Fredi Overstegen ishte vetëm 14 vjeçe, kur iu bashkua Rezistencës Hollandeze gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetëm pak kohë më vonë, ajo u bë një nga atentatoret e saj më të shquara. Bashkë me motrën e saj – dhe më vonë, me një grua e re të quajtur Hani Shaft – ajo joshte dhe më pas vriste nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre holandezë.
Fredi dhe motra e saj Trus, që ishte 2 vjet më e madhe, u lindën dhe rritën në qytetin e Harlemit. E ëma u mësoi vajzave të saj rëndësinë e luftimit të padrejtësive në jetë. Kur Evropa ishte në prag të luftës në vitin 1939, ajo pranoi disa refugjatë hebrenj në shtëpinë e saj.
Përmes shembullit të nënës së tyre, Fredi dhe Trus “mësuan se nëse duhet të ndihmosh dikë, siç janë edhe refugjatët, duhet të bësh sakrifica për veten tënde. Pastaj në majin e vitit 1940, nazistët pushtuan Hollandën, një pushtim që zgjati deri në fundin e luftës.
Në kundërpërgjigje, vajzat iu bashkuan nënës së tyre në shpërndarjen e gazetave dhe pamfleteve anti-naziste që botonte Rezistenca. “Ne ngjismi gjithashtu paralajmërime mbi posterat gjermanë në rrugë, të cilat u bënin thirrje holandezëve të shkonin të punonin në Gjermani”- kujtonte më vonë Fredi në intervistat që ajo dhe e motra thanë për antropologun Elis Jonker, dhe që u përmblodhën në librin “Nën zjarr: Gratë dhe Lufta e Dytë Botërore”.
“Më pas ne nxitonim të largoheshim me biçikletat tona”- theksoi ajo. Këto akte nuk ishin thjesht subversive, por edhe tepër të rrezikshme. Nëse nazistët apo policia holandeze do t’i kishin kapur, me siguri që do t’i kishin ekzekutuar. Gjithsesi, fakti që ato të dyja ishin vajza të reja – dhe Fredi dukej edhe më e re kur i lidhte flokët gërshet – bënte që zyrtarët të dyshonin më pak tek ato si pjesëtare të Rezistencës.
Kjo mund të jetë njëra nga arsyet pse në vitin 1941, një komandant i Rezistencës në Harlem, vizitoi një ditë shtëpinë e tyre, duke pyetur nënën e tyre nëse mund të rekrutonte në lëvizje 2 vajzat e saj. E ëma ra dakord, dhe vetë motrat pranuan të bashkëpunonin.
“Vetëm më vonë, ai na tha se çfarë duhet të bënim:të sabotonim urat dhe linjat hekurudhore. Dhe të mësonim të qëllonim mbi nazistët”- kujton e motra Trus. Në të paktën një rast, Trus joshi një oficer SS të shkonte më të në një pyll, në mënyrë që dikush nga rezistenca të mund ta vriste. Fredi dhe Trus mësuan gradualisht të përdornin armët, dhe të merrnin pjesë në atentate. “Ato ishin vajza të pazakonta”- thotë Bas von Benda-Bekman, një ish-studiues në Institutin Hollandez për Luftën, Holokaustin dhe Studimet e Gjenocidit.”Në Rezistencë ishin përfshirë shumë gra, por jo me qasjen që kishin këto vajza”- thekson ajo.
Njerëzve që e pyesnin, Fredi u thoshte se ajo dhe motra e saj ishin ushtarë, dhe ushtarët nuk tregojnë. Për pasojë, sot nuk kemi shumë detaje se si ndodhin “likuidimet” e tyre, siç i quanin ato. Benda-Bekman, thotë se nganjëherë motrat do ta ndiqnin objektivin deri në shtëpinë e tij për ta vrarë, ose i zinin pritë me biçikletat e tyre.
Detyrat e tyre të tjera në Grupin e Rezistencës së Harlemit, përfshinin fshehjen e hebrenjve, ndihmën në spitalin e fshehtë në Ensshede, dhe hedhjen në erë të linjës hekurudhore midis Ijmuiden dhe Haarlem. Në vitin 1943, atyre iu bashkua një vajzë tjetër, Hani Shaft.
Ajo ishte ish-studente universitare, që u përjashtua pasi refuzoi të nënshkruajë një dokument ku zotohej për besnikëri ndaj Gjermanisë. Të treja vajzat, formuan një celulë sabotimi dhe atentatesh. Hani u bë shoqja e tyre më e mire, dhe motrat u dërrmuan shpirtërisht kur nazistët e arrestuan dhe e ekzekutuan atë në 1945, vetëm 3 javë para se të mbaronte lufta në Evropë.
Pas luftës, motrat u përballën me traumën e vrasjes së njerëzve, si dhe humbjes së mikeshës së tyre më të mirë. Trus krijoi skulptura, dhe shkroi më vonë për kohën e rezistencës. Fredi u përball me makthet, duke u martuar dhe lindur fëmijët, sikurse pohoi për “VICE Holland” në vitin 2016.
Por përvoja e luftës, i shkaktoi vazhdimisht probleme me gjumin. Që të dyja gratë vdiqën në moshën 92 vjeçare, Trus në vitin 2016, dhe Fredi më 5 shtator 2018, një ditë para se të mbushte 93 vjeçe. Në vitin 2014, ato u nderuan me “Kryqin e Mobilizimit në Luftë”, për shërbimin ndaj vendit të tyre.