• Today is: Saturday, May 4, 2024

OPONENCA E MUNGUAR E SHOQËRISË CIVILE (SHQIPTARE) NË MAQEDONI

fakti
January27/ 2021

(Ose: Pse na mungon një grup juristësh e ekspertësh të fushave të caktuara, të cilët nuk do të merreshin me protesta e me llafe boshe nëpër rrjetet sociale, por me kontestime ligjore (vendore e ndërkombëtare) të të gjitha shkeljeve që iu bëhen shqiptarëve, përfshi rastin ‘Monstra’ dhe faturat e pabarabarta të EVN-së)

Nga Emin AZEMI

Në Maqedoni aktualisht liritë dhe të drejtat e njeriut janë një fushë e pambuluar profesionalisht dhe për pasojë qytetarët shqiptarë rezultojnë më të pambrojtur, në pikëpamje juridike, humanitare e sociale. Mungesa e një shoqate apo asociacioni që do të grumbullonte juristët dhe ekspertët më të mirë, ka ndikuar që me shkeljet e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve të merren gazetarët dhe ndonjë avokat i paguar.
Rasti më skandaloz që shpërfaq këtë anomali është procesi i montuar “Monstra”, i cili përpos që nxjerr në pah anën e errët të një sistemi problematik të drejtësisë, ai si i tillë është shembulli më praktik i mosfunksionimit të shoqërisë civile te ne.
Nëse dikush do të mjaftohej me disa protesta që u mbajtën si kundërvënie ndaj këtij procesi, kjo nuk është përgjigja më e duhur për atë çka po kërkohet.
Në radhë të parë, protestat ishin aq sporadike dhe nganjëherë problematike, sa që lënë mjaft boshllëk që i atribuohet parasëgjithash aktivizmit qytetar të pastrukturuar dhe të paideuar tek ne.
Pastaj, këto manifestime publike në të shumtën e rasteve u perceptuan si protesta familjare (pa fajin e familjarëve të të denuarve), teksa mungonte një nervaturë më e gjerë e shoqërisë, sidomos e të rinjëve.

Rasti tjetër ndërlidhet me klinetelizmin selektiv të EVN-së, e cila ndryshe i trajton konsumatorët maqedonas, ndryshe ata shqiptarë. Këta të fundit paguajnë fatura më të kripura se bashkëqytetarët e tyre maqedonas dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Mjafton të bëhet një hulumtim ad hoc, i cili do të rezultonte në të dhëna skandaloze nga terreni dhe të dënueshme sipas të gjitha standardeve mbi barabarësinë e konsumatorëve.

Tani vijmë te ajo çka na mungon dhe na mundon.

Na mungon pra një grup juristësh e ekspertësh të fushave të caktuara të cilët nuk do të merreshin me protesta e me llafe boshe nëpër rrjetet sociale, por me kontestime ligjore (vendore e ndërkombëtare) të të gjitha këtyre shkeljeve.
Procesi i montuar ‘Monstra’, pavarësisht avokatëve që merren profesionalisht me mbrojtjen e të akuzuarve, dhe të dënuarve tash më, ka nevojë të ketë edhe një ekspertizë (forenzikë) profesionale juridike nga një grup i pavarur juristësh, kriminologësh e psikologësh, i cili do të merrej kryesisht me motivin e vrasjes së pesëfisht, me provat e deformuara, me dëshmitarët kontrovers  dhe me deklaratat e politikanëve të pushtetit kur dikur ishin në opozitë (psh. Zoran Zaev).

Nëse këtij procesi i mungon motivi pse është bërë vrasja e pesëfisht, nëse provat fillestare nuk përputhen me ato që janë deformuar në rrugë e sipër dhe nëse nuk merret në shqyrtim deklarata e Zaevit në vitin 2015 se posedon me të dhëna shokuese mbi autorët e vërtetë të këtij krimi, atëherë me çfarë sigurie juridike e morale iu shqiptua dënimi kapital këtyre shqiptarëve, të cilët u kualifikuan si grup vetëm nga prokuroria, sepse ata më parë as që njiheshin në mes veti. Disa prej tyre për herë të parë takoheshin në sallën e Gjyqit. Pra ata nuk ishin kurrfarë grupi dhe nuk vepronin mbi kurrfarë platforme a doktrine.

Çështjet si këto dhe mjaft të tjera delikate, që kërkojnë përgjigje adekuate profesionale e kredibile, nuk mund të shterohen në analiza e përsiatje publicistike, sa do të përkushtuara të jenë ato.

Këto dhe çështje të tjera, që prekin drejtpërdrejt liritë dhe të drejtat e shqiptarëve i takojnë një domeni tjetër që ndërlidhet me aktivizmin qytetar , i cili te ne është ose aksidental (me raste), ose mungon fare. Kjo edhe për faktin se varshmëria e shqiptarëve tanë nga partitë politike është ekstreme,madje e frikshme – para dite, ata janë luajalë e oportunistë , e pas dite, kritikues dhe opozitarë të shpifur.