• Today is: Wednesday, April 24, 2024

ÇFARË BISEDOI ESAT PASHË TOPTANI ME PRESIDENTIN AMERIKAN WILSON

fakti
January27/ 2021

“ESAT PASHË TOPTANI, njeriu, lufta pushteti” është libri biografik prej 570 faqesh për Esat pashë Toptanin, botim i UET Press,  i gazetarit të “Zërit të Amerikës” Ilir Ikonomi, i njohur për suksesin me Faik Konicën (2011) dhe Ismail Qemalin (2012). Ky libër, fryt i një studimi katërvjeçar, për herë të parë i sjell lexuesit një trajtim të paanshëm dhe neutral të Esat Pashës (1864-1920), të cilin autori e karakterizon si njërin ndër personazhet më enigmatikë të botës shqiptare.

Ilir Ikonomi në këtë libër  shkruan për takimin e pazakontë të Esat Pashë Toptanit me me Presidentin Amerikan, Woodrow Wilson.

Duke filluar nga 24 marsi, Konferenca e Paqes kishte shënuar një kthesë të rëndësishme me themelimin e Këshillit të Katërshes, që përbëhej nga Woodrow Wilson i SHBA, Georges Clemenceau i Francës, David Lloyd George i Anglisë dhe Vittorio Emanuele Orlando i Italisë. Ky Këshill do të merrej me çështjet më të rëndësishme, krahas një Këshilli të Dhjetëshes. Italianët shpresonin të siguronin nga konferenca Fiumen dhe disa porte e ishuj në Adriatik. Ata kërkonin sidomos zbatimin me disa ndryshime të klauzolave të Traktatit të Fshehtë të Londrës, që ishte shpërblimi për hyrjen në luftë të Italisë në anën e Antantës. Në këtë pikë, Italia kishte hasur në kundërshtimin e rreptë të Presidentit Wilson, i cili ishte kundër traktateve të fshehta.

Në Paris, Presidenti amerikan banonte në rezidencën Prince Murat, një pallat i kohës napoleoniane në rrugën Monceau. Në studion e tij bëheshin praktikisht të gjitha mbledhjet e Katërshes. Në shkallët, që të çonin në katin e dytë, ku ndodhej studioja, ngjiteshin çdo ditë disa prej njerëzve më të njohur të botës: presidentë, krerë kabinetesh, ambasadorë, shkencëtarë dhe shkrimtarë, që shoqëroheshin deri sipër nga oficerë me uniformë lufte.

Wilsoni shihej si simboli i drejtësisë dhe si mbrojtësi i madh i kombeve të vogla. Për t’i paraqitur presidentit idealist çështjet e tyre, këta njerëz përshkonin një korridor të ngushtë e të qetë, i cili dukej sikur zgjatej pa fund, për shkak të reflektimit të shumëfishtë të llampëzave të murit nga njëra pasqyrë te tjetra.

Esati ishte njëri prej atyre që kishin shprehur dëshirën për ta takuar presidentin amerikan dhe lutja e tij u dëgjua. Audienca me pashain u përfshi në axhendën e datës 17 prill të presidentit dhe ishte lënë për në orën 12 e 45 pasdite.

Sipas publicistit E. J. Dillon, Wilsoni kishte dëgjuar nga shqiptarët e Amerikës fjalë jo të mira për karakterin e Esatit dhe iu kishte thënë miqve se kishte pak besim në aftësinë e pashait për të ngritur institucione demokratike në Shqipëri.

Duhet përmendur se edhe Esati kishte kritikat e tij për shqiptarët e Amerikës. Në një rast ai ishte shprehur: “Në Amerikë ka rreth 40-50 mijë shqiptarë. Shpresoj që z. Wilson nuk do të harrojë t’i çojë këta shqiptarë për të vepruar për çlirimin e vendit të tyre, që ata të mos e kalojnë kohën duke lexuar gazeta, por të kryejnë detyrën e tyre të shenjtë në fushën e betejës, ashtu siç po bëjnë vëllezërit e tyre bashkëpatriotë që prej tre vjetësh, duke derdhur gjakun pa u ndalur, duke luftuar në Frontin e Ballkanit, kundër barbarizmit dhe militarizmit”.

Pesë minuta përpara takimit me Wilsonin, Esati ndodhej në paradhomën e studios së presidentit bashkë me përkthyesin Stavro, i cili përveç shqipes, fliste mirë frëngjishten, greqishten dhe turqishten.

Kur ishte duke pritur, Esati u kujtua se presidenti Wilson nuk dinte frëngjisht, prandaj e porositi Stavron të shkonte e të merrte një përkthyes të anglishtes në Hotel de Crillon, ku kishte selinë delegacioni amerikan i paqes.

Njëri prej sekretarëve e ndali dhe i tha: Presidenti vërtet nuk e flet frëngjishten, por e kupton, prandaj një përkthyes i dytë do të ishte i panevojshëm. Kur u bë takimi, Esati foli shqip dhe Stavroja përkthente në frëngjisht. Ishte një monolog, ku Wilsoni dëgjonte në heshtje. Ata që ndodheshin në dhomë krijuan përshtypjen se ai e kuptoi thelbin e kritikës së ashpër që Esati i bëri sjelljes së Italisë. Por, për të qenë i sigurt, presidenti i kërkoi vizitorit ta hidhte në letër çdo gjë që i kishte thënë dhe t’ia dërgonte.

Esati u kthye në Continental dhe i diktoi përkthyesit këtë tekst: “Esat Pasha e quan për nder që u prit nga Presidenti. Atij i vjen keq që mosnjohja e anglishtes e detyroi të shprehej në shqip dhe është kureshtar të dijë nëse u kuptua e gjitha ajo që tha… Gjatë tërë periudhës së luftës, Esat pasha ka luftuar kundër armikut të përbashkët. Si kryetar i qeverisë shqiptare i shpalli luftë Austrisë, por meqenëse armiku ishte më i fortë, iu desh të ikë nga atdheu. U strehua në Itali, pastaj në Francë dhe, pas një marrëveshjeje, vendosi në Selanik qeverinë dhe ushtrinë e tij shqiptare, e cila kreu atje detyrën. Siç e kanë pranuar vetë aleatët, besnikëria e Esat Pashës nuk u ka munguar kurrë. Megjithatë, kur u vendos të mbahej konferenca e paqes, neve nuk na ftuan të marrim pjesë si përfaqësuesit e shteteve të tjera. Përse? Sepse Italia intrigon pranë Fuqive. Ajo përpiqet të sigurojë një traktat për të marrë protektoratin e Shqipërisë. Mirëpo Shqipëria ka luftuar 500 vjet kundër turqve, të cilët deshën t’i imponojnë një “protektorat” tjetër, që ajo nuk e dëshironte. Ajo kërkon të krijojë një shtet plotësisht të pavarur dhe është e aftë të vetëqeveriset. Si ka mundësi që konferenca, e cila synon të çlirojë kaq shumë kombe të tjera, guxon ta vërë përsëri nën zgjedhë Shqipërinë që, për shkak se shpalli luftë, ka vuajtur po aq sa edhe Belgjika? Si mund të bëhet pazar me shpërblimin që ajo e ka merituar plotësisht?

Ajo ka të drejtën e pavarësisë. Por Italia as që e çan kokën për drejtësi; ajo është kundër garantimit të një paqeje të pakufishme në Ballkan dhe i bëhet pengesë përparimit të Shqipërisë drejt së ardhmes. Protektorati italian, i urryer nga të gjitha pikëpamjet, do të ishte një burim turbullirash të vazhdueshme në Ballkan. Përkundrazi, një mandat i përkohshëm, që t’i besohej një fuqie të painteresuar, do të ishte diçka e shkëlqyer. Kjo fuqi duhet të ishte Amerika, nga e cila shqiptarët presin lumturinë e tyre”.

Për presidentin amerikan, problemi shqiptar ishte një ekuacion me shumë të panjohura. Italia kërkonte Vlorën dhe mundësisht një protektorat mbi Shqipërinë. Ndërkaq, kërkesat e saj ishin të lidhura me rivendikimet e tjera që ajo kishte në Adriatik. A duhet të shërbente Shqipëria si monedhë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth kufirit mes Italisë dhe mbretërisë së sapokrijuar serbo-kroato-sllovene?

Vërtet Wilsoni kishte dalë me parimin e kombësive, por në delegacionin amerikan idetë për Shqipërinë ishin të ndryshme; ato i ishin paraqitur presidentit disa muaj para se të fillonte konferenca e paqes dhe varionin nga copëtimi i plotë e deri te pavarësia. Këto ide modifikoheshin pa pushim.

Për shembull, në një memorandum të datës 14 prill, Wilsoni doli me propozimin për t’i lënë Italisë “në ruajtje” portin e Vlorës, në shkëmbim të lëshimeve që ajo duhet të bënte në Adriatik. Memorandumi e zemëroi shumë Italinë, aq sa delegacioni i saj vendosi të kërkojë ekzekutimin e Paktit të Fshehtë të Londrës.

Përfundimisht, më 24 prill, delegacioni i Orlandos iku nga Parisi, duke shkaktuar një ndërprerje të përkohshme të bisedimeve.

Wilsoni kishte dyshime tek një protektorat italian mbi Shqipërinë. Më 6 maj ai tha në Këshillin e të Katërve se Shqipëria duhet të bëhej e pavarur.

(Shkëputje nga libri i ILir Ikonomit – “ESAT PASHË TOPTANI, njeriu, lufta pushteti”)