• Today is: Sunday, May 5, 2024

A KA NJË KAUZË TË ARDHMEJE KY VEND?

fakti
February11/ 2021

Në jetën e shqiptarëve shpesh ka pasur vite të mbrapshtë, dhe ata prapë nuk kanë nxjerrë mësime nga historia. Psikozat dhe komplekset e tyre vetëshkatërruese mbeten po ato. Sezoni i shkurtër i jetesës në kuadër të Europës nuk u mjaftoi të ekzorcojnë nga vetja sëmundjet më të rënda: vetëposhtërimin, copëtimin e shtetit për hir të pushtetit, kuptimin e jetës së vet si vdekje e tjetrit.

Nga Monika STAFA
Në Shqipërinë e sotme nuk ka një kauzë të drejtë. Nuk ka një “credo”, një “besojmë”, sipas shprehjes së françeskanëve. Të gjitha janë komprometuar: prej të drejtave të qytetarëve, deri tek shteti i së drejtës. Është komprometuar madje edhe orientimi europian i shqiptarëve. Nëse do të anketohej mendimi i popullit shqiptar për kodin e besimit të tyre, gjë që kam provuar ta bëj, përgjigjja më e qëndrueshme rezulton: Në dorë të Zotit! Që do të thotë se nuk ka mbetur asgjë për t’u besuar për sa u takon punëve dhe mendjeve njerëzore. Kriza e besimit, e besimit në të ardhmen, e besimit në njeriun, e besimit në jetën, është më e madhja nga të gjitha. Pikërisht kur kriza arrin këtë pikë, është me vend përfundimi që shqiptuan disa institucione politike europiane: në Shqipëri nuk është se s’ka dritë në fund të tunelit, #nëShqipërinukkatunelfare!
Regresi që ndodhi në këtë vend prej fillimit të vitit 2011 e këndej është jashtë dyshimit, më i madhi në historinë e dy dekadave të fundme. Kurrë ndonjëherë më parë nuk ishte dëgjuar të thuhej nga përfaqësues të veprimit europian se, “ne nuk duam ta humbasim Shqipërinë”. Në të vërtetë, kur thuhet se ne nuk duam ta humbasim Shqipërinë, kjo do të thotë se Shqipëria është një “casus” në proces humbjeje e sipër. Dhe, kjo është pika më kritike që ka arritur ky vend në dy dekadat e fundme.
Gjatë shekullit të 20’të, shqiptarët dy herë e humbën Europën: në Luftën e Parë Botërore, me krijimin e pashallëqeve dhe të sulltanateve; dhe në përfundim të luftës antifashiste, me rreshtimin përkrah kampit lindor të aleancës. Ëndrra shqiptare për Europën u rizgjua në fundin e viteve 1980. Kur studentët shqiptarë, më 1990, thirrën publikisht se e donin Shqipërinë si e gjithë Europa, vullneti politik i një shekulli u shpreh me një zë. Mirëpo sot, kjo Shqipëri, që në rrugë administrative ka hedhur hapa drejt Europës, në të vërtetë, me sytë e kryeqendrave europiane, shihet si një çështje në humbje e sipër. Dhe, kjo është tragjike. Kjo do të thotë se urat dhe tunelet shqiptare drejt Europës, ëndrrës së humbur qysh prej shekullit të 15’të, janë tronditur fort. Dhe, nuk ka asnjë arsye për t’u inatosur me Europën. Sepse, bashkësia mëmë nuk është e gatshme të pranojë probleme: ajo është e hapur të pranojë arritje.
Çfarë mund të ndodhë në Shqipërinë e sotme, e cila, në kuptimin e plotë të fjalës, është budallallepsur deri në një shkallë të pabesueshme?
Çfarë mund të ndodhë në një vend ku, bindja ka marrë formën e nënshtrimit, shërbimi ka marrë formën e rajasë, vetëdija shtetërore ka marrë formën e vasilitetit,
mosbindja qytetare ka marrë formën e rebelimit, alternativa politike ka marrë formën e përmbysjes, gjykimi i së drejtës ka marrë fytyrën e qeverisjes, shpallja e ngjarjeve të ditës ka marrë formën e zëdhënësit të palëve?Nuk mund të ketë situatë më të vështirë. Opozita implikon qeverisjen në manifestime të dhunës, qeverisja implikon opozitën në komplote puçiste, policia nuk i bindet prokurorisë, garda nuk i bindet policisë, shërbimet e sigurisë paditen për mosbindje ndaj shërbimeve operative, shkurt: asnjë pushtet nuk është në vendin e vet, asnjë fuqi nuk kryen detyrat e veta, asnjë hierarki nuk zbatohet, dhe megjithatë, Shqipëria, për çudi, mbetet vendi më i lakmuar prej turistëve!
Paradoksi është se pikërisht në fillimin e këtij viti shqiptarët e panë atdheun e tyre më të largët se kurrë; me sytë e tyre, Europa nisi të rishihej si utopia historike, njësoj si “Felix Italia” në periudhën e mërgimeve të fundit të Mesjetës; vendi i ëndërruar, toka e premtuar, por jo dhe modeli si mund të bëhet Shqipëria e tyre. Dhe, në fakt, një pjesë e shqetësimit të misionarëve europianë lidhet kryesisht me drojën se shqiptarët, të demoralizuar nga pritja e gjatë dhe të zhgënjyer nga ëndrra europiane, mund të rinisin eksodet, si në vitin 1991, sepse atdheu i tyre është tronditur nga themelet, askush nuk është në vendin e vet, të gjithë janë në ethet e psikozave etnike: të protagonizmit, të kryemëvetësisë, të mosbindjes, të anarkisë.
Në jetën e shqiptarëve shpesh ka pasur vite të mbrapshtë, dhe ata prapë nuk kanë nxjerrë mësime nga historia. Psikozat dhe komplekset e tyre vetëshkatërruese mbeten po ato. Sezoni i shkurtër i jetesës në kuadër të Europës nuk u mjaftoi të ekzorcojnë nga vetja sëmundjet më të rënda: vetëposhtërimin, copëtimin e shtetit për hir të pushtetit, kuptimin e jetës së vet si vdekje e tjetrit. Por viti 2011, viti i 99’të i shtetit shqiptar, ishte shumë vonë për të pasur vdekje.
Disa kohë më parë pata shkruar se greva më simpatike në Shqipëri do të kishte qenë nëse gazetarët do të vendosnin që për një periudhë njëjavore të mos paraqiteshin në sallonet e konferencave të shtypit, dhe në vend të lidershipit të sillnin në faqet e të përditshmeve dhe në ekranet televizive vetëm ç’mendojnë “ata atje poshtë”, dhe jo “ata atje lart, restoranteve”. Sigurisht që kjo në Shqipëri është thjesht një utopi, sepse midis shtypit dhe pushteteve është krijuar një lidhje e tillë kushtëzuese dhe vartësie, si ajo e të droguarit prej drogës. Gazetarët, duke përfshirë dhe ata më trimat, ata të tabulateve, jo vetëm që s’janë zotër të studiove, në kuptimin që të ftuarit e tyre të jenë të frikur prej opinioneve që i presin, por gëzohen më shumë se të zotët për anekdotat dhe humorin fals të tyre. Dhe, propozimi i bërë prej ambasadorit të ri të SHBA’së, Arvizu, që liderët të heshtin së paku një ditë të javës, për shembull për të premte, dhe të shkojnë në popull e të dëgjojnë çfarë thuhet “atje poshtë”, duket gjithaq utopi.
Por, meqë kjo në Shqipëri nuk ndodh, atëherë cila mund të jetë zgjedhja e qytetarit. Ndërsa në Tiranë pushtetet ia marrin fuqinë njëri-tjetrit me të njëjtën lehtësi dhe solidaritet si një ftesë dasme; ndërsa vasiliteti (dhe jo vasaliteti) e vetëdija e rajasë rishfaqen me të njëjtën fuqi veprimi si në kohërat otomane, qytetarit i mbetet të pyesë:
çfarë është më mirë për të: pjesëmarrja apo mospjesëmarrja?
Pjesëmarrja qytetare është fuqia lëvizëse e një shoqërie, por për cilën kauzë?
A ka një kauzë të ardhmeje ky vend?
Mospjesëmarrja në një kauzë që nuk ka të ardhme, sepse asnjëra alternativë nuk ka horizont pritjeje në Europë. Mospjesëmarrja, sepse njeriu ka nevojë për vetëmbrojtje, për imunitet, për mospërfshirje, për mosimplikim, tek e fundit, për të ruajtur diçka të shenjtë që ka brenda vetes dhe që shumë thjesht quhet ideale! Me sa duket, zgjidhja e vetme që u mbetet sot për sot shqiptarëve, për të mbrojtur veten dhe për të mos u implikuar në një shoqëri të denoncuar për një mijë e një të këqija, është pikërisht kjo. Dikush mund ta quajë këtë një intelektualizëm përmbi palët. Po, dhe në u quajttë kështu, asnjë dyshim nuk ka pse të ekzistojë, sepse ajo që u ka munguar veprimeve të sotme në Shqipëri është pikërisht mendja, dhe atje ku mendja del tepër, po përse duhet të investohesh?
Tiranë, 2011