Një libri i keq vazhdon të prodhojë efekte negative në psikën e njeriut edhe pas ndalimit të tij. Aq më tepër që natyra e këtyre teksteve shkollore, që janë në qarkullim tash e disa dekada këtu në Maqedoninë e Veriut, janë përpiluar në frymën e Enciklopedisë skandaloze të ASHAM, e cila edhe pse nuk është aktive në komunikimin publik, ajo megjithatë ka krijuar një mendësi të caktuar tek shtresat e njerëzve brenda shoqërisë maqedonase
Nga Dr. Skender ASANI
Tani kur po riaktualizohet dhe problematizohet çështja e mangësive dhe defekteve të teksteve shkollore në gjuhën shqipe, sërish po bëhet vetëm gjysma e punës, sepse gjysma tjetër po mbetet e paprekur dhe e pandryshuar.
Në fakt, kërkesat për revidimin, gjegjësisht, heqjen e tërësishme të këtyre teksteve nga qarkullimi publik, janë plotësisht legjitime dhe të arsyeshme, mirëpo edhe sikur të ndodhë vërtetë kështu, sa jemi të sigurt se pasojat që u prodhuan nga këto tekste problematike, do të eliminohen vetvetiu?! Ndonëse tema të tilla po imponohen më tepër për të defokusuar vëmendjen e publikut nga çështjet tjera gjithashtu të rëndësishme dhe si të tilla nuk po arrijnë të tejkalohen, por përkundrazi po riciklohen nga viti në vit.
Pra, çështja është pak më e thellë, për arsye se ndikimi i një libri të keq vazhdon të prodhojë efekte negative në psikën e njeriut edhe pas ndalimit të tij. Aq më tepër që natyra e këtyre teksteve shkollore, që janë në qarkullim tash e disa dekada këtu në Maqedoninë e Veriut, janë përpiluar në frymën e Enciklopedisë skandaloze të ASHAM, e cila edhe pse nuk është aktive në komunikimin publik, ajo megjithatë ka krijuar një mendësi të caktuar tek shtresat e njerëzve brenda shoqërisë maqedonase.
Për rrjedhojë, edhe librat shkollorë, për të cilët u premtua disa herë se do të hiqen nga qarkullimi dhe nuk u hoqën, sërish do të vazhdojnë të injektojnë një mendësi të çoroditur, kurse ata që do t’iu besojnë atyre librave do të jenë bartësit (por edhe viktimat) kryesorë të ksenofobisë dhe mosdurimit ndëretnik këtu te ne. Këta të fundit, të do ta kenë vështirë ta pranojnë bashkëjetesën me shqiptarët si një proces normal shoqëror, për arsye të edukimit të mbrapsht në frymën e këtyre teksteve shkollore me përmbajtje raciste e antishkencore.
Që të ndërpritet në rrënjë kjo bimë e keqe që po instalohet në mendësinë kolektive të popullatës maqedonase, duhet sa më parë të përpilohet një strategji e re botuese, e cila do të merret kryesisht me rehabilitimin e mendësisë së ndikuar nga librat problematikë shkollorë. Dhe kjo mund të bëhet vetëm duke iu përmbajtur standardeve moderne shkencore e evropiane, në përpilimin e teksteve shkollore, të cilët do të duhej të jenë plotësisht të liruar nga ksenofobia dhe interpretimi i gabuar i historisë së popujve që jetojnë në këtë pjesë të Ballkanit. Vetëm duke iu qasur në një dritë të re e objektive temave nga e kaluara, ne mund të njohim më mirë njeri tjetrin, si parakusht për të qenë banorë të denjë në një shtëpi të përbashkët evropiane, drejt së cilës të gjithë synojmë.
Në të kundërtën, nëse nëpër shkollat tona vazhdojnë të kultivohen edhe më tej këta barëra të këqij në formë të librave me përmbajtje raciste, atëherë mendësia kolektive e një pjese të bashkëqytetarëve tanë do t’i ngjajë një xhungle me therra dhe shkurre, nëpër të cilat do ta ketë vështirë të kalojë ndonjë tren i civilizimit bashkëkohor.
Shkup, 11 shkurt, 2021