Zotimi se shqipja do të jetë e obligueshme për nxënësit joshqiptarë ashtu sikur maqedonishtja për nxënësit shqiptarë, duket se është harruar. Asnjë zyrtarë i BDI-së dhe BESËS, dy parti shqiptare në pushtet, nuk kanë folur hapur për minimin e gjuhës shqipe në Konceptin e Carovksës.
Nga Vedat MEMEDALIU
Gjuha serbe duhet të jetë gjuhë zgjedhore edhe për nxënësit joserbë në Maqedoninë e Veriut. Kjo është deklarata e kryeministrit Zoran Zaev e dhënë ditë më parë dhe që, në shikim të parë – nuk ka asgjë të keqe. Megjithatë, serbishtja si lëndë e zgjedhur për nxënësit e shkollave fillore, do të jetë në të njëjtin stad me gjuhën shqipe, gjithashtu si lëndë e zgjedhur. Dhe, kjo është e keqja që fshihet pas të ashtuquajturit Koncept për arsimin fillor, reformë kjo që me këmbëngulje dhe pompozitet po proklamohet nga ministrja e Arsimit, Milla Carovska dhe krerët e LSDM-së.
Koncepti që pritet të bashkojë disa lëndë në një: Historinë, Edukimin qytetar dhe një pjesë të Gjeografisë, përveç që bëhet për të zbutur qëndrimin bullgar karshi maqedonasve, asgjë të mirë nuk do të sjellë. Madje, edhe Greqia – konform Marrëveshje së Prespës, do të dalë e kënaqur. Në këtë Koncept, kundër të cilit kanë folur ekspertët shqiptarë të arsimit, ngrenë alarmin se shqipja po barazohet me anglishten, gjermanishten, frëngjishten dhe tani, edhe me serbishten që paralajmërohet nga kryeministri Zaev. Gjuha shqipe, edhe pse gjuhë zyrtare, për nxënësit joshqiptarë, nuk do të jetë “gjuhë e mjedisit dhe e bashkëjetesës”, por do të jetë “gjuhë zgjedhore”! Një diskriminim i qëllimshëm qeveritar kundrejt gjuhës shqipe – ndryshe s’ka si të quhet.
Zotimi se shqipja do të jetë e obligueshme për nxënësit joshqiptarë ashtu sikur maqedonishtja për nxënësit shqiptarë, duket se është harruar. Asnjë zyrtarë i BDI-së dhe BESËS, dy parti shqiptare në pushtet, nuk kanë folur hapur për minimin e gjuhës shqipe në Konceptin e Carovksës. Dhe siç Koncepti po shkon drejt miratimit, këto dy parti politike nuk pritet të veprojnë edhe në Parlament, ku me gishtat e 19 deputetëve – mund të bllokojnë talljen me gjuhën shqipe në shkolla.
Edhe opozita shqiptare, me reagimet e vakëta, duket se po sheh seri. Është mjaftuar me dy-tre komunikata, ndërsa krijojnë përshtypje se sulme politike do të kenë pasi të miratohet Koncepti. Që tani po fërkojnë duart duke bërë gati akuzat ndaj Qeverisë. Për pikë politike, kuptohet. Jo për ngritjen e shqipes në shkallë të barabartë me maqedonishten si gjuhë zyrtare.
Tentime dhe ligje që mendohej të përmirësojnë cilësinë e arsimit janë miratuar disa herë, por pothuajse asnjë nga këto nuk e plotësuan qëllimin kryesor. Përkundrazi, arsimi u degradua skajshmërisht. Gati 20 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, nxënësit shqiptarë të Bllacës kalojnë kufirin Maqedoni-Kosovë për të arritur në shkollën fillore të Hanit të Elezit. Në Idrizovë, pafuqia politike shqiptare nuk arriti të hap një paralele! Një paralele të vetme, hiç më shumë. Në Shkup, klasat kanë nga 30 e më shumë nxënës, edhe pse me Ligj, në një klasë nuk guxon të ketë më shumë se 24 nxënës. Në Tetovë, 8 vjet premtime për një shkollë fillore në Reçicë të Vogël. Në Kumanovë, nxënësit mësimin e ndjekin në baraka, apo edhe më keq – salla sporti ndajnë të vegjlit e fillores me nxënësit e shkollave të mesme.
Libra që mungojnë, të konsumuar dhe me gjysmë fleta u ndahen fëmijëve. Deri pesë gjenerata mësojnë me të njëjtat libra. Librat e muzikës pa asnjë këngë shqipe, ndërsa në të tjera – shqiptarët paraqiten të egër dhe të ardhur vonë në këto territore. Drejtorë e partisë “kërcënojnë” nxënësit për të heshtur bojkotet e mësimit. Mësimdhënës që më shumë flasin për liderin politik sesa për lëndën mësimore.
Dhe faj nuk ka vetëm politika maqedonase. Dy-tre mandate me radhë, me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës udhëhoqën ministra shqiptarë. Faji është edhe brenda partive shqiptare. Edhe brenda nesh, sigurisht! (koha.mk)