Në Ukrainë dhe Bjellorusi, vaksinimi ndaj koronavirusit është një çështje më shumë sesa thjesht shëndetësore. Të dyja vendet janë duke u shndërruar në një fushëbeteje gjeopolitike, ku Rusia dhe Kina promovojnë vaksinat e tyre në vendet që nuk kanë mundësi të blejnë vaksinat perëndimore më të kushtueshme.
Nga Sergei Kuznetsov /“Politico.eu”
Ukraina, që refuzon kategorikisht t`a blejë vaksinën ruse,për t’i mohuar Moskës çdo lloj ndikimi të mundshëm, po e konsideron Kinën si një furnizuese të mundshme me vaksina. Ndërkohë, Bjellorusia fqinje mbështetet plotësisht tek vaksina ruse.
Në aspektin global, shpërndarja e të dyja vaksinave ka shkaktuar polemika, dhe asnjëra nuk është miratuar ende nga entet rregullatore në SHBA dhe Bashkimin Evropian. Por kjo nuk i ka penguar të vijojnë të përhapen. Së bashku me Bjellorusinë, Hungaria dhe Serbia janë dy vende të tjera evropiane që kanë nënshkruar marrëveshje për blerjen e vaksinës ruse. Amerika e Jugut është një tjetër treg që synohet nga Sputnik V. Argjentina ka porositur miliona doza, ndërsa Brazili po mendon të bëjë të njëjtën gjë. Në Lindjen e Mesme, Emiratet e Bashkuara Arabe autorizuan kohët e fundit përdorimin e vaksinës ruse.
Ndërkohë CoronaVac, vaksina kryesore e Kinës, është zhvilluar nga SinoVac, një kompani me lidhje të ngushta me qeverinë. Përveç Ukrainës, ajo ka lidhur marrëveshje me Filipinet dhe Malajzinë, ndërsa për një tjetër vaksinë kineze, e zhvilluar nga ndërmarrja shtetërore Sinopharm, ka interes nga vende si Egjipti dhe Maroku.
Por nëse Rusia mund t`a shesë Sputnikun diku, kjo është Bjellorusia fqinje. Pas një goditjeje brutale ndaj opozitës, dhe refuzimit nga vendet perëndimore për t`a njohur rizgjedhjen në detyrë të autoritarit Aleksandër Llukashenko për një mandat të gjashtë presidencial, Kremlini mbetet aleati i tij i vetëm në rajon.
Bjellorusia nisi javën e shkuar vaksinimin e saj, duke shpërndarë 20 mijë dozat e para. Kjo sasi është pjesë e një marrëveshje për blerjen e mbi 170.000 dozave të vaksinës, një pjesë gjithsesi shumë e vogël e asaj që nevojitet për një komb prej 9.4 milionësh banorësh.
Minsku po planifikon gjithashtu të nisë prodhimin e vaksinave ruse në fabrikat e tij deri në fund të marsit. Por sidoqoftë, jo të gjithë në Bjellorusi janë të bindur nga kjo fushatë.
Andrei Vitushka, një specialist i njohur bjellorus i kujdesit intensiv, u ankua për “arsyet politike” prapa angazhimit të Minskut për “vetëm një vaksinë – atë ruse”.
Ndërkohë, mbështetja vetëm tek Rusia mund të minojë pozitën e brendshme politike të Llukashenkos. Protestat e pashembullta pas-zgjedhore vitin e shkuar, treguan jo vetëm që shumë bjellorusë duan largimin e Llukashenkos, por edhe rritjen e ndjenjës pro-perëndimore në vend.
Udhëheqësi autoritar u zotua në dhjetor të negociojë blerjet e mundshme të vaksinave nga 5-6 prodhues të tjerë. Por sot,Minsku nuk ka dhënë thuajse asnjë informacion në lidhje me këto furnizime të mundshme, me vetëm një përjashtim:Një deklaratë e datës 26 janar nga zyra për shtyp e Llukashenkos, pas bisedës së tij me presidentin kinez Xi Jinping, sipas së cilës Kina po konsideron mundësinë t`a furnizojë Bjellorusinë me vaksina.
OKB nuk ka bërë ende publike të dhënat më të fundit. Ndërkohë, agjencia qeveritare e statistikave Belstat, ka pezulluar që nga pranvera e vitit të shkuar botimin e çdo statistike të numrit të të vdekurve. Ndërkaq, në Ukrainë qeveria ka në plan të nisë vaksinimet nga mesi i shkurtit, me fokus profesionistët e kujdesit shëndetësor, banorët e azileve dhe personelin ushtarak të vendosur në rajonin lindor të shkatërruar nga lufta, Donbas.
Por Kievi po i shmanget vaksinës ruse, duke kërkuar të blejë kinezen CoronaVac. Sipas Ministrit të Shëndetësisë Maksim Stepanov, Ukraina – një vend me rreth 42 milion banorë – do të sigurojë 1.9 milion doza të vaksinës kineze. Por Kievi po synon të blejë edhe vaksinat perëndimore.
210.000 doza të vaksinës BioNTech/Pfizer, nga skema globale COVAX, do të dorëzohen këtë muaj. Ndërkohë, Pavlo Kovtonjuk, kreu i departamentit të ekonomisë së kujdesit shëndetësor në Shkollën Ekonomike të Kevit, thotë se COVAX nuk është një opsion “shumë i mirë”, dhe mund të mos jetë i mjaftueshëm për të mbuluar popullatën me vaksina.
“Situata është shumë e vështirë”- tha ai, duke i bërë thirrje qeverisë që të rindërtojë strategjinë e saj të vaksinave për “të ecur në një hap me Evropën”. Nëse jo, paralajmëroi ai, qeveria mund të paguajë një kosto politike si dhe të pësojë një krizë të rëndë shëndetësore. Vendi, i cili ka raportuar pothuajse 1.2 milion raste me koronavirus dhe mbi 22.000 vdekje deri më tani, synon të përfundojë programin e tij të vaksinimit deri në fillim të vitit 2022.