• Today is: Wednesday, May 8, 2024

ÇFARË REFORMASH PRITEN NË ARSIMIN FILLOR NË MAQEDONINË E VERIUT?

fakti
February05/ 2021

Deri më 20 janar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut i ka pritur  propozimet dhe sugjerimet për avancim të propozim-versionit të konceptit për reformë të arsimit fillor. Projekt-koncepti ishte vendosur në veb-faqen e MASH-it në gjuhën shqipe, maqedonase, turke, boshnjake dhe serbe. Pas diskutimit publik, do të pasojë miratimi këtij kocepti dhe procesi i përpilimit të programeve mësimore dhe materialeve mësimore për secilin nga programet në të cilin do të jenë të përfshirë ekspertë.

 

Shkup, 5 shkurt/ Gazeta FAKTI – Ministria e Arsimit dhe shkencës e Maqedonisë së Veriut ka propozuar një  Koncept të ri për arsimin në shkollat fillore , me ç’rast planifikohet të ketë ndryshime thelbësore në organizmin e procesit arsimor, për të cilat debati publik ishte i hapur deri më 20 janar. Një nga ndryshimet e propozuara është edhe organizimi i mësimeve përmes lëndëve të detyrueshme dhe zgjedhore. Ndërkohë, në Parlamentin e Maqedonisë  vazhdon debati publik mbi draft-konceptin për arsimin fillor , njoftojnë mediat në Shkup

 

Nxënësit do të kenë dy grupe të lëndëve të detyrueshme

 

Plani mësimor përmban lëndë të detyrueshme, lëndë zgjedhore dhe veprimtari të tjera të ofruara nga shkolla”, thuhet në versionin e propozuar për Konceptin e ri, duke shtuar se “lëndët zgjedhore të lira vlerësohen në mënyrë përshkruese dhe arritjet e nxënësve përfshihen në dëftesën shtesë”.

Në bazë të Konceptit, planifikohet që nxënësit të kenë dy grupe të lëndëve të detyrueshme. Në Grupi A janë lëndët si gjuha maqedonase / shqipe / turke / serbe / boshnjake, matematika, shkencat natyrore, shkenca shoqërore dhe gjuha angleze. Në Grupin B bëjnë pjesë ato lëndë që përfshijnë arsimin artistik, fizik dhe tekniko-teknologjik-informativ

Lënda Shkencat natyrore përfshin përmbajtje që tradicionalisht i përkasin biologjisë, gjeografisë fizike, kimisë dhe fizikës dhe vjen drejtpërdrejtë nga fusha e Shkencave natyrore dhe teknologjisë nga Standardet nacionale për arsimin fillor.

Në Lëndën e Shkencave shoqërore bëjnë pjesë përmbajtje që tradicionalisht i përkasin historisë, gjeografisë shoqërore, arsimit qytetar, religjioneve dhe etikës. Nëse në një shkollë deri më tani ka pasur 16 orë në javë për arsimtarët e biologjisë, kimisë dhe fizikës, me konceptin e ri planifikohet që ky fond të rritet për 18 orë.

Në mesin e lëndëve të detyrueshme të dedikuara për nxënësit të cilët nuk vijojnë mësimet në gjuhën maqedonase përfshihet edhe gjuha maqedonase e cila mësohet në periudhën e dytë dhe të tretë të arsimit fillor (nga klasa IV në IX).

Propozohet që shkollat të ofrojnë detyrimisht dy lista me lëndë zgjedhore, njëra për të mësuar gjuhën e dytë të huaj (gjermane, frënge, italiane dhe ruse) dhe gjuhën shqipe, ndërsa tjetra përfshin katër kategori të ashtuquajtura lëndë të lira zgjedhore.

Nxënësit zgjedhin dy lëndë zgjedhore të lira gjatë një viti shkollor – një për gjysmëvjetorin e parë dhe një tjetër për gjysmëvjetorin e dytë”, theksohet në Konceptin e propozuar, duke sqaruar që lëndët zgjedhore u ofrohen nxënësve nga klasa e II-të deri në klasën e IX-të.

Zaevi afirmon konceptin “Një shoqëri për të gjithë”

Kryeministri Zoran Zaev, i cili po ashtu ishte pjesëmarrës në këtë debat, tha se të gjithë janë nisur në këtë proces nga ambicia që me reformën ta bëjnë arsimin tonë bashkëkohor me model të ri të mësimdhënies, i cili është inspiruar nga sistemet aktuale arsimore në vendet e zhvilluara botërore dhe në Evropë.

“Kuptohet se gjatë përpilimit të këtyre reformave i kemi parasysh edhe gjendjet ekonomiko – shoqërore dhe së bashku me përvojat më të mira arsimore evropiane dhe botërore, jemi në rrugë që të krijojmë model tonë nacional të Maqedonisë së Veriut të arsimit fillor. Në atë proces të krijimit të modelit më të mirë duhet t’i kemi parasysh inkluzivitetin, barazinë, barazinë gjinore, multikulturalizmin dhe disa çështje të tjera që janë segment i modelit tonë autentik “Një shoqëri për të gjithë”. Arsimi është shtylla e asaj se çfarë shoqëri duam të kemi. Këto ditë, përderisa zgjat debati intensiv publik dhe diskutimi i përgjithshëm në shoqëri, dëgjohen zëra të cilët thonë se ngutemi me reformën arsimore, mendimi im është i kundërt, ne jemi vonuar me reformën në arsim. Ato duhej me siguri të ndodhnin më së paku para 10 vitesh, sepse si domosdoshmëri i impononte zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë në të gjitha sferat shoqërore, të cilat kërkojnë arsim i cili do të jetë në hap me këto ndryshime të shpejta, dinamike dhe progresive. Megjithatë, kur them jemi vonuar, nuk them se do t’i përshpejtojmë. Do të punojmë në atë që të dizajnojmë reformë më adekuate arsimore që është në interes më të mirë të fëmijëve”, deklaroi Zaev.

 

Do të nxitet mendimi kritik tek nxënësit

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, gjatë këtij debati theksoi se, konkludimin që e kanë sjellë të gjithë bashkërisht gjatë gjithë këtij procesi të debateve, që i parapriu debatit të sotëm publik, është se reformat në arsim janë të nevojshme dhe ky proces nuk guxon të ndalet. Sipas saj, janë të nevojshme sepse janë në interes të gjithë fëmijëve në shtet.

“Procesi nuk guxon të ndalet, sepse çdo vit shkollor, çdo ditë që fëmijët tanë mësojnë nga tekste shkollore jo cilësore duke ndjekur program jo adekuat u lë pasoja të mëdha gjeneratave të reja. Të gjitha hulumtimet vendore dhe ndërkombëtare e vërtetojnë se, fëmijët tanë nuk i arrijnë aftësitë e duhura dhe nuk mund ta zhvillojnë potencialin e tyre të plotë, për shkak të sistemi të keq arsimor. Me reformën e propozuar, ofrohet qasje më e ndryshme ndaj mësimdhënies, ofrohet vëmendje për çdo fëmijë dhe mundësi që ajo ta arrijë potencialin e tij të plotë”, deklaroi Carovska.

Sipas saj, koncepti do të krijojë shkolla që i mëson të rinjtë si të mësojnë, të zëvendësojë qasjen e vjetër të mësimit faktografik dhe do t’i nxis të rinjtë të mendojnë në mënyrë kritike.

“Me konceptin e ri, fëmijët do të mësojnë të zgjidhin probleme me sjelljen e vendimeve, në bazë të analizave dhe fakteve. Përfundimisht, koncepti do të thotë model i ri nacional i Maqedonisë së Veriut, që do t’i mësojë fëmijët në vlerat themelore qytetare siç është multikulturalizmi, respektimi i divergjencave dhe përforcim i barazisë gjinore. Me këtë koncept, për herë të parë vendosim edhe standarde, kompetenca që duhet t’i arrijnë nxënësit gjatë kohës së arsimit fillor, që janë të grupuar në 7 zona edhe atë: edukim gjuhësor, përdorimi i gjuhëve të tjera, matematikë, shkenca natyrore, teknologji, edukim digjital, zhvillim personal dhe social, kulturë demokratike… kjo është ajo e cila u nevojitet të rinjve që të bëhen pjesë e një shoqërie moderne”, tha ministrja e Arsimit.