Këto ditë Shtëpia Botuese ‘Olymp’, botoi veprën me studime letrare me titullin ‘Lirika e dashurisë” Arapi dhe Shkreli, të autores Serafina Lajçi, përcjell Gazeta Metro.
Objekt i këtij studimi është lirika e dashurisë e poezisë së Fatos Arapit dhe Azem Shkrelit. Kjo lirikë, e shprehur me një figuracion të pasur dhe me një mjeshtëri poetike është ndër lirikat më të realizuara të dashurisë në poezinë shqipe. Krijimtaria poetike e këtyre dy poetëve të mirënjohur, Arapi dhe Shkreli, e pasuroi poezinë shqipe me elemente, veçori dhe tendenca të reja ideoartistike dhe stilistike.
Kjo lirikëe dashurisë që i përshkon poezitë e këtyre dy poetëve, ndonëse nuk shfaq vëllimshmëri, në krahasim me motivet e tjera të poezisë së tyre, zë një vend të veçantë në lirikën erotike shqipe. Nëse tek Arapi, tema e dashurisë është e pranishme që në fillimet e tij poetike, por që më vonë shkon duke u rrudhur, tek Shkreli, lirika e dashurisë zë një vend të rëndësishëm, ndonëse jo me vëllim të madh.
Duke u nisur nga ky aspekt dhe duke marrë parasysh konceptin e ndryshëm tematik dhe motivor të këtyre poetëve për dashurinë, studimi i nënshtrohet dy metodave, metodës analitike, përmes së cilës do të njihet më afër poezia e tyre erotike me të tëra elementet e saj, dhe asaj krahasimtare, që do t’i vë ballë për ballë Arapin dhe Shkrelin, qëllim ky që do të shërbejë për t’i njohur më mirë veçantitë e njërit kundrejt tjetrit. Thelbi i lirikës erotike të këtyre dy poetëve, në mënyrë përmbledhëse do të shpaloset bashkë me historikun dhe zhvillimin periodik të lirikës në përgjithësi, veçmas asaj shqipe, për të shpalosur kështu një informacion më të plotë tëlirikës erotike dhe rrugëtimit të saj nëpër kohë, si dhe vendin e caktuar të Arapit dhe të Shkrelit në të.
Studimi është i ndarë në disa kapituj: “Etimologjia e poezisë lirike, (termi, tipat, zhvillimi historik)”, “Në vend të biografisë, Arapi dhe Shkreli, Deti dhe Mali”, “Lirika e dashurisë në fillimet e krijimtarisë poetike- etapa e parë”, “Lirika e dashurisë në etapën e dytë krijuese”, “Në botën poetike erotike të Arapit”, “Një vështrim mbi mjeshtërinë dhe veçantinë krijuese të Arapit dhe të Shkrelit” dhe Përfundimi.
Tek kapitulli i parë, sikundër u cek më lart, do të shpaloset historiku i lirikës, që nga antikiteti gjer në kohët e sotme, duke u ndalur në manifestimin e lirikës erotike dhe vendin e saj në letërsinë shqipe, që nga krijimet popullore gjer tek poezia bashkëkohore; tek kapitulli i dytë, do të vihet në pah binomi deti-mali, si komponent i rëndësishëm në poezinë erotike të Arapit dhe të Shkrelit; tek kapitulli i tretë do të trajtohen fillimet e poezisë erotike të këtyre dy poetëve, gjegjësisht konceptimi dhe qasja e tyre mbi dashurinë dhe ndikimet e tyre të para; tek kapitulli i katërt do të veçohet krijimtaria poetike e Shkrelit, gjegjësisht vëllimi “E di një fjalë prej guri”; tek kapitulli i pestë poezia erotike e Arapit, elementet dhe veçantitë e saj; tek kapitulli i gjashtë do të shpalosen veçoritë e poetikës, stili, figurshmëria dhe veçantitëkrijuese të Arapit dhe të Shkrelit, si dhe pjesa e fundit e që është përfundimi.
Biografi e autores
Serafina Lajçi u lind më 17.07.1989 në Pejë, ku kreu shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Vijoi studimet bachelor dhe master në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, ku aktualisht është duke ndjekur edhe studimet e doktoratës.
Interesimi i saj profesional lidhet kryesisht me veprat e autorëve romantikë shqiptarë, me fokusim tek ‘Poema romantike arbëreshe’ që është orientimi i saj kryesor në studimet e doktoratës.
Aktualisht, punon si asistente e rregullt në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë. / KultPlus