Avokatët e të akuzuarve presin që Gjykata Supreme të vendosë për rigjykim të lëndës “Lagjja e Trimave”, ndonëse ankesat dhe kërkesat për rishikim ata i kanë dorëzuar në fund të 2019-tës. Lënda për momentin është në Gjykatë të Apelit, nga ku thonë se ende po merret me kompletim të lëndës.
Shkup, 7 shkurt/ Gazeta FAKTI – Ka kaluar një vit që kur të akuzuarit e Lagjes së Trimave po presin që Gjykata Supreme të rishqyrtojë aktgjykimin e Gjykatës Penale, të cilin e vërtetoi edhe Apeli, por lënda ende nuk ka arritur në Supreme.
Avokati i disa prej të akuzuarve, Naser Raufi, dëshmon se ai dhe shumica e kolegëve, ankesat dhe kërkesat për rishikim i kanë dorëzuar në fund të 2019-tës, por ende janë në pritje, e kjo sipas tij nuk është normale, përcjell TV21.
Naser Raufi: “Mendoj që punohet për një interval kohor shumë të gjatë dhe mund të them lirisht që një mosefikasitet i gjykatës që ne si palë mbrojtëse do ta shfrytëzojmë besoj edhe tek Gjykata e Strasburgut po të vijë radha”.
Gjykata Penale thotë se “menjëherë pas marrjes së lëndës dhe kompletimin e plotë të saj, më 29 dhjetor 2020 lënda përmes Gjykatës së Apelit Shkup është dërguar në Gjykatën Supreme”.
Nga Supremja konfirmojnë për TV21 se deri më tani “nuk është regjistruar lëndë pas dorëzimit të propozimit juridik nga avokatët të të akuzuarve për lëndën e ashtuquajtur Lagja e trimave”.
Kjo nënkupton se lënda për momentin është në Gjykatë të Apelit, nga ku thonë se ende po merret me kompletim të lëndës.
“Lënda është dorëzuar në Gjykatën e Apelit më 29.12.2020, për arsye se në këtë rast bëhet fjalë për bashkim të dy dosjeve (КОКЖ-22/18 и КОКЖ-31/18) procedura është në fazë të kompletimit të dokumenteve për të njëjtat, pas kompletimit të lëndës, do të dorëzohet në Gjykatën Supreme në afat sa më të shkurtë”, thonë nga Gjykata e Apelit.
E deri sa Apeli nuk jep afat se kur do ta nisin në Supreme, kur lënda të arrijë këtu, Supremja ka 3 opsione për të marrë vendim. Mund ta vërtetojë aktgjykimin, mund t’i ulë dënimet ose mund të vendosë për rigjykim të rastit. Rikthimi i procesit është synim dhe shpresa e avokatëve dhe të akuzuarve.
Naser Raufi: “Po shpresat janë që unë mendoj e gjyqi Suprem është më objektiv në këtë, praktika e ka treguar prej lëndëve të tjera që janë komplekse dhe sensitive dhe mendoj që punohet për një gjykatë që janë ekspertë, 5 gjykatës që sipas përvojës deri më tani them që patjetër do të ketë korrigjim në atë që kjo lëndë patjetër duhet të rikthehet dhe të jetë një rigjykim objektiv dhe fer ku do të mund që edhe provat e palës mbrojtëse të realizohen dhe të pranohen, që të mund të mbrohen”.
Edhe avokati Ibraim Bajrami pret që Supremja të vendosë për rigjykim të lëndës “Lagjja e Trimave”, kjo do të bënte që të akuzuarit të mbrohen në liri.
Ibraim Bajrami: “Jam i bindur që në një situatë të mbrohen në liri do të jenë shumë më të sigurt në atë që ta tregojnë një të vërtetë në gjyq ashtu si[ ka ndodhur, pa e prejudikuar atë të vërtetë”.
Bajrami shpreson që në një rast të këtillë, edhe deklaratat e të akuzuarve do të jenë më të lira, pasi që ai si mbrojtës dyshon se duke qenë të akuzuarit në paraburgim janë ballafaquar me presionin që mbrojtja e tyre do të jetë selektive, duke mos i treguar të gjitha faktet që i dinë, e që sipas avokatit, dinë shumë më tepër se sa ajo që kanë thënë në gjykim.
Pas dy ditësh luftimesh më 9-10 maj, 2015, pjesëtarët e “grupit të Kumanovës” u arrestuan dhe pas disa seancave gjyqësore, ato u dënuan me gjithsej 746 vite burg.
Për veprën terrorizëm u akuzuan gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 u dënuan me burg të përjetshëm. Të dënuarit me burg të përjetshëm janë Andi Krasniqi, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.
Trembëdhjetë prej tyre u dënuan me nga 40 vite burg: Esat KAfegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha Klajn, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Reçica.
Gjashtë prej të akuzuarve u dënuan me nga 20 vite burg: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini.
Të tjerët u dënuan me nga 18 vite burg e më poshtë: Ragmi Latifi me 18 vite burg, Irfan Lutfiu me 14 vjet, Arsim Bajrami me 13, Musa Pajaziti me 12, Seadudin Abdullahu me 14, Elham Arifi me 13 dhe Ebib Alimi me 12 vjet.
Shumica e tyre janë shtetas të Kosovës, të cilët llogariten si organizatorë të ngjarjes në Kumanovë.