Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, organizoi mesditën e sotme veprimtarinë shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”
“Është në traditën tonë festimi i ditëve të shënuara, siç janë dhe festimi e nderimi i ditëlindjeve të anëtarëve tanë, por kjo ditë, dita e 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit shqiptar më të madh të të gjitha kohërave e anëtarit më të vlerësuar të ASH, mikut tonë Ismail Kadare, është një ditë e veçantë.”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku theksoi se Kadareja e bëri të njohur ndërkombëtarisht letërsinë shqipe e ndërkohë vetë Kadareja rreshtohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore të kohës sonë.
“Kadareja e ngriti letërsinë shqipe në nivelet më të larta të historisë së saj. Çdo letërsi ka uljet e ngritjet e veta, ka përfaqësuesit e saj të periudhave e kohërave të ndryshme, ata që përbëjnë panteonin, e pa dyshim Kadareja është më i shquari në panteonin e letrave shqipe pasi ai e ngriti atë në lartësi të tilla që çdo letërsi i përjeton rrallë në rrjedhë të shekujve”, tha kryetari i ASHSH, Gjinushi.
Nga ana e tij, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Pirro Misha në fjalën e tij u ndal në dy aspekte të jetës së shkrimtarit; në atë që Kadareja e bëri të njohur letërsinë shqipe në botë, “e cila edhe pse ishte shkruar nga paraardhësit e shquar të letërsisë shqipe të viteve ’30 si Konica e Koliqi në Europë, nuk mundi dot të bëhej aq e njohur” dhe aspekti tjetër sipas z. Misha ishte që “Kadareja është shkrimtari më i lexuar se të gjithë nobelistët e Ballkanit, ku ndoshta vetëm Kazanzaqi ka këtë njohje kaq të madhe”.
Ndërsa, Prof. Bashkim Kuçuku përgatitës i përmbledhjes voluminoze me studime, vlerësime për veprën e shkrimtarit të madh shqiptar “Kadareja në kritikën franceze”, në lidhje online me audiencën e pranishme në veprimtarinë shkencore “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore” tha ndër të tjera se:
“Metadiskurs-i kadarean, apo, kritika dhe studimet për veprën e tij, në gjuhë të tjera, është një sistem tjetër, madje, parësori, mjaft i pasur, i mvehtësishëm e i shumëllojshëm nga gjuhët dhe nga këndvështrimi letrar e kulturor. Pasuria dhe larmia e këtij sistemi koherent, konkretizohet, edhe në përmbledhjen anastatike Kadareja në kritikën botërore, në tre vëllime, që po boton Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me 2500 shkrime e studime të llojeve të ndryshme, në vitet 1971-2000, vjelur në gazeta e revista dhe jo nga librat studimorë. Dy vëllimet e para, në frëngjisht, afërsisht 1500 faqe, sapo kanë dalë. Vëllimi i tretë, në përgatitje, është në gjermanisht, italisht, spanjisht, anglisht, portugalisht, suedisht, etj. Megjithatë, kjo përmbledhje e vëllimëshme, mund të jetë vetëm pjesa më e madhe e metaveprës kadareane në këto 7-8 gjuhë të Europës dhe të Amerikës. Në të nuk ka shkrime në gjuhët e Europës Lindore dhe të vendeve të tjera të Lindjes, madje, as në gjuhët fqinje të Ballkanit”.
Më pas, akad. Vasil S. Tole, nënkryetar i ASH prezantoi kandidaturёn e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare pёr çmimin NOBEL nё letёrsi.
“U bënë disa vite rresht që Akademia e Shkencave e Shqipërisë propozon e ripropozon kandidaturën e shkrimtarit, akademikut Ismail Kadare pranë jurisë së çmimeve NOBEL në letërsi, e cila funksionon pranë akademisë simotër të Suedisë.”, tha akad. V.Tole, duke theksuar se vepra e Kadaresё, nga viti nё vit, shtrin gjeografinё e territorit nё tё cilin ajo shkel pёr herё tё parё nё tё gjithё botёn, njёherazi edhe gjuhёt e leximit tё saj shtohen progresivisht.
“Numri i titujve tё botuar e ribotuar jashtё gjuhёs amtare ka arritur nё mbi 1500 tё tillё! Dikur ishin nizamёt shqiptarё qё pothuajse ishin tё pranishёm nё katёr cepat e botёs, sot ёshtё vepra letrare e Kadaresё ajo qё bashkё me emrin e autorit lartёson edhe emrin e Shqipёrisё sonё. Prandaj ripropozimi ynё pёr kandidaturёn e Ismail Kadaresё nuk ёshtё shenjё e kёmbёnguljes dhe kokёfortёsisё ballkanase, por njё propozim i arsyetuar dhe bindёs tё cilin e ndjejmё si detyrim t’ia pёrcjellim modestisht Akademisё Suedeze dhe Jurisё sё çmimit Nobel.”, tha nënkryetari i ASH, akad.Vasil Tole.
Ekspozita e fotografit të njohur Roland Tasho solli për të pramishmit çaste të bukura nga jeta e shkrimtarit, si vizita në vendlindje, dhe çaste kulmore të jetës dhe karrierës së tij në Shqipëri dhe botë.
Për botën akademike dhe universitare shqiptare dhe europiane, për letërsinë shqipe dhe atë botërore, për gjuhën shqipe dhe për thesarin e trashëgimisë botërore, sot është një ditë orientuese në kalendar, është 85-vjetori i Ismail Kadaresë, që i urojmë shëndet të mbarë e jetë të gjatë.
Ismail Kadare nuk është një emër individi, por një emër misioni. Ai e nxori përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme gjuhën shqipe prej kufijve të saj, duke e kthyer në gjuhë dhënëse për letërsinë botërore. Gjuha shqipe, me letërsinë e Kadaresë, ka arritur shkallën më të lartë të cilësisë së saj që prej fillimeve deri sot. Letërsia e Kadaresë ka dëshmuar se çfarë mundësish shprehëse mund të ketë një gjuhë. Ajo e përgënjeshtroi në mënyrë sovrane paragjykimin e shqipes si gjuhë e vogël.
Ismail Kadare është faktor i rëndësisë themelore për njohjen ndërkombëtare të botës shqiptare. Vepra e tij është kthyer në një portë të domosdoshme për t’u kaluar për cilindo që do të dëshironte të njihte shqiptarët, Ballkanin dhe lidhjet midis Orientit e Perëndimin.
Kjo vepër funksionon si një histori paralele e popullit shqiptar, e qytetërimit të tij, e kryqëzimit të influencave, e tipigjisë së identitetit dhe qytetërimit të tij.
Letërsia e Kadaresë është njëherësh një sfidë për shkrimtarët e brezave të rinj. Ata duhet ta njohin sfidën, ta dinë cilat janë rekordet, të jenë të vetëdijshëm për mundimin që i pret dhe të guxojnë. Mbi të gjitha të jenë të vetëdijshëm se sa e vështirë është të shkosh më përpara. Një gjë e sigurt: letërsinë e bëjnë personalitetet e mëdhenj dhe jo masat krijuese. Dhe Ismail Kadare i ka siguruar trashëgimisë krijuese të popullit shqiptar një të ardhme afatgjatë. Letërsia shqipe është me fat që e ka. Në këtë kuptim, sfida e brezave të rinj është me një letërsi epokash dhe forcat duhen matur mirë. /ATSH