Problemet e hapura në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duhet të kenë një dioptri krejt tjetër, më moderne dhe më kreative. Të dyja vendet tona, më shumë se për hijet e së kaluarës, kanë nevojë për mirëkuptim të ndërsjellë dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse ngrihen komisione qeveritare të mirëkuptimit në Shkup dhe në Sofje, të cilët do të vepronin në kontinuitet dhe problemin do ta trajtonin si proces, e jo si ngarkesë historike
Nga Dr. Skender ASANI
Kontesti i tanishëm në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk mund të tejkalohet me instrumentet e shek. 19, për arsye se, siç thoshte ish kryeministri angelz, Çerçili, Ballkani prodhon histori më shumë se sa është në gjendje ta absorbojë. Ideja për të krijuar komision historianësh që do të zgjidhnin këtë kontest, është joproduktive, sepse komisionet e tilla janë mbetje të së kaluarës , të cilët në vend se të hapin udhë, i mbyllin dhe më tepër. Praktika ka dëshmuar se komisionet e tilla prodhojnë më tepër krizë dhe ngërçe, përmes vijave të kuqe që vazhdimisht vizatohen në tryezat e bisedimeve.
Një qasje e tillë anakronike e kontraproduktive duhet sa më pare të ndërpritet, sepse janë pengesë e integrimit të Maqedonisë në BE-së. Mosintegrimi, siç dihet, ka pasoja të shumta, kurse kjo më së paku iu konvenon qytetarëve tanë, sidomos shqiptarëve.
Me zgjidhjen e problemeve aktuale, siç janë ato për pakicat, gjuhën, identitetin, çështjet territoriale, kontestet historike, nuk do të ishin shumë të rëndësishme kundrejt çështjeve të tjera, përfshi edhe ato të integrimit, që edhe janë thelbësore në rastin konkret.
Kontributi i historianëve dhe studiuesve të tjerë duhet të jetë në një linjë me frymën e re të mirëkuptimit rajonal dhe proceseve euro-integruese. Kjo mund të arrihet vetëm nëse historiografia përfshihet në pragmatizmin e politikave bashkëpunuese dhe në krijimin e perspektivave për popujt dhe vendet tona.
Problemet e hapura në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duhet të kenë një dioptri krejt tjetër, më moderne dhe më kreative. Të dyja vendet tona, më shumë se për hijet e së kaluarës, kanë nevojë për mirëkuptim të ndërsjellë dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse ngrihen komisione qeveritare të mirëkuptimit në Shkup dhe në Sofje, të cilët do të vepronin në kontinuitet dhe problemin do ta trajtonin si proces, e jo si ngarkesë historike. Një hap i vogël, por pozitiv është hedhur me caktimin e një mediatori nga ana e Maqedonisë së Veriut, i cili po punon më tepër nga prizmi pragmatik e jo historik.
E ardhmja e Ballkanit është gjeopolitikë euro-atlantike, kurse Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të ngelin në hartën e kësaj gjeopolitike. Shkupi dhe Sofja duhet të jenë më inkurajues në gjetjen e pikave që i bashkojnë interesat e tyre për një të ardhme evropiane dhe kjo mund të arrihet nëse punohet në ngritjen shkallës së besimit dhe mirëkuptimit reciprok.
Një model jo i largët që shërbeu si çelës për të mbyllur problemet e hapura rajonale ishte kontesti Maqedoni-Greqi, i cili u tejkalua vetëm në saje të modaliteteve pragmatike të poltikave të mirëkuptimit dhe besimit reciprok.
Kurse një model edhe më udhërrëfyes mund të merret shembulli i Gjermanisë dhe Francës, shtete këto të cilat i tejkaluan animozitetet mes veti duke ngritur komision të përbashkët franko-gjerman në Berlin dhe Paris, i cili me vite të tëra është marrë me çështjet delikate që kishin ngarkuar raportet historike në mes të dy vendeve. Evropa u bë definitisht ambient paqësor pikërisht në saje të këtij mirëkuptimi të arritur franko-gjerman.
Paqja dhe stabiliteti rajonal do të varej shumë nga raportet që kanë në mes veti shtetet fqinje. Gjithsesi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mund të ndjekin modelin franko-gjerman për të instaluar më tepër siguri dhe paqe në këtë pjesë të Evropës Juglindore.
(Autori është drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve,Shkup)