• Today is: Thursday, March 28, 2024

FAKTI, INSTITUCION I PARË I MIRËFILLTË I SHQIPTARËVE

EA
April10/ 2020

Sot, kur FAKTI nuk është fizikisht në duart e lexuesve, gjykojmë, pa dyshim, se në botën mediative shqiptare mbetet gazeta më me peshë e të të gjitha kohërave. Emin Azemi ishte redaktori im i parë. Më mësoi shumë. Pata fat të jem gazetar dhe bashkëpunëtor i tij.

Nga Nebi Mërseli/ Calgary, Kanada

Sapo isha kthyer nga qëndrimi nëntëmujor në Gjermani, si stipendist i Fondacionit Heinz-Kuen Stifftung për gazetari. Ishte koha kur më së paku mendohej për veten. Ishte luftë në Kosovë. Ishte fundi i marsit i vitit 1998. Në Gjermani për nëntë muaj pash për së afërmi si organizoheshin shqiptarët atje për të ndihmuar luftën e UÇK -së.

Kisha përvojë disavjeçarenë gazetari dhe nuk kishte media në gjuhën Shqipe në Maqedoni. Ishte“Flaka e Vëllazërimit” që po shuhej. Emin Azemi kishte vendosur të hapte gazetë të pavarur. I vetëm. I papërkrahur nga askush, edhe pse kishte trokitur gjithkund për ta përkrahur hapjen e gazetës, që më vonë do ta arsyetojë tërësisht veten dhe objektivin e saj. Dilnin dy gazeta ditore maqedonase, të përkrahura nga qeveria dhe ishin hapur edhe dy sosh të pavarura, e që kishin përkrahjen e Sorosit dhe biznesmenëve maqedonas.

Kisha ofertë të punoj në servisin maqedonas të Radio Televizionit të Maqedonisë, por sfidë ishte gazeta FAKTI, ku kryeredaktor ishte Ilir Ajdini, me të cilin kishim punuar në “Flaka” dhe kishin bërë disa projekte mediale më vonë. U takuam me Eminin dhe kërkoi që t’i kyçem gazetës, ku nuk kishte asnjë gazetarë me përvojë. Kishin angazhuar disa bashkëpunëtorë të radiove lokale dhe disa që kishin dëshirë të bëhen gazetarë.

Afrohej 10 prilli, dita kur ishte paraparë të del numri i parë i gazetës. Ishim të vendosur në një shtëpi dykatëshe te Stacioni i Vjetër i Trenave, në qendër të Shkupit. Në katin e parë, shtatë-tetë kompjuterë dhe mbi 15 gazetarë. Një linjë telefoni. Internet! As që bëhej fjalë. Dhe duhej shkruar. E kisha detyrën më të rëndë. Përpos të mbuloj ngjarjet kryesore, më duhej t’i ndihmoja kolegëve të rinj që kishin vrull pune. Aty ishin Arbeni, Bujari, Agroni, Blerimi, Suzi, Maxi, Mani… Gazeta filloi të dalë, pati impakt të madh.

Ishte PPD në pushtet. Një parti shqiptare, që nuk bëri shumë për shqiptarët dhe as për veten, pasi që sot është shuar. Ishte PDSH-ja e Arbën Xhaferit e Menduh Thaçi në opozitë. Mungonte përkrahja financiare. Katër gazetat maqedonase ishin plotë me faqe reklamash qeveritare, të kompanive publike, agjencive shtetërore…, ndërsa “FAKTI” mezi siguronte faqen e fundit me disa reklama të disa ndërmarrjeve të vogla që drejtoheshin nga shqiptarët. Më kujtohet që botuesi, Emin Azemi më dha një pliko të madhe e mbushur përplot me dokumentacion aplikimi në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për një grant. Më tha dërgoja personalisht ministrit, Abdylmenaf Bexheti. Pasi shkova në ministri dhe prita bajagi, sekretaresha më tha se ministri nuk mund të më pranojë, por me porosi që dokumentacionin e aplikimit t’ia lë sekretareshës.

Nga PDSH-ja e di që ishte vetëm një kërkesë për FAKTI-n: Përkraheni luftën e UÇK -së.

Lufta në Kosovë intensifikohej. Kishim raporte ekskluzive nga luftimet atje, intervista ekskluzive me komandantët e UÇK -së. Tirazhi dyfishohej. Vlonin agjentët e sigurimit maqedonas dhe serbë afër ndërtesës ku ishim vendosur. Vetëm survejonin. Mendonin se vjen dikush në redaksi na sjellë informacione.

Në këtë periudhë pata shkruar një shkrim të postuar në ballinë rreth potencialit ushtarak dhe të forcave policore të Maqedonisë. Çfarë posedojnë, sa armatim, sa numërojnë si efektiv. Burimet e informacionit i kisha nga vetë të punësuarit në ushtri, polici dhe inteligjencë. Më besoi redaktori, Shkëlzen Halimi dhe botoi shkrimin, edhe pse kisha pritur gjatë kohë të marrë përgjigje nga zyrtarët shtetërore, por pa sukses. Ishte njëlloj fshehtësie shtetërore.

Ndër shumë shkrimet që kam shkruar për FAKTI-n, atë të 25 marsit të vitit 1999 do ta mbajë mend përgjithmonë. “Thank You Mr. Clinton”, ishte editorial pas fillimit të bombardimit të NATO-s ndaj caqeve ushtarako-policore serbe.

Dhe erdhi 2001-shi! Vit që na befasoi të gjithëve, e posaçërishtmediave. Doli Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe plasi një konflikt i armatosur, që nuk ishim në gjendje ta definojmë natyrën e këtij konflikti, përderisa as vetë akterët që rrokën armët nuk e dinë mbase. Gjashtë muaj FAKTI përcillte luftimet në terren. Më pasgjithçkandryshoi. U nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, BDI erdhi në pushtet, ndërsa FAKTI dhe gjitha mediat shqiptare fare nuk ia panë hairin. Madje, edhe u bë më vështirë për gjitha mediat në gjuhën shqipe, ndërsa ato në gjuhën Maqedone sa vinin e shtoheshin, gjithnjë të përkrahura nga qeveria dhe kompanitë publike. Mbaj mend në vitin 2003, Ministria e Mbrojtjes në shtatë gazetat ditore në gjuhën Maqedone, për dy muaj reklamonte nga dy faqe objektet dhe kazermat e saja që i kishte në shitje. Reklama e kësaj ministrie nuk publikohej në FAKTI. E kjo ishte obstruksion ndaj gazetës nga vetë shqiptarët në pushtet.

Emin Azemi ishte redaktori im i parë. Më mësoi shumë. Pata fat të jem gazetar dhe bashkëpunëtor i tij. Ai dhe FAKTI, gjatë gjithë atyre viteve sa botohej ishin institucion i parë i mirëfilltë dhe i vetëm i shqiptarëve. Ishte vendi, ku shqiptarët qanin hallet e tyre.

Shtrohet pyetja, pse shqiptarët nuk ndihmuan FAKTI-n dhe mediat shqiptare. Ndoshta shqiptarët që patën fatin të shijojnë pushtetin më shumë parapëlqejnë Latasin dhe Dnevnikun, sesa mediat shqiptare.

FAKTI ishte stigmatizuar padrejtësisht. Nga shqiptarët në pushtet, nga biznesmenët shqiptarë, nga të gjitha strukturat maqedonase, si edhe nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe donatorëve të huaj, të cilët diskriminonin këtë media.

Sot, kur FAKTI nuk është fizikisht në duart e lexuesve, gjykojmë, pa dyshim, se në botën mediative shqiptare mbetet gazeta më me peshë e të të gjitha kohërave.