• Today is: Sunday, November 24, 2024

Bazil Zaharof, “tregtari” i vdekjes që u bë njeriu më i pasur i Evropës

fakti
January27/ 2021

Për shumicën nga ne, emri Bazileios Zakarias, ose Bazil Zaharof, nuk do të thotë asgjë. Megjithatë, ky person la gjurmë në histori me veprimet e tij para, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore. Në kohën e tij ai mbante disa pseudonime.

Shtypi e quajti atë “Njeriu misterioz i Evropës”, për bashkëpunëtorët e tij ishte ”Zedzed”, dhe për ata që vuajtën më shumë nga veprimtaria e tij, ai ishte “tregtari i vdekjes”.Duke vepruar kryesisht në prapavijë, Bazil Zaharof punoi si agjent shitjesh për disa prodhues të shquar të armëve dhe municioneve.
Zaharof vuri një pasuri të madhe. Rruga e Bazilit drejt korrupsionit nisi që në rininë e tij, pasi familja e tij greke (ai lindi në Perandorinë Osmane, në provincën Mugla) u largua nga Rusia. Ata kishin emigruar atje për t’u shpëtuar trazirave në vitin 1821, ku dhe morën një mbiemër rus.

Në vitin 1855, ata u kthyen në Perandorinë Osmane dhe u vendosën në Konstandinopojë, Stambollin e sotëm. Në një moment, Bazili filloi të punojë për zjarrfikësit famëkeq të Stambollit. Ata u vinin qëllimisht zjarrin shtëpive, pasi nuk u interesonte aq shumë shuarja e flakëve, sesa rikuperimi i thesareve nga shtëpitë e të pasurve, të cilët më pas i paguanin bujarisht për “shërbimet” e tyre.

Deri në vitin nuk ka shumë informacione të tjera në lidhje me jetën e Zaharof, kur emri i tij u shfaq në Britani në lidhje me ngjarje të dyshimta. Ai u martua me Emili Barrous, vajza e një tregtari të pasur nga Bristoli. Çifti vendosi të shkojë në Belgjikë, ku Zaharof u arrestua dhe u dërgua në Britani për t’u gjykuar.
Ai u akuzua për vjedhjen e mbi 7.000 paund, që në atë kohë ishte një shumë e madhe parash. Bazil ia del në një farë mënyre t’i shpëtojë burgut, duke ia hedhur vetëm me një dënim të butë, dhe një kompensim prej 100 paund. Pasi bëri disa miq në Britani, Zaharof u zhvendos në Qipro, ku u paraqit si magazinier dhe kontraktor.

Një mik e rekomandoi në një vend drejtues në kompaninë e prodhimit të armëve të shpikësit suedez Torsten Nordenfelt, që atëherë ishte e vogël, dhe jo shumë e njohur. Zaharof nisi të punojë për Nordenfelt në vitin 1877. Ai ishte fillimi i karrierës së tij famëkeqe.
Bazil u bë përfaqësuesi ballkanik i kompanisë. Duket se tregtia e armëve nuk ishte profesioni i tij i vetëm. Vitin që pasoi shkoi në Britani, dhe në vitin 1883 u transferua në Galuej, Irlandë.

Këtu, ai përdori “aftësitë” e tij për të bindur vajzat e reja që të hipnin në një anije dhe të emigronin drejt Shteteve të Bashkuara, ku me mashtrim u premtoi atyre të punonin në fabrikat e Massaçusets. Vetë Bazil u zhvendos në SHBA, pasi u dëbua nga familjet e zemëruara të Galuej. Princi Zakarias Bazileus Zakarof, siç e quajti veten për pak kohë, arriti të bindte një grua të re e të pasur në Nju Jork, Xhini Billings, t’i linte trashëgimin prej 150.000 dollarë. Ai u martua me të për pasurinë e saj, por kjo martesë nuk zgjati shumë. Ai u demaskua si një bigam, një njeri që kishte disa lidhje njëherësh, ndaj u detyrua të largohet për t’i shpëtuar dënimit.

 

 

 

 

 

 

 

Në fund të viteve 18880, u rikthye në Perandorinë Osmane dhe u përfshi më thellë në shitjen e produkteve të Nordenfelt, mes të cilave një mitraloz me shumë tyta dhe një nëndetëse me avull. Ai arriti të bindte turqit se Greqia zotëronte një armë të re dhe të rrezikshme. Të frikësuar nga këto informacione, ata vendosën t’i blinin që të dyja. Më pas, Zaharof u tha rusëve se ekzistonte një rrezik i ri në ujërat e Detit të Zi, gjë që i nxiti ata të mbrojnë veten. Edhe ata i blenë që të dy. Në thelb, këto vende blenë copa shumë të shtrenjta metali që u fundosën ose dolën shumë shpejt në pension, pa u përdorur asnjë ditë.

Kur turqit provuan nëndetësen e tyre dhe u përpoqën të lëshonin një silur, ajo u përmbys dhe u mbyt. Një nga mashtrimet e tjera të Zaharof përfshin Hiram Maksim, shpikësin amerikan të mitralozit. Kjo pajisje vdekjeprurëse, ishte një përparim i madh në teknologjinë ushtarake, një përmirësim i modeleve të mëhershme.
Automatiku i Maksim ishte shumë më i mirë se armët e kompanisë Nordenfelt. Zaharof thuri një plan dinak. Midis viteve 1886-1888, Maksim dhe Nordenfelt morën pjesë në 3 ekspozita publike të mitralozëve të tyre. Në të tria rastet, provat e Maksim u sabotuan. Në provën e parë në La Spezia, Itali, njerëzit e Maksimit nuk u paraqitën.
Dikush i kishte nxjerrë një natë më parë, dhe i kishte dehur nëpër bare. Në rastin e dytë, në Vjenë, mitralozi i Maksimit filloi të punonte në mënyrë të papërshtatshme, dhe pasi qëlloi vetëm disa qindra fishekë, pastaj u bllokua. Më vonë, Maksim e inspektoi atë dhe zbuloi se ishte sabotuar.
Gjatë testit të tretë po në Vjenë, dikush informoi të gjithë ushtarakët e rëndësishëm të pranishëm se Maksimi nuk ishte i aftë të prodhonte numrin e madh të mitralozëve që i duheshin ushtrisë, pasi arma e tij e komplikuar mund të prodhohej vetëm në mënyrë manuale.

Maksimi ishte i dëshpëruar. Ai zotëronte një armë mjaft të shkëlqyer, por nuk ishte në gjendje ta shiste atë. Kjo është arsyeja pse vendosi të bashkohej me Nordenfelt, dhe në vitin 1888 lindi kompania e armëve dhe municioneve“Maxim &Nordenfelt”. Kjo përmirësoi dukshëm pozitat e Nordenfelt.
Dhe Zaharof, si shitësi kryesor i kompanisë së re, mori një komision të madh për përpjekjet e tij. Por etja e tij për para nuk u ndal këtu. Bazili vazhdoi taktikat e tij shumë imorale, dhe realizoi dhjetëra marrëveshje famëkeqe armësh me shumë vende.

Ndërkohë, vazhdoi të blinte aksione në kompaninë e tij, duke e larguar Nordenfelt nga biznesi, dhe duke u bërë partner me aksione të barabarta me Maksim. Në vitin 1897, suksesi i kompanisë tërhoqi vëmendjen e kompanisë “Vickers”, atëherë lidere e industrisë së armëve. Ajo e bleu kompaninë e Maksim, dhe ai dhe Zaharof krijuan një pasuri të madhe në para dhe aksione.

Maksimi doli në pension, ndërsa në vitin 1911, Zaharof u bë anëtar i bordit të drejtorëve të “Vickers”. Ndërkohë bota përgatitej të hynte në konfliktin më të madh të armatosur, Luftën e Parë Botërore, dhe secila prej fuqive kryesore evropiane, ndjeu nevojën të modernizonte ushtrinë e saj.
“Vickers”, e udhëhequr nga idetë e Zaharof, ishte i gatshëm t’u shiste armë të gjithëve. Kompania i shiti armët dhe municione Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe madje edhe Rusisë. Zaharof, përmes “Vickers”, nxiti shpërthimin e luftës. Ai u bë njeriu më i pasur në Evropë, duke zotëruar 3 pallate madhështore. Në vitin 1927, Bazil dogji gjithë letrat, ditarët e tij dhe gjithçka që do ta inkriminonte në ndonjë mënyre. Vdiq disa vjet më vonë./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.thevintagenews.com/2017/10/07/basil-zaharoff-the-merchant-of-death-who-became-europes-richest-man/