• Today is: Friday, April 26, 2024

GAZETA FAKTI, 22 VJET

EA
April10/ 2020

Një vlerë konstante që i reziston riskut moral të paragjykimeve është idea në lëvizje dhe gjithë ata që kanë vullnetin, guximin dhe aftësinë për ta bartur idenë nga pozita zero në nivele konkurruese do të kenë nevojë të dalin në gazetë. FAKTI doli nga zero dhe u bë numër.


Nga Emin AZEMI

Para 22 viteve, (10 prill 1998) filloi të botohet gazeta e parë e pavarur në gjuhën shqipe në Maqedoni. Një grup gazetarësh dhe intelektaësh shqiptarë kishin hedhur themelet e kësaj medie, me idenë që ajo të jetë shkolla e një profesioni që po piqej bashkë me nevojat tjera që kishin shqiptarët në vitet e nëntëdhjeta, dhe tribuna e mendimit të lirë mbi rrjedhat politike e shoqërore në botën shqiptare dhe më gjerë.
Për të zëvendësuar fjalët e mëdha me fakte që lidhen me historinë e shtypit të shkruar në Maqedoni, po rekapitulojmë disa përshtypje, si një evokim për 22 vjetorin e botimit të gazetës së parë të pavarur në gjuhën shqipe në Maqedoni (10 prill 1998) , FAKTI.
Dilemat që shoqëruan të gjithë ata që botuan gazeta, nuk do të kishin qenë tamam dilema, nëse aftësia për të prodhuar efektin e kundërt të ngazëllimit nuk do të na sillte në situatë të pyesim veten sa herë që bëjmë diçka të ndryshme nga të tjerët. Të bësh gazetë sot, nuk ndryshon shumë nga koha e Konicës. Ajo çka e bënë të ndryshme këtë kohë tonën është sasia e pakontrolluar e injorancës për të refuzuar kulturën mediatike në formimin e  substancës morale, profesionale, kulturologjike e socialpolitike të njerëzve, por edhe kur falangistë të caktuar të gazetarisë te ne gjithnjë e më shumë janë të gatshme t’i përmbushin shijet e këqija të publikut, në vend se t’i korrigjojnë ato.
Fundshekulli i kaluar që solli FAKTIN po e mbyllte harkun qindvjeçar me bindjen se gazetaria, megjithatë duhet të bëhet model i paevitueshëm i krahasimit midis kohës që sjell ndryshimin dhe kotësive të stampuara në etiketën e vlerave të skaduara. Një vlerë konstante që i reziston riskut moral të paragjykimeve është idea në lëvizje dhe gjithë ata që kanë vullnetin, guximin dhe aftësinë për ta bartur idenë nga pozita zero në nivele konkurruese do të kenë nevojë të dalin në gazetë. FAKTI doli nga zero dhe u bë numër.
Matematika e kësaj ecjeje i pati edhe të sfidat  e veta, por bilanci doli i suksesshëm, jo gjithaq për vetveten, sa për një shoqëri më të gjerë mediatike e kulturologjike. I bie të themi që një profesion kur bëhet mision, atëherë e ka shumë të lehtë të refuzojë mburrjen si një moral të tepërt në një rrugë të gjatë, siç ishte rruga e FAKTIT me gjithë atë armatë njerëzish, që sot me dinjitet po i kryejnë obligimet e tyre të shenjta në profesionin e gazetarisë. Një falenderim i madh për ta dhe familjet e tyre që mbajtën në jetë këtë projekt dritëdhënës në një periudhë të caktuar të zhvillimit dhe emancipimit tonë kombëtar, politik e kulturor, por edhe një kritikë publike për menaxhmentin e ri i cili e ndëprpreu botimin e kësaj gazete në kohën kur s’duhej ta bënte këtë.  FAKTI, megjthatë, ishte hallka që lidhi dy shekujt e shkrimit shqip. Gjithë kolegëve dhe bashkëpunëtorrëve, por edhe lexuesve të shumtë, ua uroj këtë përvjetor të gazetës FAKTI, me shpresë që kjo festë do të ketë një simbolikë kuptimplotë me botimin e MONGRAFISË.
Gëzuar!