• Today is: Monday, November 25, 2024

POEZITË E 104 AUTORËVE, TË BOTUARA BRENDA NJË KOHE MBI 450 VJET, VINË NË NJË ANTOLOGJI

fakti
February07/ 2021

Është botuarnga shtëpia botuese FAIK KONICA e Prishtinës,  Antologjia e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 – 2019. Përpilmin e kësaj antologjie  554 faqëshe e ka bërë studiuesi Anton Nikë Berisha, i cili vjen edhe me një parathënie ku trajtohen disa kritere me të cilat është udhëhequr gjatë përzgjedhjes së poezive dhe autorëve, me të dhëna sqaruese nga janë marrë poezite, si dhe  shënimet për autoret. Në fllim te Antologjise, si moto, është vënë teksti i Nënës Tereze “Shpirti im ka etje per ty. Në vijim po sjellim një pjesë nga parathënia e Anton Nikë Berishës

 

Antologjinë e poezisë së përshpirtshme shqipe1555 – 2019 përfshiva disa nga poezitë artistikisht më të ngritura të poetëve shqiptarë që i kushtohen Zotit – Hyjit dhe Mbretërisë hyjnore, që brenda krijimtarisë së tyre me këtë tematikë, paraqesin krijesat më cilësore, qoftë si shtjellime tekstore, qoftë si pasuri shprehëse poetike, si kumte poetike. Mora kryesisht autorët që kanë bërë emër si poetë, një pjesë e madhe e të cilëve, pa pikë dyshimi, paraqesin kulmet e artit poetik shqiptar si De Rada, Santori, Skiroi, Mjedja, Fishta, Poradeci, Noli, Asdreni, Ujko, Perrone, Camaj, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Ramadan Musliu, Visar Zhiti, Preç Zogaj, Agim Mato, Visar Zhiti, Sabit Rrustemi, Flutura Açka, Mimoza Erebara, Agron Tufa etj. Në dy-tre raste përfshiva edhe poezitë e autorëve që janë të njohur në botën shqiptare, po jo dhe si poetë, si, fjala vjen, Pjetër Bogdani dhe Aleksandër Sirdani. Një numër poezish me temë të përshpirtshme të autorëve pak të njohur, të botuara në revista e gazeta të ndryshme, nuk i mora, edhe pse si të tilla, si vlera, ato kanë mundur të kenë vendin në këtë zgjedhje.

Vëllimi zë fill me poezitë e Gjon Bdek Buzukut – katër Psalmet e hartuara nga ai[1], që e lidhin letërsinë tonë me një traditë të lashtë të poezisë së Biblës së Vjetër, pastaj me poezitë e Pjetër Budit, të botuara më 1618, i cili më të drejtë çmohet poeti ynë i parë i mirëfilltë i njohur deri më sot (pa hequr nga mendja të dhënën e përmendur nga vetë Budi se ai i kishte shfrytëzuar edhe poezitë në dorëshkrim të Pal Hasit, një poet shqiptar për të cilin dihet fare pak) dhe mbaron me poezitë e botuara në vitin 2019 – me poezitë e ElisaVelaj, një kohëzgjatje prej mbi katër shekuj e gjysmë. Natyrisht, nuk i mora poezitë e poetëve tanë të shkruara në gjuhë të huaja, as shqipërimet ose përshtatjet e poezive,  as poezinë në njëmbëdhjetërrokësh nga vepra E mbësuara e krështerë (1592) e Lekë Matrëngës.

Nga disa poetë si, fjala vjen, Leonardo De Martino, Françesk A. Santori, Naim Frashëri, Zef Skiroi, Fishta, Asdreni, Vinçenc Prennushi, Fan S. Noli etj. mora më shumë poezi për arsye se mundësia e zgjedhjes qe më e madhe dhe vlera e tyre poetike më e ngritur.

Poezitë në këtë Antologji botohen sipas botimevet – veprave të poetëve ose të marra nga revistat “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Shêjzat” etj., ku ato u botuan për herën e parë, si u veprua me poezitë e Pjetër Zarishit, Ndje Mjedjes, Aleksander Sirdanit e të ndonjë tjetri.

Në raste më të shpeshta shfrytëzova botimet e para ose ato që janë besnike origjinalit. Botimet e bëra në Tiranë e Prishtinë gjatë kohës së sistemit komunist (të Prishtinës shpesh ribotime të Tiranës) mjerisht, nuk janë të sakta; në to janë bërë ndryshime, jo vetëm të pikësimeve, veçmas të theksave (madje edhe në poezitë e Naimit e të Poradecit!), po edhe të natyrave të tjera, prandaj këto botime i përdora vetëm atëherë kur nuk pata rrugëdalje tjetër.

Ndreqa ndonjë gabim shtypi dhe njësova sidomos shenjat e theksave. Aty-këtu shtova edhe ndonjë shenjë pikësimi.

Sqarimet e fjalëve më pak të njohura te disa poezi i dhashë se ashtu ishin në origjinal.

Renditjen e autorëve e bëra sipas datëlindjes e jo sipas datës së shkrimit dhe të botimit të poezive, që do të ishte më e rëndësishme, po më e vështirë për t’u përmbushur për arsye se shpesh mungojnë të dhënat e sakta. Renditjen e poezive të një autori e bëra herë në bazë të rëndësisë e të veçantisë poetike, herë sipas afrisë dhe ngjasimit shprehës kuptimor.

Disa poezi, që nuk ishin të emërtuara, i emërtova në bazë të vargut të parë ose të ndonjë vargu tjetër që shpreh ose synon të shprehë ndonjë nga qenësitë e poezisë përkatëse. Për shkak të përsëritjeve ose për të shprehur më plotësisht qenësinë e krijimit përkatës, shkurtova ose ndërrova titullin e ndonjë poezie.

Në disa raste, kur pozitë qenë të gjata, për shkak të natyrës së vëllimit, qeshë i detyruar të merrja vetëm ndonjë pjesë të tyre, prandaj ato këtu nuk e kanë vlerën që e kanë në botimet origjinale, ku janë të plota. Shkurtimet i shënova me shenjën […]

Transkriptimin e disa teksteve arbëreshe e bëra vetë, pa zbatuar ndonjë kriter të rreptë shkencor, disa të tjera i shfrytëzova nga botimet e mëparshme, me ndonjë ndryshim të vogël. Në pak raste (sidomos në tekstet e Fishtës dhe të Skiroit) y-në me theks hundor e zëvendësova me y-në me theks të gjatë (ý).

Përfshiva edhe pak poezi, në të cilat mbipeshon atdhedashuria si, fjala vjen, ato kushtuar 28 Nëntorit – Ditës së republikës, shqiptarit, gjuhës, flamurit e të ngjashme. Veprova në këtë mënyrë për arsye se këto (si shenjëzime dhe objekte artistike) trajtohen e shqiptohen para së gjithash si krijesa të Zotit, si vepra të Hyut. Me fjalë të tjera, në to Zoti nuk përmendet rastësisht dhe nuk del vetëm si emër, po si qenësi, si krijues dhe përcaktues i Shqipërisë, i gjuhës, i flamurit shqiptar dhe i fatit të shqiptarëve.

Për përgatitjen e këtij vëllimi zgjodha edhe disa poezi në dorëshkrim, të lëna nga poetë të vdekur, si ato të Frangjisk Anton Santorit, ose të dërguara nga poetë bashkëkohorë (të shënuara në Burimet). Pra, në këtë Antologji botohen për herën e parë rreth 30 poezi.

Për mirëkuptimin dhe besimin e treguar të poetëve bashkëkohorë ndaj punës sime, duke m’i dërguar poezitë e pabotuara, u shpreh mirënjohjen time të thellë.

Meqenëse në këtë vëllim përfshihen poezitë e 104 autorëve, të botuara brenda një kohe mbi 450 vjet, punën në përgatitjen e tij e përcollën dhe e cilësuan vështirësi të ndryshme, shpesh jo të lehta të kapërcehen. S’ka dyshim se kanë mbetur dhe autorë dhe poezi të tjera, që kanë mundur të gjejnë vend në këtë zgjedhje, sidomos ato të botuara në vitet e fundit.

Duke qenë i vetëdijshëm për këtë gjë, kërkoj ndjesë dhe mirëkuptim nga autorët dhe lexuesit për mangësitë që do t’i hetojnë. Së këndejmi, i mirëpres me nderim vërejtjet dhe sugjerimet e tyre dhe do t’i kem parasysh me rastin e ndonjë botimi të ri të mundshëm të kësaj Antologjie.