disavjeçare e atyre që zyrat e shtetit i kishin shndërruar në pikëtakime private ku bëheshin pazare për toka që më vonë do të shndërroheshin në autostrada, për tenderë e haraçe që përfundonin  në xhepat e familjarëve të politikanëve (lexo: të vetë politikanëve), për kurdisje dhe montime të rasteve gjyqësore ku, të pafajshmit bëheshin fajtorë (rasti “Syri i popullit”),  kurse keqpërdoruesit, zhvatësit dhe abuzuesit me shtetin shpalleshin të pafajshëm.

Do të nevojitet vullnet e gatishmëri ligjore e institucionale për t’u ballafaquar me pasojat që ka lënë qasja e gabuar ndaj politikave sociale, arsimore e shëndetësore në Kosovë.

Nëpër rrugët e Kosovës ende sheh policë të uniformuar, mbi 60 vjeç, të cilët ka qenë dashur të shkonin që moti në pension, por kjo ka qenë e pamundur sepse ende nuk është rregulluar statusi i tyre ligjor shëndetësor e pensional.

Bashkë me mendësinë e vjetër që prodhoi këtë gjendje, ishte edhe oportunizmi dhe lojaliteti fals i një shtrese intelektualësh të Kosovës, të cilët u treguan të pandërgjegjshëm me qasjet e tyre të munguara ndaj deformimeve nëpër të cilat po kalonte shteti. Ata, në njërën anë demonstruan njëfarë aleance të çuditshme me elitat e korruptuara politike, në anën tjetër refuzuan çfarëdo lloj debati që nxirrte në pah defektet e funksionimit të shtetit normal.
Prandaj, në zgjedhjet e 14 shkurtit, përpos thyerjes së madhe në skenën politike, ndodhi edhe një çarje e madhe në ndërgjegjen e vrarë të kësaj mendësie inerte intelektuale, e cila tek tash, me shumë vonesë, do ta sheh se çfarë shanse të pashfrytëzuara ka pasur në artikulimin e një diskursi publik objektiv e të paanshëm. Tek tani, do ta sheh se një pjesë bukur të madhe të barrës së mendimit kritik, për shumë vite e ka bartur mbi supe Albin Kurti, prandaj jo rastësisht po thuhet se fitorja e tij dhe e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit shënon një epokë të re në Kosovën e pasluftës.
Por kjo fitore plebishitare e Albinit dhe Vjosës do të ishte e paplotë, nëse nuk e arrijnë një objektiv tjetër më madhor: ta transformojnë logjikën e deritanishme përjashtuese, anatemuese e paragjykuese, në konkurrencë të shëndosh idesh e veprimesh, ku nuk do të ndjeheshin të huaj edhe ata që nuk kanë votuar për ta, për të triumfuar në fund uniteti dhe mirëkuptimi i brendshëm kombëtar e shoqëror.

Prishtinë, 17 shkurt, 2021