• Today is: Monday, November 25, 2024

Qytetërimi hindus i Gandit si mjet politik dhe “refuzimi estetik” i Rugovës

fakti
February06/ 2021

Tendenca për ta imituar Gandin përmes organizimit të “Sistemit paralel”, respektivisht “Shtetit paralel”, do të dështojë tërësisht pas Konferencës së Dejtonit. Ajo tendencë, në njërën anë kishte dëmtuar rëndë karakterin kryengritës të shqiptarit si qenie njeërzore aktive, në anën tjetër kishte lënduar keq e seriozisht dinjitetin e tij, pra palcën e vertikales së kombit.

Nga Dr. Sadri RAMABAJA

Suspendimi i statusit të autonomisë që kishte Kosova në kuadër të kushtetutës jugosllave të vitit 1974, shpërfaqi dukshëm dy rrymat egyistuese të LKJ, jo vetëm në Beograd, por edhe gjetkë në nivel të Federatës, duke prëfshi edhe Kosovën. Por, siç e vumë re më lart, në Kosovë ndërkohë ishte profiluar edhe poli i tretë i LKJ-së.

Rryma e ashtuquajtur “nacionalistë institucional”, të cilët pretendonin se përfaqësonin interesat e “nacionalizmit institucional shqiptar” pavarësisht edhe lojalitetit që dëshmonin në raport me ruajtjen e Federatës Jugosllave, do të transformohet pothuajse e tëra në LDK, duke i hapur rrugë me këtë akt, qoftë edhe pa paramendim, homogjenizmit të jashtëzakonshëm të popullit.

Partikularizimi i forcës politike si strategji

Ana pozitive e ideologëve të LDK-së në këtë fillim të formësimit të saj si forcë politike, ishte se do ët pamundësojnë që në strukturat e saj të pozicionohen elementë të rrymës radikale projugosllave, por as edhe ata të polit të tretë që identifikohej me Azem Vllasin. Element të ktij poli do ta gjejnë ndërkohë veten më shumë tek Partia Socialdemokrate.

Në anën tjetër, struktura revolucionare po vazhdonte të shëronte “plagët e rënda” që kishte marrë në nëntorin e dhjetorin e 1984-ës dhe ishte në kërkim të rrugëve për veprim konkret, duke ndërtuar celulat e para të guerilës. Udhëheqësit e saj kryesor: Fadil Vata, Afrim Zhitia, Bardhyl Mahmuti, Sabri Kiçmari…atbotë ishin ende tejet të ri për ta përballuar atë kthesë që kishte sjellë historia.

Koha kërkonte korife të mendimit, siç ishte Ukshin Hoti, që jo rastësisht mbahej peng në burgjet serbe. Koha kërkonte edhe gjeneral që do të viheshin në krye të betejave, siç ishte Fehmi Lladroci. Por ai në pamundësi të zbatimit të projektit për marshim e zbarkim me brigadën e tij, që në fakt shestohej të ishte bërthama e UÇK-së, e që kishte rreth 1500 luftëtarë, që pledonte t’ i sillte nga frontet e luftës ku ishin në Kroaci, në Çiçavicë e gjetkë në malet e Kosovës, ai shtrëngohet të mërgojë në Gjermani, për t’ ju kthyer Kosovës, pas rënies së Adem Jasharit me jasharët tjerë, sërish pas vonesave të shkaktuar nga puçistët, që tashmë e kontrollonin atë!

LPK-ja atbotë kur Serbia ishte e zhytur thellë në frontin e luftës në Perendim (në Kroaci e Bosnjë), ishte tepër e dobët që ta mobilizoj popullin dhe ta hap frontin e jugut. Ndërkaq LDK-ja nuk ishte e përcaktuar politikisht për luftën si mjet për çlirim, ajo me kohë ishte pozicionuar për reformë politike, pa alternativë! Prandaj po kultivonte atin e durimit, në fakt aktin e poshtrimit publik, me idenë që faktori i jashtëm, demokracitë perendimore, do t’ ia impononin Serbisë kthimin e autnomisë së suspenduar. Ky objektiv i krerëve ët LDK-së, që në aparencë, dukej realist, dhe, megjithëse në heshtje, i pranueshëm edhe për popullin, shpejt do ta shndërrojë LDK në forcën politike dominante dhe me ndikim madje edhe në rrafshin kombëtar. Pesë vitet e para të funksionimit të saj si Lëvizje popullore (1989–1995), ajo, megjithatë në terren do ët shndërrohej në focë kohezive kombëatre dhe do të luaj rol pozitiv në organizimin e mbijetesës. Në dobi të kltij kohezioni shkojnë paradoksalist edhe të dhënat e terrenit.

Në këto rrethana të reja të krijuara në terren, partikulariteti i shoqërisë shqiptare në parti politike, nuk do t’ i mjaftonin Beogradit për relaizimin e platformës së tij në raport me Kosovën.

Në terren, aty ku aplikohej loja, respektivisht imitimi i demoracisë, nuk mund të kontrollohej çdo gjë. Siç dihet tashmë, në skenën e atij plralizmi alogjik e për shumëçka absurd, do të imponoheshin e profiloheshin edhe forca politike me orjentim koherent kombëtar, siç ishin Partia Parlamentare dhe Partia e Unitetit Kombëtar (UNIKOMB-i). Sidoqoftë, ky fakt, do të shfrytëzohet nga Beogradi si mundësi shtesë që të nxiste e stimulonte rivalitet mididis partive për çështje në esencë banale, siç ishte gara (zgjedhjet e 24 majit 1992) për Parlamentin dhe për pushtetin inegzistues!

Disi ngjashëm kishin vepruar turqit për ta shmangur idenë e lirisë në pjesë të tëra të Shqipërisë së okupuar.

“Turqit nuk ia arritën t’ i pushtojnë fiset malësore me forcën e armëve, prandaj ata, gjatë shek. 17-të, filluan t’ i emrojnë bajraktarët dhe të krijojnë bajraqet në Malësi, me qëllim që ta dobësojnë autoritetin e krerëve të fisit dhe fuqinë e tij. Bajraktarëve turqit u jepnin dhurata, rrogë e dekorata të ndryshme dhe këta e kishin për detyrë të merrnin pjesë me njerëzit e bajrakut në luftra të ndryshme që i bënin turqit në Ballkan ose më larg”

Ashtu si bajraku më i adh turk në shek. 17-të, edhe LDK-a si partia më e madhe legale në Kosovë në gjysmën e dytë të dekadës së saj të parë të funksionimit (1995–1999), përveç se do ët shndërrohej në autoritet më të lartë politik në vend dhe në një masë “përfaqësuese” e interesave të “Komunitetit shqiptar” në Serbi, duke zotëruar një lloj pushteti moral, ajo do të aplikojë “fuqinë” e “Shtetit paralel” imponues në lëmin e arsimit dhe në atë sociale e shëndetësore, duke qenë kështu edhe më afër popullit. Krerët e saj, pavarësisht nivelit akademik që kishin, rezononin me logjikë e bajraktarit të shekullit 17-të! Bajrakut, alias LDK-së i prkiste, gjykonin ata, “prija e përgjegjësia e parë ndër punë të brendshme e të jashtme… në kohë lufte dhe paqe”, potencon studjuesi nga më të veçantit të asaj epoke, Bernardin Palaj, tek hedhë dritë për rolin e Bajrakut nën pushtimin turk.

Ky diferencim politik e ky kontroll i rreptë në lëmin e sigurisë, nga ana e Serbisë, do t’i shtrëngojë rrathët çdo ditë e më tepër. Ai do të shoqërohet vazhdimisht me arrestime të secilit që do ët guxojë të bëjë ndonjë veprim në lëmin e organizimit me karakter çlirimi. Janë të njohura arrestimet masive të fraksionit të parë të LPK, të njohur si Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), por edhe i pjesëtarëve-bërthamë të dy ministrive të Qeverisë Bukoshi — asaj të Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Brendshme.

Ringjallja e traditës luftarake në dritën e integrimit sociopolitik

Ashtu siç kishte ndodhur me institucionin e Bajrakut nën pushtimin turk, që gradualisht i ishte “dorëzuar traditës së vendit”, edhe anëtarët e këtyre partive pjesë e pushtetit legal pluripartiak në Serbi, do t’ i japin gjak rezistencës që u ngrit në nivelin e UÇK-së të strukturuar në brigada, që për bërthamë kishte de fakto Këshillat Popullor të LPK-së. Me të drejtë konkludon studjuesi ynë Gani Bobi, se “veprimi i rrafshit popullor të integrimit sociokulturor ka arritur që të krijojë forma krejt të ndryshme me ato që janë imponuar nga pushtuesit — Kjo , jo vetëm që duhet të mirret parasysh për institucionet e veçanta që janë themeluar e stimuluar nga pushtuesit, e që gjatë kohës janë kthyer kundër tyre…”

Historia politike e Kosovës, jo vetëm ajo e kuazi-pluralizmit të dekadës së fundit të shek. 20-të, por edhe e asaj kur funksiononin institucionet e KSAK-së (1974–1981), e tumirë këtë tezë, ndërkaq LDK-ja si fenomen politik, e sforcon atë, meqë aktivizmi politik i qindra e mijëra veprimtarëve të saj në terren, do t’ i jap shpirt mbijetesës së kësaj pjese të Kombit në këtë cop Shqipërie të okupuar. Shih për këtë, ajo armatë aktivistësh, që besonin e vepronin në të mirë të institucioneve të Shtetit (qoftë ai edhe paralel), meritojnë respekt.

Duket që pikrisht kjo frymë dominante në mesin e aktivistëve të LDK-së, do të jetë vendimtare në kohë lufte, e në çastin më kritik, që do ta pamundësojë krijimin e Qeverisë kuislinge në pranverën e vitit 1999, kur po tentonte ta krijojë Beogradi me ngulmë. Por, i mbetet historianëve, pas krijimit të mundësisve për shfrytëzimin e arkivave, që të gjejnë arsyet reale pse Serbia nuk kishte tentuar më heret (gjatë dekadës së Apart’heidit — 1989–1999) ta krijojë Qeverinë kuislinge me seli në Prishtinë. Le të kujtojmë se Gjermania e Hitlerit, kudo ku kishte instaluar aparatin e saj ushtarak e të ndjekjes gjatë gjithë LDB, madje edhe në Francën e “kombit të madhë” ia kishte arritur të instalojë qeveritë kuislinge. Historia do të hedhë gjithësesi dritë se ky dështim i Serbisë në pranverën e 1999, a ishte arsyeja themelore që do ta likujdojë prof. Fehmi Aganin, që ka zëra që pohonë se kishte refuzuar postin e kryeministrit në atë qeveri kuislinge, që i duhej Beogradit ta shfrytëzonte si truk për ndërprerjen e bombardimeve nga NATO, duke ia imponuar Serbisë vënien në lëvizje ët “Planit B”, që nënkuptonte tërheqjen e Ibrahim Rugovës në Beograd dhe deprëtimin e tij më pas në Itali. []

Rambujeja dhe rezervati indian i Meksikës

Konferenca e Dejtonit (1995), pas tri vite lufte dhe gjenocidit serb ndaj kombit boshnjak, disi e kornizoi projektin që do t’ i jipte fund luftës, duke imponuar paqen e brishtë dhe një shtet të dobët. Bosnja edhe pas tridhjetë vjetësh , në të gjitha analizat serioze, vazhdon të cilësohet si “shtt i dobët” ose edhe më kew, si “shtet në dështim”.

Konferenca e Rambujesë, teksti i marrëveshjes që i qe imponuar palës shqiptare për ta nësnhkrar, në rast se do t’ i mungonte aneksi B, me çka do të mund të ishte i pranueshëm për palën serbe, Kosovës ia rezervonte de fakto statusin e REZERVATIT që kishin indianët dikur në Meksikë.

Beogradi do të shtrëngohet ta nënshkruaj “aktin e kapitulimit” pikërisht në Kumanovë më 9 qershor 1999. Vvini re se çfarë inercioni bartë në kurrizin e saj historia: pushtimit të Kosovës nga armata serbe, ia kishte hapur portat beteja tepër e përgjakshme e Kumanovës më 24 tetor 1912. Në pamundësi që të kthehet tek Marrëveshja e Rambujesë, Serbia projekton idenë e amplifikimit të strategjisë së aplikuar ndaj Bosnjës — ndarjen e saj, respektivisht federalizimin dhe imponimin e statusit të shtetit në dështim.

Pak pas LDB, saktësisht në vitin 1948, filozofi francez Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre), kishte publikuar një artikull në trajtën e një trakti, ku nënvizonte paradoksin politik të kohës, tek konkludonte se, si popull “kurrë nuk kemi qenë aq të lirë se sa gjatë pushtimit gjerman”, meqë vetëm atëherë, populli francez, ia kishte arritur të shprehte ‘gjestin e angazhimit subjektiv tërësor’”.

Në pjesën e dytë të dekadës së apart’hejdit në Kosovë (1995–1999), që përkon me periudhën postdejtoniane, gjithë investimi i LDK-së që përmes rrugëve të veprimit liberal — reformistë, duke u prezantuar si partner bashkëpunues i qendrave vendimmarrëse, dukej se do ët shkonin dëm; lufta do të jetë e pashmangshme. Në përballje me këtë rrjedhë të ngjarjeve, njëri nga themeluesit e LDK-së, aktualisht kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK), do t’i vlerësojë edhe pesëvjetëshin e parë të egzistencës së LDK-së, si “Vite të humbura”. Por, nëse tutje analizohet edhe rrjedha e pjesës së mbetur të asaj dekade nën apart’hejdin serb dhe sjelljet e LDK-së, dhe dekada si tërësi, jo vetëm se do të mund të cilësohej si “dekadë e humbur”, por ajo do t’i humbiste kuptimin edhe përcaktimit të Sartrit, meqë qëndrimi i LDK-së do t’ na rezultoj absurd. Në ato rrethana, në vend se, ne si popull të ishim të lirë në ndërtimin e “subjektivitetit tërësor” në shërbim të homogjenizimit në frontin e luftës, vazhduam të ishim të bindur ndaj guru-së dhe LDK-së, duke e fragmentarizuam qëndresën deri në absurd dhe duke sabotuar çfardo organizimi real çlirimtar.[] Rrjedhimisht, po vazhdohej të ngritej tashmë maja e “piramidës së vetmashtrimit”. Rugova do të vazhdojë tutje “të fshihet prapa idesë së madhe të pavarësisë së Kosovës, por asnjëherë, realisht nuk u angazhua për çlirimin e saj”. Ndërkaq për t’i larguar nga skena oponentët e mundshëm politikë, ai do ta përdorë skemën e antikomunizmit, duke i quajtur ata si “marksistë-leninist, jo aq sa për t’ i satanizuar, sa për ta paraqitur kauzën shqiptare si komplot marksist-leninist” pavarësisht faktit se “dy madate ishte sekretar i organizatës së LKJ-së pranë Institutit Albanologjik”.[]

I tillë, i pranueshëm për të gjithë, si ishte Gandi, Rugova nuk do të jetë kurrë; ai nuk do ta pranojë asnjëherë UÇK-në si strukturë politiko-ushtarake çlirimtare.

Tendenca për ta imituar Gandin përmes organizimit të “Sistemit paralel”

Programi jo i dhunshëm i Gandit, sipas intelektualve si Nehru, në esencë ofronte rrugëdaljen e duhur nga bllokimi që i kishin bërë Kongresit dy vijat politike që deri atëherë , kishin treguar paaftësi për zgjidhjen e nyjës së ngërçit: ajo e dhunës (e TILAKUT) dhe e dyta,
E KONSTITUCIONALISTËVE të brishtë që ishte praktikuar nga Kongresi. gandi, gjithnjë sipas B.Moore, prekte një tel shumë të ndjeshëm të qytetërimit hindus dhe e bënte atë në atë mënyrë, që de fakto e nguliste vendin në opozitë me britanikët, pra pa i krcnuar interesat e shoqërisë indiane.

Tendenca për ta imituar Gandin përmes organizimit të “Sistemit paralel”, respektivisht “Shtetit paralel”, do të dështojë tërësisht pas Konferencës së Dejtonit. Ajo tendencë, në njërën anë kishte dëmtuar rëndë karakterin kryengritës të shqiptarit si qenie njeërzore aktive, në anën tjetër kishte lënduar keq e seriozisht dinjitetin e tij, pra palcën e vertikales së kombit.

Përmes aplikimit të të ashtuquajturit “refuzim estetik” në sferën e politikës reale, duke i dorëzuar pa farë rezistence institucionet legale e publike, ndërmarrjet ekonomike e korporatat e fuqishme si “Trepça”, KEK, AGROKOSOVA etj., duke i pozicionuar shqiptarët si bllok në rolin e opozitës ndaj shtetit serb, por pa e cenuar fare apratin represiv, funksionimin dhe sovranitetin e shtetit mbi Kosovën.

Kjo rezulton të ketë qenë arsyeja qenësore përse Shteti serb toleronte të “funksiononin” mekanizmat e “Shtetit paralel”, ndërkaq liderit të tij, I,Rugovës, edhe i krijonte hapësirë veprimi, jo rrallë edhe duke e përcjellë shpurën e tij deri në aeroportin e Shkupit!

Por, për dallim nga Gandi që krijoi e shpalosi në vazhdimësi programin e tij të veprimit, I.Rugova, de fakto “funksionoi” pa program veprimi!

Në Perendim, në qarqet intelektuale, janë të mirënjohura dy shtyllat mbi të cilat ishte ngritur programi i Gandit:

  1. Objektivi i pavarësisë dhe
  2. Metoda jo e dhunshme e mosbashkëpunimit (SATYAGRAHA, që njiet edhe si “Rezistencë pasive”.[]

Këtë program veprimi Gandi e mbarështronte qartë në fjalimet dhe shkrimet e tij; në Indi ai program njihej me emrin SUADESHI.

Mungesa e një programi të qartë politik, madje edhe në prag të luftës, e sjellë LDK-në, e më specifikisht Ibrahim Rugovën, në përplasjen më serioze pikërisht më 1 Tetor 1997 me Unionin e Studentëve të UP, por edhe me Lëvizjen revolucionare që tashmë kishte strukturuar bërthamat e para të UÇK-së. Intenca e studentëve për ta thyer STATUS QUO-në, ishte jo vetëm e ligjshme, por ajo ishte në përputhje edhe me frymën revolucionare që po ndërlidhte Lëvizjen studentore me UÇK-në në lindje.

Kjo sjellje e I.Rugovës, në esencë nuk kishte të bënte fare me frymën gandiste, siç pretendonin ca intelektualë oportunë të oborrit dje dhe vazhdojnë këtë melodramë ligjërimi edhe sot. Duke arsyetuar atë sjellje të tij obskurantiste, jo rrallë tentonin ta cilësonin LDK-në si një vazhdimësi e Lidhjes së Prizrenit, duke fyer intelegjencien e secilit dëgjues e lecues kritik.

Në këto rrethana një shtresë intelektualësh nacionalist progresiv, si Halil Alidemaj, Ukshin HOti, Bashkim Mazreku, Bajram Kosumi etj. do ët krijonin Partinë e Unitetit Kombëtar (UNIKOMB) ose do ët mirrnin drejtimin e Partisë Parlamentare, që tok, në prag të KOnferencës së Rambujesë dhe gjatë saj, tok me Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB), që do ët themelohej më 1998 e do ët drejtohej nga Profesor Rexhep Qosja dhe Hydajet Hyseni e Mehmet Hajrizi, do t’ ia arrijnë të shndërrohen në faktor të kohezionit politik e kombëtar.

Sidoqoftë, në prag të luftës, tutje LDK-ja do t’ ia dalë edhe për shkak të karizmës së I.Rugovës, por edhe meqë gëzonte mbështete në qarqe të ndryshme politike evropiane, sidoms në Romë e Paris, , ta ruaj kursin e moderuar politik, duke mos tërhequr asesi fuqinë e zjarrit mbi vete.
Në këtë periudhë, për fat të keq, nuk do ët mungojnë as cilësimet e tij për UÇK-në si “forcë terroriste” dhe e nxitur nga Beogradi, duke mos hezituar që t’ i bëjë thirrje edhe FBI-së dhe INERPOL-it për t’ hetuar atentatin ndaj ish rektorit serb të UP-së. Por në këtë linjë ai, sidomos në komunikim me gazetarë e diplomat të huaj, do vete edhe më larg, duke e cilësuar UÇK si sajesë të Serbisë!

Por, atë qetësi “buzë furtunës”, që dominonte në Kosovë deri në vjeshtën e vonë të 1997-ës, saktësisht deri më 28 Nëntor 1997, do ta shkërmoqë shpejt dalja për herë të parë në skenë e UÇK-së. Brenda pak muajve LDK-ja de fakto do të shkrihet në strukturat e Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë”, ndërkaq si forcë politike ajo tashmë ishte pothuajse inegzistente. Lideri i saj I.Rugova, do të shndërrohej në një PENG të llojit të vet, ashtu siç do të përfundoj edhe si politikan e lider “Sui generis”, i pa shoq në gjithë historinë tonë moderne.

Përfundim

Gandi qe vrarë në vitin 1948. Rugova si politikan, de fakto, qe “vrarë” atë ditë kur me shpurën e tij kishte lëshuar Prishtinën dhe ishte nisur për Beograd, duke e lënë Kosovën në shkrumb e hi (1999), ndërkaq në mbrëmje shihej në takimin e tij më kompromitues me S.Milosheviqin.

Vajtja e Rugovës nga Beogradi për Romë dhe qëndrimi i tij për disa javë totalisht i izoluar, i ngjet më shumë një stivimi të mumjeve në morg, për t’ u rinxjerrë nga atje për qëllime eksperimentimi e studimi, si ishte vepruar me trupin e Fricit të gjetur në Alpet e Austrisë.
Ringjallja e tij pas luftës, kishte karakter misionar politik dhe ishte në funksion të eksperimentimit, por që pjesërisht mund të vlerësohet i dështuar. Misionin e tij do ta vazhdojë “Gjarpri” i shpisë, që ishte katapultuar fillimisht në krye të UÇK, ndërkaq pas vdekjes së Rugovës, edhe në krye të Republikës! Fundi i Rugovës, pavarësisht burbujës shtetërore, megjithatë ishte i natyrshëm. Fundi i “Gjarprit” duket do të jetë tragjik.

____________

 Bedri Islami, Përjetësia e dyfishtë, Tiranë 2008

 Mark Krasniqi, Lugu i Baranit, ASHAK, Prishtinë 1984, f.45

 Bernardin Palaj, Organizimi i Bajrakut, Tiranë 1943, f.328

 Gani Bobi, Paradoks kulturor, Prishtinë 1986, f.57

 Boris KALNOKY: Hamburger Abendblatt

 Mehmet Kraja, Vite të humbura, Prishtinë 1995

 Nikë Gjeloshi, ”MINISTRIA E MBROJTJES E REPUBLIKËS SË KOSOVËS 1991–1995“, Prishtinë 2015

 Arbën Xhaferi, Vepra III, f.146

 Breher, Nehru, f.75

 Shih: Speeches and Writings of Mahatma Gandi, f. 336–337

 Më 22. 06. 1996, në gazetën „Rilindja“ Ibrahim Rugova deklaron: “Mendoj se nuk ekziston UÇK-ja“.
Kah mesi i janarit 1997 kur UÇK’ja kreu një atentat kundër rektorit famëkeq të UP-së Radivoje Papoviq, në konferencën me gazetarë, të mbajtur më 24.01.1997, Ibrahim Rugova lidhur me këtë rast deklaron :
„Ne nuk kemi informacione se ekziston Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në emër të saj mund të paraqiten shërbime të ndryshme, pasi ende nuk është paraqitur askush i kësaj UÇK’je. Dënojmë edhe njëherë shpërthimin terrorist të autobombës në Prishtinë, si moment i rrezikshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe kërkojmë që këtë rast ta hulumtojë FBI dhe INTERPOL-i, të shihet se çfarë ishte ai shpërthim mjaft i sofistikuar. Po ashtu dënojmë edhe rastet e vrasjet që po bëhen me pretekst të kolaboracionizmit dhe kërkojmë ndërprerjen e tyre“ — përfundon citati. (Lexo: Gazeta “Rilindja”, 25. 01. 1997).

 -Për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung “FAZ”, Ibrahim Rugova, thotë se: ”Krahas UÇK-së, serbët kanë sajuar edhe Frontin e Çlirimit Kombëtar dhe një Lëvizje për Çlirimin e Kosovës” (!!!) ( Lexo: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (Dokumente dhe artikuj), botimi dytë, prill 1998, f. 181)