• Today is: Sunday, November 24, 2024

„JAPIM TË DREJTA NË KËMBIM TË VAKSINAVE!”

fakti
January31/ 2021

Para pak javësh Serbia në krye me Vuçiqin  premtoi 8 mijë vaksina për shtetin tonë(jo falas), ndërkohë që ende pa arritur vaksinat, erdhën antitrupat për etnitetin serb në Maqedoninë e Veriut. Sa interesante kjo aq edhe dëshpruese, përderi sa qytetarët shqiptarë, me votën e të cilëve Zaev u bë kryeminister e bëri edhe presidentin, i nxjerr rrugëve për ta kërkuar drejtësinë

 

Nga Abedin ISMAILI

 

Ofertë e jashtëzakonshme vjen nga Zoran Zaev. Zori të detyron të bësh edhe veprime herë herë kontradiktore –  në zor për vaksinat e në qejf të mësohet gjuha serbe në Maqedoninë e Veriut. Ende pa ardhur vaksinat po deklarohet që të futet gjuha serbe si lëndë zgjedhore, e kur do të vijnë vaksinat, do të hapen edhe kurse falas.
Para pak javësh Serbia në krye me Vuçiqin  premtoi 8 mijë vaksina për shtetin tonë(jo falas), ndërkohë që ende pa arritur vaksinat, erdhën antitrupat për etnitetin serb në Maqedoninë e Veriut.
Sa interesante kjo aq edhe dëshpruese, përderi sa qytetarët shqiptarë me votën e të cilëve Zaev u bë kryeminister e bëri edhe presidentin, i nxjerr rrugëve për ta kërkuar drejtësinë. Ne po e kuptojmë edhe hallin e Kryeministrit që frigoriferët për vaksinat i mbeten të zbrazët. Frigoriferët sigurohen e vaksinat vonohen, kjo i bie që „peshku në deti e tigani në zjarr”. Gjithmonë ndodhë kështu kur nuk je peshkatar i sprovuar, dhe del të peshkosh pa grep e pret kush po bën „merhamet“.
Tani është koha për ta shfrytëzuar këtë ofertë edhe ne, si komunitet shqiptare të kërkojmë nga Shqipëria të na dhuroj vaksina, e pastaj në këmbim të kësaj ta fitojmë ndonjë të drejtë më shumë. Ngjajshëm sikur kjo e drejtë që po deklarohet e po flitet se do u jepet serbëve, derisa ata nuk janë më shumë se 1% në vendin tonë, ndonëse nuk jam kundër të drejtave të askujt, por jam kundër diskriminimit që po i bëhet komunitetit shumicë.  Nuk ka kuptim ne të krahasohemi me komunitetet tjera pakicë, sepse ne jemi shtetformues, por pastaj këta formuesit tanë po deformohen.
Ne kemi nevojë edhe për vaksina edhe për respektim të gjuhës sonë tashmë „zyrtare“, edhe për të drejta elementare, po pra nevojë, nevojë…, jemi shndërruar në „popull nevojtarë“, e se kë do ta kemi shpëtimtar nuk dihet, por edhe dihet, edhe pak ka mbetur për të vendosur pa u trembur, e kjo do të ndodh kur Vetë do të Vendosim.