(Rushit Ramabaja: “PEMA E MISTERIT”, roman, botoi “ORFEU”, Prishtinë, 2020)
Nga Avni DEHARI
“Pema e misterit“, roman i Rushit Ramabajës, që u botua në vjeshtë të vitit 2020, është një vepër letrare, që me përbërësit artistikë që ka përbrenda sikur na thotë se letërsia jonë deri më tash ka qenë e mangët pa një vepër të tillë dhe se që tash e tutje me të drejtë ajo mund të mburret me këtë margaritar të rrallë e të pashoq. Ky pohim gjen mbështetje në shumë vlera të këtij romani: në syzhenë, që rrugëton nëpër shumë shtigje, në harkun mahnitës kohor, që shtrihet që nga ilirët në antikë, që nga mesjeta, në kohën e ardhjes dhe të depërtimit të sllavëve dhe më pas të pushtuesve turq, që nga Lufta e Dytë Botërore dhe pas saj deri më 17 janar 1982, kur Mërgimi ― Jusuf Gërvalla, tok me të vëllanë Bardhoshin dhe me shokun e tij të veprimtarisë Kadri Zekën u vranë me atentat të organizuar nga UDB-ja në Untergrupenbah të Gjermanisë.
Romani hapet me përkushtimin e autorit: “Jusuf Gërvallës dhe të gjithë shokëve të mi të ndjerë“. Kur kishte vendosur ta shkruante dhe kujt donte t’ia kushtonte këtë vepër, Rushit Ramabaja na tregon në shkrimin, që është prologu i romanit, me titull “Flijimi, që vjen menjëherë pas përkushtimit. Në këtë shkrim, që nuk zë vend më shumë se një faqe, na e bën me dije se romanin ia kushton një personaliteti të rrallë historik, që “Në vitet tetëdhjetë të mijëvjeçarit që iku, ai kish frymëzuar kryengritjen në tokat e Dardanisë e të krejt Shqipërisë së Epërme…“. Për ta përthekuar jetën e bujshme të këtij kolosi, jeta e të cilit qëndron si strumbullar midis shumë ngjarjeve të historisë sonë, autori mbështetet në apologjitë që Lyra, e dashura e Mërgimit, ia kishte lënë Orfe Berishës, autorit të këtij romani, në dorëshkrim. Për ta ndriçuar si e sa duhet jetën e Mërgimit ai niset si i marrë gjurmëve të sagës. Në këtë udhëtim në retrospektivë, si me makinë kohe, gjen atin tonë verior, Shtjefën Gjeçovin të mbytur në gjak. Pasi e kupton se këta dy personalitete “…ndriçonin dy skajet e gjithësisë në historinë tonë të re” vendos t’i mbledhë copëzat e baladës, që pa harruar asgjë, ta shtrijë në rrëfimin e tij të zjarrtë, që i kishte vënë vetes për detyrë të na e shpaloste.
Lëmshi i ngjarjes fillon të zgjidhet e të zbërthehet deri në fund me paraqitjen e Lyrës, personazhit të dorës së parë, të dashurës së Mërgimit, që në apologjitë e veta tregon se shtatë vjet pas atentatit në atdheun e Gëtes, i shfaqet hija e Mërgimit në dhomën e gjumit. Derisa te “Komedia hyjnore” Dante Aligieri, kalon në botën e përtejme nëpër sytë e Beatriçes, në romanin “Pema e misterit” ndodh e kundërta. Mërgimi në roman vjen nga bota tjetër, në të cilën dora e armikut me atentat e kishte dërguar që t’ia ndalte hovin kryengritjes jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë dhe na shpërfaqet përmes së dashurës së tij Lyrës. Dialogët që zhvillon Lyra me Mërgimin, me Orfeun, me doktor Shpresimin, me shoqen e saj të punës, Mukadezin e me të tjerë na i shpleksin dy anët e portretit dhe të karakterit të Mërgimit, si atdhetar të përkushtuar deri në vetëflijim dhe si dashnor fisnik, herë-herë me tipare mitologjike. Para nesh ai përvijohet si një dashnor, që, për të mos e shkelur fjalën e dhënë, si Konstandini në legjendë ngrihet nga varri dhe vjen në dhomën e Lyrës, dhe si një atdhetar i përkushtuar që me vetëdije të qartë e të lartë flijohet në themelet e çlirimit dhe të bashkimit të tokave shqiptare. Dashuria për atdheun për të në çdo rrethanë është më e fortë se dashuria për burrin ndaj gruas dhe anasjelltas. Ky përfundim me fuqinë e dritës së diellit dhe me kthjelltësinë e lotit të çupës që qan me shpirt për dashurinë e humbur, formësohet në dialogët që Mërgimi zhvillon me Lyrën diku në faqet e para të romanit: “Dua që këngën të ta bëj flamur të dheut tonë, që këto fise endacake vazhdojnë t’i vënë thikën e zjarrin! ― i kish thënë një natë Mërgimi, duke e ngujuar thellë në gjirin e tij”. “Tashmë këtë këngë e ke bërë flamur“, ― cicëriu ajo, ― veçse kam frikë se, po qe se mbetem vetëm në mes të stuhisë, s’do të mund ta mbaja në lartësinë që do të dëshiroje ti!”
Rënia në altarin e lirisë për Mërgimin është vdekje që “vjen për të na e fuqizuar jetën“. Ngaqë jemi popull i vogël me “…tepricë atdhengrënësish dhe tepricë këngësh për heronj të shpifur”, flijimi për t’u çliruar nga pushtuesit endacakë të Karpateve duhet të na vijë si përjetimi më i ëmbël dhe si qëllimi më i lartë e më fisnik, na e përcjell mesazhin Mërgimi.
Diku në faqet e para të këtij romani autori merr rolin e pedagogut. Nuk e lë lexuesin të humbë kohë duke përsiatur për ta nxjerrë kuptimin e titullit të romanit. Si një mësues i mirë, që kërkon nga nxënësi ta thotë një definicion a të na e shpjegojë një njësi mësimore, kërkon nga Mërgimin, t’i shpjegojë Lyrës, me të cilën po bënte dashuri, t’ia sqarojë kuptimin e “Pemës së misterit“. Mërgimi, në të vërtetë autori, siç zhvoshkim kallirin e misrit nga lëpushat, ia del t’ia shpjegojë Lyrës, në këtë rast lexuesit, kuptimin e titullit të romanit: “Pema e misterit është ajo esenca e dashurisë, një hamgjitje kulmore e burrit për gruan dhe tokën. Ai vetëm për këto të dyja nuk përton të vdesë.”
Në këtë roman Rushit Ramabaja duke e nxjerrë në dritë personalitetin e Mërgimit me apologjitë e Lyrës ndrit para nesh shumë etapa e ngjarje historike që nga ilirët deri në ditët e sotme. Me mjeshtëri të rrallë ai paraqet sllavët që për të depërtuar në tokat tona kishin ngritur tri shkolla: hamgjitjen, gënjeshtrën dhe masakrën. Këta endacakë të Karpateve, që për shenjtëri kanë tepsitë me gjak dhe barqet e çara me shpatë të grave shtatzëna, përpos njohurive në shkollat e tyre, shfrytëzojnë edhe dobësinë e popullit tonë për t’i harruar zezonat plot plaçkitje e masakra që kishin bërë sllavët në kohën e avarëve. Duke u mbështetur në këto përvoja, Teodora, e shoqja e perandorit, një ish-artiste cirku, ia zbut zemrën Justianit, të shoqit, të mos i pengojë sllavët të nguleshin si shërbëtorë në tokat ilire. Të njëjtën gjë bën edhe Lubiçica, gruaja e Kryeparit të endacakëve, që, për t’ia hapur rrugën ngulimit të sllavëve në këto toka, “sakrifikon” t’i futet lakuriq në shtrat Harakliut, mbretit të Bizantit. Të përgatitura në shkollën e hamgjitjes këtë rol e luajnë me shumë sukses edhe Lepka, Dushica e Jelisava, më vonë edhe Kallogreja, që si nepërka bredhin me trup thuaja lakuriq nëpër tokat tona për ta kryer misionin e tyre të asimilimit të rrënjësve në sllavë. Ato, si shumë gra të tjera të kësaj shkolle ia dalin t’ua hedhin rrjetën magjike të dashurisë Bindit, Ulkut dhe Dinoshit. Pasi bëjnë disa vjet bashkëshortësie, sipas mësimeve të nxënë në shkollat e tyre, kërkojnë nga bashkëshortët që fëmijët t’i pagëzojnë me emra sllavësh dhe gjuha e tyre të zëvendësohet me sllavishten. Shkolla e gënjeshtrës e përgatit aq mirë Maricën sa perandorin bizantin e bën të qajë për dhunimin që gjoja i kishin bërë trembëdhjetë tribalë para burrit dhe para fëmijëve të saj, edhe pse nuk kishte qenë as e martuar, as nuk kishte pasur ndonjëherë fëmijë.
Biseda ndërmjet Patrikut serb dhe Jozhës (Titos) zbulon luftën e serbëve që zhvillohet në prapaskenë për t’ia marrë frerët e shtetit Jozhës, që herë duke ua shtrënguar, herë duke ua liruar litarin serbëve në dëm të shqiptarëve, duke e shfrytëzuar mbështetjen e kroatëve e sllovenëve në rrethana të caktuara politike, forconte fronin e perandorisë socialiste. që e kishte ngritur mbi themelet e Mbretërisë SKS. Patriku e akuzon Jozhën se, gjatë gjithë kohës, sa kishte qenë në krye të shtetit, në njëfarë mase i kishte penguar serbët të hidheshin me zjarr e me hanxhar kundër shqiptarëve.
Një nga personazhet më të kompletuar në këtë roman është Mexhaidi, babai i Lyrës. Si dhëndër i ri, ai lë bashkëshorten, Lumjanen, në shtëpi dhe i verbuar nga ideali për çlirim, për barazi e për bashkim kombëtar, harron zezonat na kishin sjellë serbët dhe shkon në viset e thella të Jugosllavisë të luftojë së bashku me ta e me popujt e tjerë sllavë kundër fashizmit. Kur kthehet nga lufta, ku kishte humbur gjymtyrën e trupit ― këmbën, ai gjen gjysmë të rrënuar fshatin. Serbët, me të cilët kishte luftuar krah për krahu, ia kishin vënë zjarrin edhe shtëpisë së tij nga e cila kishte shpëtuar vetëm dhoma e zjarrit dhe një kthinë sa për ta futur kokën Lumjanja dhe nëna e saj. Mexhaidi, që torturohej me kujtimin për luftën çarmatoset para fjalëve qesëndisëse dhe kuptimplote të së vjehrrës, që kishte ndjekur shkollën shqipe që në fëmijëri të saj kishte hapur Shtjefën Gjeçovi: “Për kë shkuat të lini gjymtyrët e trupit? Kishit frikë se do t’ua gjente gjë Serbinë dhe s’do të kishte më kush të na therte si berrat“. Mexhaidi, që ende nuk kishte dalë krejtësisht nga lëvozhga e propagandës mashtruese sllavokomuniste tregon për gratë e dhunuara serbe nga ushtarët rusë që kishin ardhur për t’u ndihmuar vëllezërve të tyre ortodoks – serbëve, për t’u çliruar nga nazistët e Hitlerit. Në kafenenë e Otos, diku buzë lumit Tisa, ku Mexhaidi, kishte luftuar dhe bënte përpjekje ta gjente të vëllanë, Vahidin, që jetonte atje me bashkëshorten hungareze Julian, nga Stojani dhe Budimiri, dy partizanë serbë të dehur nga alkooli dëgjon për përdhunimet deri në vdekje që kishin ushtruar ushtarët rusë në gratë e tyre. Budimiri, që ngrit zërin kundër këtyre veprimeve çnjerëzore, prangoset nga sigurimi ushtarak, akuzohet për këlysh të imperializmit dhe vritet nga ata në kafene me breshëri plumbash.
Rrethanat politike në këtë roman konkretizohen me ndryshimet në natyrë që sjellin stinët e vitit. Dimri i vitit 1956 përshkruhet me ngjyra aq të gjalla, sa ata që e kanë përjetuar nuk kanë as çka t’i shtojnë, as çka t’i heqin asaj pamje në acarin e së cilës zbatohej aksioni i mbledhjes së armëve. Në atë dimër të egër shqiptarët, që akuzoheshin se gjoja po përgatiteshin për kryengritje në pranverën që pasonte, shtrohen në tortura deri në vdekje që t’i dorëzonin armët që nuk i kishin. Mexhaidi, që kishte shpresuar se pas luftës, në të cilën kishte humbur edhe këmbën, do të merrnin fund fatkeqësitë, që shqiptarët kishin përjetuar në kohën e krajlit, duke e shfrytëzuar kapitalin e luftës, me tytën e armës e detyron Radovanin ta ndërpriste aksionin. Për këtë akt heroik Mexhaidi shtrëngohet nga organet e Punëve të Brendshme të shpërngulet në Turqi, por në saje të guximit dhe të mençurisë, që zotëronte, ia del të ndalet në Prizren.
Shpërngulja për në Turqi, që ishte pasojë e torturave që ushtronte pushteti mbi shqiptarët dhe e propagandës fetare që bëhej nga hoxhallarët, nën petkun e të cilëve shpesh fshiheshin rusë e serbë, si Mulla Rrapuha dhe i biri Zarkut, është ndër përshkrimet më të dhembshme dhe më të fuqishme në këtë roman.
Po të mos paralajmërohej pjesa e dytë në fund të këtij romani, lexuesi i vëmendshëm me plot të drejtë do të shqetësohej për lënien përkohësisht nën hije të heroit të romanit ― Mërgimi. Kur kemi parasysh vlerën e lartë artistike të këtij romani nuk kemi si të mos besojmë se portreti i Mërgimit do të na paraqitet i plotë në pjesën e dytë të romanit.
Lexuesi para përshkrimeve me aftësi të rralla të këtij romani mbetet gojëhapur. Çdo fjali që përdoret në përshkrime, në rrëfime dhe në dialogët e dendura e të ngjeshura që shpeshherë ngërthejnë në vete peshën e mendimit filozofik. Mjafton ta kujtojmë këto shprehje që Orfe Berisha i kishte thënë Lyrës: “Ti Lyrë, kur flet për veten tënde, më së shumti e fsheh shpirtin” ose “Ti po digjesh si flutura në lojën vdekësore të llambës, Lyrë“. Ose kur Lyra thotë: “Sonte do të presë Mërgimin me gazin e të gjitha nuseve të kësaj bote” apo “Dashuritë e mëdha bëjnë dritë mbi ligjet e vdekjes. Prandaj asnjë vrasës s’ka fuqi t’i kthejë në orbitën e mortit” e shumë e shumë shprehje e mendime të tjera. Nën të gjithë titujt, që fillojnë me “Rekuiem I” dhe sosin me “Rekuiem XVI” autori sjell thënie filozofike autoriale, me përjashtim të pesë rasteve kur citon Petro Nino Laurasin, Rumin, Georg Addairin, Fridrih Niçen dhe Mark Tuenin.
Kur lexon këtë roman bindesh katërçipërisht se Rushit Ramabaja zotëron kapital të madh të njohurive në lëmin e historisë, të traditës, të riteve, të dokeve, të mitologjisë, të mjekësisë, të zhvillimeve politike, të shpirtit, të frazeologjisë, të leksikut, të toponimisë, për të cilën mjafton ta kujtojmë toponimin Medoka për Medvegjën etj., dhe të filozofisë popullore, që i vë në shërbim të penës së tij për të na dhënë vepra me vlera të larta artistike.
Gjuha që përdor Rushit Ramabaja në këtë roman është për t’ia pasur lakmi. Një numër fjalësh si dafrungë, orgji, dyndallë, zdërhallje, njimtar(tradhtar), njomak, mëzor, vërgjëlli, rrëfatë etj., që kanë bukuri të rrallë, i nxjerr nga fondi i lënë pas dore i leksikut tonë dhe u jep shpirt duke i veshur me to mendimet dhe ndjenjat që i shpreh shumë fuqishëm. Me shumë sukses ai ia del edhe të krijojë fjalë të reja nga fjalët e gjuhës letrare dhe popullore duke i shtuar ndonjë prapashtesë ose duke ia ndryshuar sadopak veshjen tingullore, si: atdhengrënës, ernim, vdekatar, zanator, kukurizmë, kupëzoj, bromboj, lidhkë etj.
Romani “Pema e misterit” është një vepër e rrallë në të cilin ndiqen shtigje të shumta për ta shpërfaqur në trajta të shumta jetën tonë reale në faza të ndryshme të historisë. Në roman hasim shumë elemente biografike, shumë fakte historike, shumë të dhëna mitologjike e të dhëna të fushave të tjera, por autori asnjëherë nuk rrëshqet nga shtrati i një vepre artistike. Kjo na e shton kërshërinë që ta presim me shpresë e padurim edhe librin e dytë, që t’i lidhim dy skajet e gjithësisë së historisë sonë, siç i ndriçojnë dy skajet në historinë tonë të re Atë Shtjefën Gjeçovi dhe Jusuf Gërvalla.