• Today is: Monday, November 25, 2024

FAKTI BËRI HISTORI

EA
April10/ 2020

FAKTI ishte shndërruar në pasqyrën tonë të dhimbjes dhe bujarisë, kishte kapërcyer kufijtë e informimit profesional, ishte bërë udhërrëfyesi i besueshëm i qytetarit shqiptar.

Nga Dijana TOSKA

 

Prill 1998

Posa kisha mbaruar monitorimin e mediumeve për një agjenci ndërkombëtare, dëgjova se Emini kishte startuar me gazetën e tij të pavarur FAKTI. Ishte një lajm shumë i bukur me gjithë emërtimin,që ngërthente në vetvete fillimin e profesionalizimit të gazetarisë që aq shumë po mungonte në gazetarinë, e cila po zhvillohej në Maqedoni, saqë nuk kisha si mos ta konstatoja edhe në raportin përmbyllës të projektit.

Ishte prilli i vitit 1998, zyrat e redaksisë ishin hapur në një lagje afër Vodnos, brenda saj hapësira të mjaftueshme për të punuar gazetarët e rinj dhe disa të tjerë me përvojë, që përbënin një ekip e cila jepte shpresë se FAKTI në krye me gazetarin e shquar Emin Azemi, do ta sfidonin misionin e tyre në këto treva me një qasje krejtësisht të re, duke i dhënë fjalën fakteve të qytetarit përballë të gjitha problemeve politiko-shoqërore.

Një urim i përzemërt i koleges për kolegun edhepse nuk ishim shoqëruar dhe nuk njiheshim personalisht, veç respektit që kishim për punën e njëri tjetrit, një përkrahje morale dhe bashkëpunim eventual në të ardhmen, një emocion kënaqësie kur shef entuziazmin e rinisë për tu dëshmuar në punën që e duan.

Në zyrë e vendosur një bibliotekë përplot me libra. Më ra në sy Vepra1 e Faik Konicës, botuar nga Rilindja. E mora dhe kurrë s’e ktheva… (haa), por me shkas.

FAKTI mori udhën e vet, informonte opinionin e gjerë për temat e përditshme duke gjetur hapësirë e shtrirje çdo ditë e më të madhe në mesin e lexuesit shqiptarë.

Prill 1999

FAKTI kishte marrë një rol përtej informimit, po sillte në faqet e saja gjithë historinë e pashkruar të gjenocidit serb, që po zhvillohej në Kosovë. Po sillte imazhin trishtues të trenit me gjithë trishtimin e njerëzve të dëbuar nga vatrat e tyre. Mes faktografisë po sillte luginën e Bllacës me gjithë tmerrin e vdekjen, që po përjetohej me ditë të tëra. Po intervistonte e shkruante për bombardimin e caqeve serbe në Kosovë e Serbi nga Aleanca Veri Atlantike. Po njoftonte për qëndrimin e politikës shtetërore të Maqedonisë karshi kësaj katastrofe humanitare. Po informonte për qendrat e shoqatat humanitare që ofronin ndihmë në mënyrë vullnetare, për familjet shqiptare që kishin hapur zemrat për t’i pritur motrat e vëllezërit e tyre.

FAKTI ishte shndërruar në pasqyrën tonë të dhimbjes dhe bujarisë, kishte kapërcyer kufijtë e informimit profesional, ishte bërë udhërrëfyesi i besueshëm i qytetarit shqiptar.

Po e vizitoja për herë të dytë këtë redaksi tanimë të vendosur me zyra rastësisht afër shtëpisë sime, për të kërkuar ndihmë nga kolegët, të cilët po punonin me përkushtim të madh. Po ua shpjegoja rastin:Në shtëpinë time kishte ardhur, Violeta Fazliu me bashkëshortin e saj, Selushin dhe në bisedë e sipër më treguan se kishin takuar një djalë 7 vjeçar nga Kosova, i cili po qante tërë ditën duke kërkuar familjen e tij. Ai me nënën dhe motrën kishin arritur përmes maleve bashkë deri në kufi, por në Bllacë i kishte ndaluar policia duke i futur në autobusë të ndryshëm për t’i dërguar në destinacione të ndryshme dhe tani asnjëri duke mos ditur për njëri tjetrin se ku gjendeshin.

Mora adresën e familjes, e cila po përkujdesej për këtë djalë dhe u bëra një vizitë. Ishte djalë simpatik dhe fliste pandërprerë, “o bre veq nana ishalla o gjall se osht operu prej lukthi e sit’ mërzitet munet me i plas opet lukthi”, qante i fshinte lotët me duart e plasaritura.

–           Si e ke emrin?

–            Kushtrim.

–           Ti, a gazetare je?

–           Po, i them. Pas një bisede u ndamë të përqafuar mes lotësh dhe shpresës se do të shihemi prap me lajme të mira.

–           Me kolegët e FAKTI-t, bëmë një njoftim në faqen, e cila tanimë ishte hapur për bashkim familjar, një fatkeqësi tjetër me të cilën po ballafaqoheshin familjet nga Kosova.

–           E përshkruam rastin me të gjitha të dhënat.

–           Të nesërmen, Kushtrimi e kishte parë lajmin në gazetë dhe po më pyeste…

–           Pasnesër nuk kishte as një lajm… lot, shqetësim…

–           Dita e tretë, ora 14:00 cingëron telefoni. Alo, a jeni ju që e keni publikuar lajmin për Kushtrimin? I them, po. Unë jam motra e Kushtrimit, vaj e heshtje.“A osht mirë… jam në Strugë?”…

–           Kushtrimi nuk po besonte për motrën, lotët e tij rridhnin pandërprerë, dëneste… “O bre nana mos ka dek që nuk po lajmërohet, o mërzit për neve e i ka plas lukthi….”

–           Të nesërmen në stacion mbërriti autobusi nga Struga bashkë me motrën…

–           Përqafim, përqafim, lot e lot… gjaku ujë nuk bëhet.

Pas dy ditësh, shkuam në Stenkovec për ta kërkuar nënën. Një qytet i tërë me 40 mijë banorë, ende nuk kishte evidencë të plotë të qytetarëve të saj. Nga ta kërkosh, s’kishte ndonjë sistematizim, as kohor, as nga kishin ardhur. Kërkimi zgjati plot 6 ditë, çdo mëngjes deri në mbrëmje, me vrapim drejt çdo gruaje që i përngjante me nënën. Çdo shpjegim i tij ishte për lukthin e nënës dhe frika po shtohej se mos ka vdekur. Kishim kaluar çdo shator, cep e gur, por nënën e tij nuk po e gjenim dot. Kisha filluar t’i humb shpresat edhe unë, por shpresën e Kushtrimit e mbaja gjallë duke e mbajtur për dore, ndërsa shikimi i përlotshëm i tij ishte forca për të vazhduar…

UNHCR, pasditen e ditës së gjashtë na njoftoi se është hapur edhe kampi Stenkovec 2 dhe për shkak të mbipopullimit, një pjesë të njerëzve ishin bartur atje.

Shkuam menjëherë, kodër me kushte edhe më të vështira, më të shpërndara, e kaluam gjysmën e kampit, as një shenjë e vetme… mbrëmja po afrohej, terri po zinte shtratin e tij në kampin e holokaustit shqiptarë në fundshekullin e XXI-të, ne po largoheshim rrugës nga drita për mos t’i lënë territ të zëjë shtrat edhe në zemrat tona të thyera.

Dita e 7-të, vazhduam kërkimin në pjesët më të larta të kodrës. Në një shator, një mësues nga Fushë Kosova kishte mbledhur fëmijët e kampit po u jepte mësim nga Historia. Shpërtheva në vaj… nga cila pjesë e Historisë ke filluar i dashuri mësues…?

„Mos kaj teta Dijanë, se t’dhem lukthi“ –më thoshte, Kushtrimi duke më shtrënguar dorën edhe më fortë.

Dhjetë hapa nga mësonjëtorja, një grua e ulur me cigare në dorë po na shikonte pa i besuar as vet syve të saj. Një shikim që na thoshte, ja ku jam.

Një skenë filmike e bazuar në një ngjarje të vërtetë, po luhej në një kodër të improvizuar në vendbanim, e luajtur aq dhimbshëm nga një familje shqiptare e detyruar të largohet nga oxhaku i saj shekullor. Nanë, bijë e bir qanin e qeshnin në të njëjtën kohë, ishin bërë bashkë, po luanin pa dashje në filmin tragjik me pasoja kombëtare skenarin e të cilit e kishte nënshkruar tanimë i njohur ndërkombëtarisht, Sllobodan Millosheviq.

Ky film i historisë sonë më të re përfundoi falë ndërhyrjes së NATO-s, të cilët në mënyrë brilante realizuan regjinë, duke zbatuar për herë të parë në historinë e njerëzimit, parimin e humanitetit mbi sovranitetin. Kjo luftë do të mbahet në mend për solidaritetin, humanitetin dhe ndihmën që ofroi bota e rajoni për ta shpëtuar një popull të pafajshëm nga prangat shfarosëse të okupatorit.

FAKTI bëri histori dhe u bë pjesë e historisë duke qenë në krahë me regjisorët e filmit tonë kombëtarë.

Mua më ka marrë malli për Kushtrimin, tanimë i ka mbushur 27 vjet, kisha dashur ta shoh, ta di si është ai, motra dhe nëna…

Kisha dashur ta takoj, ta përqafoj dhe me lot gëzimi bashkërisht të festojmë e ta ngremë lartë flamurin e mirënjohjes në 20 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.