• Today is: Sunday, November 24, 2024

Berlini i Majit 1945 ishte një rebus gjigant

fakti
January28/ 2021

Autori, përveçse me shembullin e tij, i kujton shtetit shqiptar se shteti japonez angazhoi 1700 historianë, të cilët punuan rreth 20 vjet për të thënë të vërtetat e luftës së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, edhe pse ai shtet u rreshtua në anën e gabuar të historisë, duke u bërë pjesë pikërisht e atij Boshti ku vërtiten ngjarjet e librit “Berlin 1945 – Maji i Fitores”

 

ZENO JAHAJ

Zeno-Jahaj-e1539457542249-380x233Fundlufta e Dytë Botërore – më e madhja dhe më e përgjakshmja që ka përjetuar njerëzimi, ishte për këtë arsye një funddramë më vete, ku mendjet më çnjerëzore u ndeshën me ato më humanet; ku indoktrinimi i skajshëm toksik nazifashist ndeshi frymën e bashkëpunimit e bashkëqytetërimit; ku kultura e vrasjes dhe e vetëvrasjes ndeshi kulturën e shenjtërisë së jetës. Vetë lufta ishte një aventurë e udhëhequr nga një aventurier politik, i cili nuk përfaqësonte ndonjë shkollë mendimi, përveç filozofisë radikale, instiktive shtazarake dhe shpërthimeve konvulsive e frenetike.

Ishte një luftë ku fillimi ishte një delir, hipnozë dhe egomani e Hitlerit. Fyhreri ishte monstër që nuk bënte dot kurrë bisedë, përveçse monologë. Për të, qëllimi dhe mjetet ishin identike. Është në këtë logjikë që autori, edhe pse si objekt të librit ka ditët e fundit të asaj lufte, e nis me një informacion domethënës për kuadrin e fillimit të saj. Lufta do të hidhte hijet fillimisht nëpër zyrat e kancelarive, sidomos nëpër ambasada dhe shërbime sekrete. Informacionet, konfidencialitetet, raportet, bisedat, vëzhgimet, ishin përqendruar në epiqendrën e zhvillimeve: do të kishte apo nuk do të kishte luftë pas paktit në pamje vezullues dhe në thelb qorrollepsës Molotov-Ribbentrop? Nëse do të kishte luftë, kush do ishte preja e parë?

Autori zbulon se ambasadori gjerman në Moskë, Schulenberg, i besonte dhe e deklaronte mësimin e hershëm të Bismarkut, se Gjermania asnjëherë nuk duhet të bëjë luftë me Rusinë. Ishte një kurth ushtarak apo besim gjeopolitik i tij? Stalini i besoi kurthit, ambasadori ndoshta besonte Bismarkun: si bashkëkonspirator për vrasjen e Hitlerit, ai u ekzekutua pas vetëm katër vjetësh nga kjo deklaratë.

Por homologu i tij rus në Berlin, duke marrë deklaratën e luftës po nga ai Ribbentrop që kishte nënshkruar Paktin, aty për aty bëri parashikimin profetik: “Ju do të pendoheni shumë për këtë sulm të ulët, fyes, provokativ dhe thellësisht grabitqar. Këtë ju do ta paguani shumë shtrenjtë”.

Të gjitha luftërat fillohen me tamtame shurdhuese, mbytëse. Në funksion të tyre vërsulet më parë një makineri e tërë propagandistike. Madje, kjo as që nuk maskohej nga Hitleri, Ministria e Propagandës e të cilit ishte më agresivja, më e fryra dhe më e majmja në buxhet. Ishte improvizuar deri edhe altoparlanti dhe timbret e zërit të Hitlerit në atë lloj simfonie, saqë zëri i tij të dëgjohej si frymë, jo si kordë zanore, që fjala të tingëllonte si e ardhur nga profeti dhe jo nga një qenie njerëzore.

Por, si të gjitha luftërat, edhe kjo luftë do të mbaronte një ditë dhe fundi nuk ishte veçse kopja e fillimit, e kthyer në të kundërt: këtë herë si dramë e tragjedi e një populli të tërë nga më vitalët e Europës. Do të mbaronte – siç konstaton simbolikisht autori, pikërisht në Nyremberg, që kishte qenë edhe “kryeqyteti” mistik i lëvizjes nacional-socialiste apo naziste, qyteti i “shenjtë” i Hitlerit, i paradave të përvitshme të partisë naziste dhe të kongreseve të saj, qyteti ku u miratuan ligjet dhe u vranë hebrenjtë…

Lexuesi shqiptar trashëgon një duzinë librash të shkruar nga autorë shqiptarë dhe sidomos nga autorë të huaj për atë luftë, të përkthyera nga shumë gjuhë të tjera. Mbase identifikimi më i plotë i saj ishte filmi “Rënia e Berlinit”, për të ardhur më këtej në kohë te botimet e kujtimeve të Uinston Çërçill, letërkëmbimet midis “Tre të Mëdhenjve”, kolana të tëra historike, etj.

Gjithsesi, pak prej tyre japin atë pasuri personazhesh, ngjarjesh, psikologjish e ndjesish që na jepen përmes librit “Berlin 1945 – Maji i Fitores” i ambasador Bashkim Zeneli. Bota berlineze e majit të vitit 1945 është e pafundme, një kozmos më vete, e pangjashme me asnjë kozmos dhe e papërsëritshme për të medituar përshkrimin e saj. Rendja në një drejtim të saj të humbet fillin në drejtimin tjetër. Rendja në të gjitha drejtimet, të konfuzon. Është meritë e madhe e autorit t’iu shpëtojë këtyre dy kurtheve kur është fjala për të vendosur një radhë dhe një hierarki në atë xhungël ngjarjesh e personazhesh. Ai me mjeshtëri ka përcaktuar “nordin”, ka klasifikuar ngjarjet, i ka lidhur ato në mënyrë funksionale, duke gërshetuar faktet historike me vlerësimin e tij si studiues e analist dhe meditimin si qytetar.

Në këtë kontekst, pyetja që i shtrohet historiografisë është se çfarë përfaqëson Maji 1945 i Berlinit. Nuk ishte vetë lufta, sepse sa për luftën, fatet e saj qenë vendosur para se ajo të vinte në Berlin. E, megjithatë, Berlini ishte thelbi i asaj lufte, më saktë produkti i saj, ku u provua për të mijtën herë në historinë e njerëzimit se diktaturat, të çfarëdolloj qofshin, jo vetëm nuk e kanë moralin për ta çuar popullin në luftë, por në vetvete përmbajnë farën e shkatërrimit total të vlerave, jo vetëm të jetëve njerëzore. Maji 1945 i Berlinit ishte fytyra e vërtetë e Luftës së Dytë Botërore, rrjedhimi natyral i saj. Një regjim që parimin e “Tokës së Djegur” e zbatoi me të njëjtën krenari për tokën gjermane sikurse edhe për tokat e pushtuara, tregoi pikërisht këtë fytyrë. Analiza dhe vlerësimi i autorit për këtë fytyrë është ndoshta unik: “Ishte e qartë se ky ishte një qëndrim i prerë i Fyhrerit. Ishte një qëndrim politik, ishte një filozofi e tij. Hitleri kishte thënë se në Berlin duhej shkatërruar gjithçka. Dhe mbas humbjes së luftës, nuk kishte pse të ekzistonte më as populli. Gjermania duhej të ishte zero!”

I tërë Berlini i Majit 1945 ishte një rebus gjigant, ku shumë ngjarje zhvilloheshin mbi dhé, por më shumë akoma fshiheshin nën dhé. E tillë ishte, për shembull, gara për flamurin e fitores “Kush i pari?”. Ishte një përzierje ku gjenin terren politika dhe strategji afatshkurtra me politika dhe strategji afatgjata, ku plekseshin besimi me moralin, thelbi me shfaqjen.

Sidoqoftë, strategjitë dhe politikat e nëndheshme mendonin më shumë për luftën që do të pasonte atë luftë: “Marrëdhënia me Bashkimin Sovjetik, mbas mundjes së Gjermanisë, nuk do të përfaqësonte një paqe të vërtetë, por një armëpushim të zgjatur”, do të parashikonte në mënyrë gjeniale Uinston Çërçill. Lufta e Ftohtë që do të pasonte ato ditë të Majit 1945, i kishte rrënjët pikërisht tek ajo garë, e cila në dukje, për ushtarin apo komandantin, ishte vetëm një objekt krenarie: “Kush i pari?”

Sikurse thamë më lart, libri shquhet për një pasuri të pashembullt personazhesh të qëmtuara nga të gjitha shtresat e grupet politike, ushtarake e shoqërore, deri te qytetarët e thjeshtë gjermanë, si dhe nga të gjithë ushtritë e grupet politike jogjermane të ardhura si çlirimtarë në Berlin për të marrë pjesë në atë dramë të madhe që përmbylli Luftën e Dytë Botërore. Rusvelti, Stalini e Çërçilli, e përballë tyre Hitleri, sigurisht që përbëjnë boshtin e personazheve, rreth të cilëve dhe për të cilët punohej. Ajzenhaueri, Zhukovi e Montgomeri e përballë tyre Jodll, Keitell, Hes, do të përbënin boshtin e zgjidhjeve ushtarake të kësaj drame ushtarake të Berlinit, kur më parë kishin luftuar për Moskën, Stalingradin, Kurskun apo Normandinë.

Me shumë finesë, pa prekur frymën e bashkësisë së popujve që sillte ai moment Maji 1945, autori, me keqardhje legjitime konstaton se katër herë Heroi i asaj Lufte të Madhe, Marshalli i Bashkimit Sovjetik, Zhukov, u nëpërkëmb deri në poshtërim nga të gjithë diktatorët e Moskës, ndërkohë që “në anën tjetër të Frontit të Luftës kundër nazifashizmit, komandanti suprem i forcave aleate perëndimore, gjenerali legjendar Ajzenhauer, një hero i madh i popullit amerikan, mbas luftës do të kandidonte dhe do të zgjidhej President i SHBA. Dy botë, dy qëndrime, dy vlerësime: bota e demokracisë perëndimore dhe e diktaturës staliniste. Demokracia nuk i hante gjeneralët e saj, përkundrazi, diktatura, siç lindte heronj, lindte, edhe monstra, të cilët e ndërtonin lavdinë e tyre në poshtërimin e tjetrit, ku ushtari politik hante ushtarin që ishte vetëm ushtar.

Autori është një personalitet i shquar për gjykimet dhe qëndrimet e ekuilibruara ndaj zhvillimeve historike, politike e gjeopolitike në Shqipëri, Kosovë, rajon e më gjerë. Në këtë angazhim, ai ka gërshetuar me efikasitet aksionet diplomatike, politike, ushtarake e të tjera me jetën dhe veprimtarinë e njerëzve.

Në këtë kuadër, ai orienton edhe mesazhin e këtij libri, duke iu referuar sidomos kontributit madhor të popullit shqiptar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke shprehur mirënjohjen e pafund për bijat dhe bijtë e lavdishëm të këtij populli, që derdhën gjakun dhe dhanë jetën në lulen e rinisë, me ideale të pastra atdhedashurie për çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë. Përfundimi i evidentuar prej tij edhe në këtë libër, është një shtyllë e palëvizshme e historisë sonë kombëtare: populli ynë do të jetë përherë krenar që, në këtë luftë, u rreshtua në krah të aleatëve të mëdhenj të koalicionit antifashist botëror. Ky vlerësim, përveçse një sintezë, është një shërbim ndaj vlerave dhe moralit tonë kombëtar për të ndalur segmentet e caktuara politike dhe antikombëtare të poshtërojnë këtë kontribut të jashtëzakonshëm të Popullit Shqiptar.

Siç ia kërkojnë misioni e detyrat çdo ambasadori, të spikatura këto tek ambasador Bashkim Zeneli, krahas fushave të tjera politike, diplomatike e shoqërore, ka hulumtuar burime të shumta edhe të politikave e strategjive ushtarake, duke e plotësuar kuadrin e asaj drame të madhe edhe me këndvështrimet ushtarake. Por libri “Berlin 1945 – Maji i Fitores” është befasues për terminologjinë e gdhendur strategjike, operative e taktike të përdorur, për analizën e llojeve të operacioneve ushtarake, për vështrimet në karakteret dhe temperamentet e mareshalëve dhe gjeneralëve, por kapacitetet e tyre strategjike e deri edhe për gradat e shenjat. Me siguri, akademitë ushtarake, gjeneralët e ushtarakët tanë do ndihen borxhlinj që ngjarje të tilla kulminante ushtarake nuk janë hulumtuar gjerazi prej tyre. Me siguri, shteti shqiptar do ndihet borxhli që ende nuk e ka përcaktuar një institut strategjik, që të thotë fjalën autoritare dhe ndoshta përfundimtare për vlerat e Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar. Autori, përveçse me shembullin e tij, i kujton shtetit shqiptar se shteti japonez angazhoi 1700 historianë, të cilët punuan rreth 20 vjet për të thënë të vërtetat e luftës së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, edhe pse ai shtet u rreshtua në anën e gabuar të historisë, duke u bërë pjesë pikërisht e atij Boshti ku vërtiten ngjarjet e librit “Berlin 1945 – Maji i Fitores”. Autori iu është referuar burimeve tepër të pasura nga autorë seriozë (mbi 500) në gjuhët gjermanisht, rusisht e anglisht, çka i bën solide dhe të besueshme themelet dhe informacionin e librit. Ndërkohë, duke njohur nga afër politikën, kulturën dhe psikologjinë gjermane, ai nuk ka munguar që ndaj informacioneve kundërthënëse për ngjarje apo personazhe të caktuara, të pozicionojë qëndrimin e tij të bazuar në arsyetim e logjikë të shëndoshë politike, gjeopolitike dhe ushtarake./ Panorama.al