Lakuriqët e natës, bartin një numër sëmundjesh të këqija, Nipah, Covid-19, Ebola dhe SARS.Pra a duhet t’i zhdukim ata? Jo, nëse nuk duam që t’i përkeqësojmë më tej gjërat, thotë Trejsi Goldshtein, drejtoreshë në Laboratorin e Institutit Shëndetësor One.
Nga Harriet Constable “BBC’
Ishte 3 janari i vitit 2020 dhe Supaporn Uasharaplusade ishte në këmbë, në pritje të një dërgese. Ishte përhapur fjala se ekzistonte një lloj sëmundjeje respiratore që prekte njerëzit në Vuhan të Kinës, dhe me afrimin e Vitit të Ri Hënor, shumë turistë kinezë shkuan në Tajlandën fqinje për të festuar.
Qeveria tajlandeze filloi kontrollimin e pasagjerëve që mbërrinin nga Vuhani në aeroport, dhe disa ekspertë- përfshirë Uasharaplusade – u zgjodhën për të përpunuar mostrat në përpjekje për të zbuluar problemin. Uasharaplusade është një gjuetare eksperte e viruseve. Ajo drejton Kryqin e Kuq Tajlandez në Qendrën e Shkencës së Shëndetit dhe Sëmundjeve Infektive në Bangkok. Gjatë 10 viteve të fundit, ajo ka qenë pjesë e “Predict”, një nismë botërore për të zbuluar dhe ndaluar sëmundjet që mund të kalojnë nga kafshët tek njerëzit.
Ajo dhe ekipi i saj kanë studiuar shumë specie. Por fokusi i tyre kryesor kanë qenë lakuriqët e natës, për të cilët dihet se bartin shumë koronavirusë.
Edhe pse bota sot po përballet ende me Covid-19, ajo po përpiqet të parandalojë pandeminë tjetër. Azia ka një numër të lartë sëmundjesh infektive. Rajonet tropikale kanë një gamë të pasur biodiversiteti, gjë që do të thotë se ato janë gjithashtu shtëpia e një grupi të madh patogjenësh, duke rritur shanset e shfaqjes së një virusi të ri. Gjatë marrjes së mostrave të mijëra lakuriqëve të natës, Uasharaplusade dhe kolegët e saj kanë zbuluar shumë viruse të reja. Ata kanë gjetur kryesisht koronavirusë, por edhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse që mund të përhapen tek njerëzit.
Njëri prej tyre është virusi Nipah. “Ky virus përbën një shqetësim të madh,pasi për të nuk ka trajtim, dhe shkalla e lartë e vdekshmërisë shkaktohet nga ky virus”- thotë Uasharaplusade. Shkalla e vdekjeve nga Nipah varion nga 40 deri në 75 përqind, në varësi të vendit ku ndodh shpërthimi epidemik.
Çdo vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë rishikon listën kryesore të patogjenëve, që mund të shkaktojnë një emergjencë të shëndetit publik, dhe virusi Nipah është në dhjetëshen e parë. Ka disa arsye pse virusi Nipah është kaq i rrezikshëm. Periudha e gjatë e inkubacionit të sëmundjes (në një rast është raportuar 45 ditë),do të thotë se ka mjaftueshëm mundësi për t`u përhapur. Ai mund të infektojë një gamë të gjerë kafshësh, duke rritur mundësinë e përhapjes së tij. Virusi mund të përhapet ose përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose duke konsumuar ushqimin e ndotur me të. Të sëmurët me këtë virus mund të përjetojnë simptoma të frymëmarrjes përfshirë kollën, dhimbjen e fytit, lodhje fizike dhe encefalit, një ënjtje e trurit që mund të shkaktojë kriza dhe vdekje.
Tregu Batambang në Kamboxhia është çdo ditë i populluar. Qindra tregtarë, kryesisht gra, shesin fruta dhe perimet. Por në pemët rrotull tregut qëndrojnë varur mijëra lakuriqë nate, që lëshojnë jashtëqitjet dhe urinojnë mbi gjithçka që kalon poshtë tyre.
Në një inspektim më nga afërt, kulmet e tezgave të tregut janë të mbuluara me jashtëqitjen e lakuriqeve. “Njerëzit dhe qentë endacakë bien çdo ditë në kontakt me urinën e lakuriqëve të natës”- thotë Veasna Duong, kreu i njësisë së virologjisë në laboratorin e kërkimit shkencor Institut Pastër në Pom Pen, dhe koleg i Uasharaplusade. Në një vit normal, qyteti Angkor Uat ku ndodhet tregu në fjalë pret 2.6 milion vizitorë. Pra 2.6 milion mundësi çdo vit që virusi Nipah të kalojë nga lakuriqët e natës tek njerëzit vetëm në një vend. Bangladeshi dhe India, kanë përjetuar vitet e fundit shpërthime epidemike të virusit Nipah, dhe të dyja ka të ngjarë të kenë lidhje me pirjen e lëngut të palmës së hurmës. Në 11 shpërthime të ndryshme epidemike të Nipah në Bangladesh gjatë viteve 2001-2011, 196 njerëz u zbuluan se ishin prekur nga Nipah, dhe 150 prej tyre vdiqën.
Shmangia e lakuriqëve të natës, mund të ketë qenë e thjeshtë në një moment të historisë njerëzore. E ndërsa popullata botërore po rritet, njerëzit po e ndryshojnë planetin dhe po shkatërrojnë habitatet e egra për të përmbushur kërkesën në rritje për burime. Dhe kjo po nxit përhapjen e sëmundjes. Gjashtëdhjetë për qind e popullsisë së botës, jeton tashmë në Azi dhe rajonet e Paqësorit, dhe urbanizimi i shpejtë vazhdon ende. Shkatërrimi i habitateve të lakuriqeve të natës ka shkaktuar infeksione të Nipah në të kaluarën.
Në vitin 1998, një shpërthim epidemik i virusit Nipah në Malajzi vrau më shumë se 100 njerëz. Studiuesit arritën në përfundimin se zjarret në pyje dhe thatësirat lokale i kishin zhvendosur lakuriqët e natës nga habitati i tyre natyror, duke i detyruar të shkojnë drejt pemëve frutore. Madje kur janë nën stres, lakuriqët e natës përhapin më shumë viruse. Lakuriqët e natës, bartin një numër sëmundjesh të këqija, Nipah, Covid-19, Ebola dhe SARS.Pra a duhet t’i zhdukim ata? Jo, nëse nuk duam që t’i përkeqësojmë më tej gjërat, thotë Trejsi Goldshtein, drejtoreshë në Laboratorin e Institutit Shëndetësor One.
“Lakuriqët e natës kanë një rol ekologjik shumë të rëndësishëm. Ata polenizojnë më shumë se 500 specie bimore, dhe ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të insekteve, duke luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në kontrollin e sëmundjeve tek njerëzit. Për shembull ato zvogëlojnë numrin e të sëmurëve me malarie, duke ngrënë mushkonjat”- thotë Goldshtein.
Duong dhe Uasharaplusade,shpresojnë të vazhdojnë bashkëpunimin për të luftuar virusin Nipah në Azinë Juglindore. Ekspertet kanë hartuar së bashku një projekt për mbikëqyrjen e përbashkët të virusit Nipah në rajon.
Burimi: https://www.bbc.com/future/article/20210106-nipah-virus-how-bats-could-cause-the-next-pandemic