• Today is: Monday, November 25, 2024

PREMTIMI I ZAEVIT DOLI BLLOF, VAKISNAT NUK ERDHËN!

fakti
February11/ 2021

Shtetet fqinje po bëhen gati për dozën e dytë të vaksinës anticovid, ndërsa në Maqedoninë e Veriut nuk dihet se cilat vaksina do të arrijnë të parat. Gjatë ditës së sotme (enjte), sipas premtimit, Serbia do të duhej të dhuronte një sasi vaksinash në Maqedoninë e Veriut, por siç bëjnë të ditur media serbe, gjithçka është shtyrë pa afat

Zaev njoftoi tri herë me radhë për tre shtete të ndryshme se do t’i ndihmojnë Maqedonisë me vaksina. E para ishte Greqia, pastaj Bullgaria e në fund doli Serbia.

“Greqia ka porositur për vete, por edhe për neve, dhe kjo me të vërtetë është shenjë e miqësisë. Para disa ditësh bisedova me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lajen, dhe ajo më njoftoi se liderët evropian kanë sjell vendim se kur të blihet vaksina për vendet anëtare të BE-së, njëkohësisht të bëhet edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev

“Pas vendimit për të dhuruar vaksinat kam shprehur falënderim personalisht ndaj kryeministrit Borisov, Qeverisë bullgare dhe popullit bullgar për gjestin solidar dhe human si dhe për një akt të veçantë të miqësisë ndaj popullit maqedonas dhe të gjithë popujve në Maqedoni”, tha Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

“Dua ta ndaj këtë lajm të lumtur, e pranuam ndihmën që na e ofroi presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Sot bisedova me të, ata pranuam që të na ndihmojnë, ndërsa detajet do t’i caktojmë gjatë ditës. Atë që e konfirmuan është se bëhet fjalë për 8000 vaksina Pfizer ndërsa për të tjerat duhet të shohin në marrëveshjet nëse guxojnë të dhurojnë edhe prej tyre”, theksoi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut (18.01.2021).

Por, ditën e sotme (enjte), sipas premtimit, Serbia do të duhej të dhuronte një sasi vaksinash në Maqedoninë e Veriut, por siç bëjnë të ditur media serbe, gjithçka është shtyrë pa afat.

Lajmin e ka bërë të ditur agjencia Tanjug, duke ju referuar zyrës së shtypit të Presidentit serb.

Në njoftim thuhet se shpërndarja u shty “për shkak të domosdoshmërisë së prokurimit të dokumentacionit teknik shtesë dhe vaksinat do t’i dorëzohen Maqedonisë Veriore në ditët në vijim”.

Sipas planit paraprak, sot, në vendkalimin kufitar Tabanovc, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duhej t’i dorëzonte Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut , Zoran Zaev, kontingjentin e parë të vaksinave që Serbia i dhuron atij vendi.

Ndryshe të hënën Ministria e Shëndetësisë nënshkroi marrëveshjen për blerjen e 200 mijë vaksinave kundër Covid19 nga kompania farmaceutike kineze Sinofarm, të cilat priten të arrijnë në aeroportin e Shkupit brenda këtij muaji.

Ndërkohë minsitri i Shëndetësisë, Venko Filipce nëpërmjet një shkrimi në Facebook tha se të gjitha vende e BE po ballafaqohen me rrezikun dhe mungesën e vaksinës. Ndërkohë që në ueb faqen për vaksinimi janë paraqitur përafërsisht 8000 persona.