Me 15 shkurt të gjithë politikanët e Shqipërisë do të duken të vjetër e të fishkur, e sipas gjasave deri në zgjedhjet e pranverës mjaft ujra do të rrjedhin edhe në elektoratin e Shqipërisë. 25 prilli, vërtetë mund të mos sjellë mundësinë e një përmbysje politike, si pasojë e mungesës së alternativës së duhur antisistem ndaj Edi Ramës, por edhe nëse ky i fundit fiton, kjo fitore do të jetë si e Pirros.
Shkruan Gjergj Zefi
Tashmë Kosova përmbylli fushatën e saj, normalisht të pazakontë, si nga forma për shkak të Covid-it, apo nga përballja politike që thuajse nuk ekzistoi fare.
Nesër kemi vetëm dy anë të medaljes së zgjedhjeve të Kosovës; ana e qartë dhe e plotë e triumfit politik të Albin Kurtit si fitues i zgjedhjeve dhe tjetra ende e paqartë e masës së mbijetesës së partive të klikës së vjetër.
Ndërsa e para dihet, ngaqë është tashmë parashikuar nga të gjitha sondazhet e hulumtimet, apo parashikimet, e dyta duket se ka një kleçkë e pak suspansë.
Pra dilemat janë sa do të bjerë LDK-ja, PDK-ja, AAK e Ramushit apo edhe Nisma e Limajt, që po luftojnë mes vetes për të marrë sa më shumë vota tek elektorati besnik i tyre.
Kosova sipas të gjitha gjasave do të gdhihet me një mazhorancë të qartë qeverisëse të Vetëvendosjes, shumicë e cila me një efekt të menjëhershëm do të defaktorizojë listën serbe.
Dhe këtë ka nisur ta thotë me zë të dridhur Beogradi por edhe Moska.
Portali i Kremlinit, “Sputnik” e thotë hapur se Albini do të heqë qafe Listën Serbe.
“Sputnik”, bën thirrje të forta që të votohet Lista Serbe, në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë një formacion tjetër politik që ata e quajnë kolaboracionist me shqiptarët.
“Kurti do të përpiqet për të gjetur një ‘serb proshqiptar’, duke ndjekur shembullin e Zheljko Komsiç, përfaqësuesi kroat në Presidencën e BiH të zgjedhur nga votat e boshnjakëve”, thekson “Sputnik”.
E në fakt, serbët e rusët, nuk se e kanë gabim. Albin Kurti, edhe pas 6 tetorit e tregoi me fakte se nuk është Lista Serbe partneri i tij qeverisës dhe nuk e futi në kabinet. Lista… është thjesht një mekanizëm direkt i Aleksandër Vuçiçit, një marionetë që lëvizet nga Beogradi.
Por ky është vetëm njëri efekt, tjetri është natyrisht jehona politike në hapësirën shqiptare, çka do të sjellë një logjikë shprese në kënetën aktuale politike.
Në Preshevë në radhë të parë, ku do të fuqizohet logjika e rezistencës ndaj Beogradit dhe jo i ashtuquajturi bashkëpunim fals. Megjithatë, efekti më i rëndësishëm, sipas të gjitha gjasave do të vijë në Maqedoninë e Veriut, në zgjdhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti, ku sipas të gjitha gjasave BDI-ja e Ali Ahmetit do të pësojë humbjen e rëndë të pushtetit, duke i lënë vendin ardhjes së Aleancës Shqiptare të Zijadin Selës. Një alterego e Vetvendosjes dhe realisht aleate e saj e ngushtë edhe politike por edhe organizative. Ndryshimi i gjeneratave në Kosovë e hapësirën shqiptare në Maqedoni, sipas të gjitha gjasave do të sjellë një ndryshim të madh në Shqipëri.
Zgjedhjet e 25 prillit, vërtetë që mund të mos japin mundësinë e një përmbysje politike, si pasojë e mungesës së alternativës së duhur antisistem ndaj Edi Ramës, por edhe nëse ky i fundit fiton, kjo fitore do të jetë si e Pirros.
Një qeveri e Vetëvendosjes në Kosovë dhe një frymë antiestablishment në hapësirat e tjera shqiptare, ka shumë gjasa që të prodhojë një rrymë të tillë në Tiranë.
Natyrisht, i nxitur edhe nga hetimet dhe arrestimet e pritshme të SPAK. Që sipas gjasave do të jenë të forta, edhe nga deklarimet e ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim.
Mirëpo duket se vëmendja më e madhe e SHBA-së, e cila në pranverë do të sjellë në Shqipëri 6 mijë marinsa, është për të ruajtur stabilitetin politik në vend. Stabilitet që natyrisht është për të siguruar një tranzicion nga pasojat e hetimeve të SPAK. Por edhe pse me vonesë, zhvillimet politike në Shqipëri do të marrin mjaft spunto nga ndryshimi i gjeneratës politike në Kosovë që ndodh nesër. Që më 15 shkurt të gjithë politikanët e Shqipërisë do të duken të vjetër e të fishkur, e sipas gjasave deri më 25 prill mjaft ujra do të rrjedhin edhe në elektoratin e Shqipërisë.
Por ndryshimin më të rëndësishëm politik, realisht do ta pësojë Serbia. E cila për herë të parë nga viti 2012 kur nisi zbatimi i strategjisë së prishjes së pavarësisë së Kosovës do të bëj hap prapa.
Aleksandër Vuçiç i ka harxhuar të gjitha gurët: tani nuk ka çkërkon më për Kosovën: siç e tha edhe Biden në letrën e tij nuk le zgjidhje tjetër thjesht ta njohësh.
Pasi në Prishtinë nuk ka një interlekutor që pranon të flasë për patentat, targat e që i përgjigjet: Razumem Mnogu”, apo që mund ta shantazhojë se mund ta fusë në burg. Ka një interlekutor që thotë troç e qartë: Do të flasim? Vetëm për njohjen. Të tjerat janë zgjidhur me kohë…
Këtë e tha troç edhe Çedomir Jovanoviçi, i cili realisht ka disa muaj që ka marrë një hapësirë jo të vogël në kënetën e politikës serbe.
E cila natyrisht pritet të rinovohet nga e para në fund të këtij viti me zgjedhjet e reja, ku natyrisht efekti i fitores së Albin Kurtit do të japë rezultatet e saj…/Pamfleti