• Today is: Monday, November 25, 2024

SI DO TA PËRDORËSH PUSHTETIN KUR TË TJERËT KANË NEVOJË MË SË SHUMTI PËR TY?

fakti
February05/ 2021
Nëse je treguar korrekt në fushatë zgjedhore, sigurisht që fëmijët do të të marrin si model, por nëse je treguar gojëçthurrur, belaxhi, konfliktuoz,  i padenjë për debat të kulturuar, të jeni të sigurt se fëmijët tuaj do të turpërohen me juve, vetëm se nuk ua thonë hapur, në sy
Nga Emin AZEMI/ Botues i Gazetës FAKTI
Zgjedhjet nuk janë thjeshtë një garë politike në mes të partive e individëve që synojnë të marrin pushtetin. Ato, duhet kuptuar edhe si një ‘shkollë’ ku kultura politike, merr një dimension të ri, parasegjithash në raport me kundërshtarët politik dhe jobashkëmendimtarët.
Varësisht nga ajo se si do ta trajtosh tjetrin që nuk mendon si ti dhe varësisht se si do ta përdorësh pushtetin kur të tjerët kanë nevojë më së shumti për ty, do të varet pastaj edhe e ardhmja jote politike dhe kohëzgjatja e mbejtjes tënde në skenën politike e institucionale.
Fatkeqësisht, përvoja ka treguar se te ne të ardhme politike kanë pasur edhe politikanë të pamerituar, por edhe kjo me një kufi. Fundja, jo theshtë thonë se gjithçka ka fillim dhe fund.
Çështja është se çfarë dhe si do të jetë ai fund….
Votuesi i thjeshtë është treguar nxënësi më i mirë i kësaj ‘shkolle’, sepse ka ditur të bëj dallimin në mes të atyre politikanëve që për një grusht vota rrënojnë autoritetin dhe imazhin e subjketit që i takon, dhe të atyre që oponentin politik nuk e konsideron si armik, por si kundërshtar.
Prandaj edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit, të gjithë ju që po garoni për të marrë një copë pushtet, bëni kujdes çka po nxirrni prej goje, ruane fytyrën, sepse ajo vlen më shumë se 10 mandate politike. Fundja, praktika ka treguar se njerëzit duhet të punojnë dhe të vazhdojnë jetën edhe pas zgjedhjeve dhe logjika e gjërave e kërkon që njerëzit sërish kthehen aty ku kanë nisur – në familje dhe në rrethin e ngusht të njerëzve të afërt.
Nëse je treguar korrekt në fushatë zgjedhore, sigurisht që fëmijët do të të marrin si model, por nëse je treguar gojëçthurrur, belaxhi, i padenjë për debat të kulturuar, të jeni të sigurt se fëmijët tuaj do të turpërohen me juve, vetëm se nuk ua thonë hapur, në sy.
Tani, zgjidhni – cila është terapia e vërtetë për një njeri të ndershëm: makavelizmit për pushtet, apo vota e merituar, pa pasë nevojë të krijosh armiqë?

Shkup, 5 shkurt, 2021