Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bërnjak të komunës së Rahovecit. Aty vëllai dyshohet se ka vrarë e pastaj djegur brenda oborrit të shtëpisë trupin e pajetë të vëllait të tij. Mizoria e gjithë këtij rasti ka qenë se i dyshuari për vrasjen e ka fshehur atë dhe duke gënjyer policinë kur kjo e fundit kishte shkuar në shtëpi kur e kishte parë se po digjej një zjarr i madh. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë muajit shkurt, por vetëm pas dy muajve, personi në fjalë ka pranuar se ka vrarë e më pas ka djegur trupin e vëllait 64-vjeçar.
Kishte ardhur nga Zvicra gjatë muajit shkurt në Kosovë. Por 64-vjeçari nuk mundi ta shijojë qëndrimin në vendlindje, në fshatin Bërnjak të Rahovecit.
Ky person po dyshohet se kishte pasur një zënkë verbale e më pas edhe fizike me vëllain e tij 59-vjeçar.
Shkak i kësaj përleshjeje, sipas deklaratave të gruas të së ndjerit, po dyshohet të jetë një shumë e parave që tashmë i ndjeri e kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë.
35 mijë franga e 8 mijë euro të tjera që i ndjeri i kishte pasur me vete.
Kështu ka deklaruar në polici gruaja e të ndjerit e cila kishte thënë se për disa ditë nuk kishte dëgjuar asgjë nga bashkëshorti dhe nga Zvicra kishte marrë rrugë drejt Kosovës.
Ajo shpalli të zhdukur bashkëshortin e saj, me të cilin nuk po arrinte të kishte kontakt.
Por personi i zhdukur tashmë u lokalizua, por si i vdekur.
Ngjarjen e rëndë e ka zbuluar Policia e Kosovës, e cila përmes analizave të ADN-së arriti të gjejë pjesë të djegura kockore të cilat nga forenzika janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Këto kocka janë gjetur në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit.
Por, pasi e kishte vrarë me armë zjarri vëllain, 59-vjeçari ishte kujdesur që të zhdukte gjurmët e krimit.
Ai kishte ndezur një zjarr të madh, i cili i kishte rënë në sy edhe policisë, të cilët kishin shkuar në vendin e ngjarjes.
Por, i dyshuari e kishte kamufluar krejt ngjarjen, duke djegur edhe mbeturina, e kështu e mashtroi edhe policinë, duke deklaruar se po e pastron oborrin dhe po i djeg mbeturinat.
Drejtori i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta, ka thënë për Gazetën Express se viktima ka qenë i moshës 64-vjeçare e i dyshuari 59 vjeç.
“Dyshohet se vrasja është kryer për motive me qëllim përfitimin. Viktima ka pasur me vete një shumë të parave, dyshohet se i dyshuari ka qenë në dijeni për ato të holla dhe ky është motivi. Gjatë bastisjes, policia ka gjetur rreth 35 mijë franga dhe 8 mijë euro, që dyshohet se janë të viktimës. Trupi i pajetë pas vrasjes dyshohet se është djegur në oborrin e shtëpisë se të dyshuarit”, ka deklaruar Graishta.
Graishta ka treguar se të dyja familjet jetojnë jashtë vendit, ndërkaq në momentin kritik në Kosovë kishin qenë vetëm viktima dhe i dyshuari./ Gazeta FAKTI