224 persona janë konfirmuar pozitivë me virusin COVID-19 në Kosovë, nga të cilët 6 persona kanë gjetur vdekjen shkruan, “Zëri.info”. Qytetarët janë rekomanduar që deri në fund të këtij muaji të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, për shkak se këto janë javët vendimtare sa i përket përhapjes së tij. Infektologu Isuf Dedushaj, në një intervistë për “Zërin” ka thënë se deri në fund të muajit prill pritet të arrihet piku epidemik sa i përket koronavirusit në Kosovë.
Duke i parë lëvizjet e shumta të qytetarëve në vend, Dedushaj ka thënë se ato paraqesin rrezik, andaj edhe duhet urgjentisht të aplikohen masat ndëshkuese, që i parasheh Ligji për Sëmundjet Ngjitëse.
Sipas tij, koronavirusi i ri nuk njeh shtresa shoqërore e politikanë, andaj edhe ka apeluar te qytetarët që të ruajnë veten e familjet e tyre, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre e të zbatojnë me përpikëri masat e parapara kundër kësaj sëmundjeje.
Dedushaj ka thënë tutje se temperaturat e larta do të kenë ndikim në eliminimin e virusit jashtë organizmit në ambientet e jashtme dhe se beson që gjatë muajve të verës do të stabilizohet situata.
Zëri: Sa është momentalisht e menaxhueshme situata me COVID-19 në Kosovë dhe sa mund të jetë i rrezikshëm ky virus?
Dedushaj: Për momentin menaxhimi i kësaj sëmundjeje është në nivelin e duhur në tri nivelet e mbrojtjes shëndetësore. Për fat të mirë Kosova disa ditë para paraqitjes së rastit të parë me vendimin e Qeverisë mbylli institucionet shkollore, parashkollore, universitetet publike dhe private, manifestimet sportive, tubimet masive, restorantet dhe kafenetë etj. Edhe institucionet fetare ndaluan ceremonitë fetare. Kjo ka qenë vendimtare si masë shumë efikase kundërepidemike, ku masa dërrmuese e popullatës u vendos në izolim. Sa i përket virusit korona, kemi të bëjmë me një virus krejtësisht të ri për shkencat mjekësore e shumë të rrezikshëm, që ka kapluar gjithë globin, me mbi 1.5. milion të sëmurë, me rreth 82.000 të vdekur dhe me 301.649 ose 21% të shëruar edhe në shtetet më të fuqishme të botës. Në Kosovë deri sot janë regjistruar 224 të sëmurë 37 të shëruar dhe 5 raste të vdekjeve për fat të keq.
Zëri: Kemi parë që qytetarë të shumtë po vazhdojnë të dalin në vende publike, me ç’rast edhe nuk po mbajnë distancën e duhur. Sa është shqetësuese një gjë e tillë? Sa mund të ndikojë kjo në përhapjen më të shpejtë të virusit?
Dedushaj: Paraqesin rrezik shumë të lartë për përhapjen e sëmundjes dhe këta bartin përgjegjësin morale dhe ligjore në përhapjen e sëmundjes. Vërtet është e pakuptueshme se sa janë disa njerëz të papërgjegjshëm. Mendoj se duhet urgjentisht të aplikohen masat ndëshkuese, që i parasheh Ligji mbi Sëmundjet Ngjitëse, të cilat rrezikojnë gjithë vendin.
Zëri: Cilat janë javët më të rrezikshme kur mund të shpërthejë kjo pandemi në Kosovë?
Dedushaj: Ditët në vijim e deri nga fundi i prillit. Në këtë javë, në javën në vijim dhe në javën e tretë të muajit pritet të arrihet piku epidemik dhe pastaj numri i të sëmurëve do filloi të bjerë, duke u bazuar në ecurinë e sëmundjes në vendet tjera.
Zëri: A është e nevojshme që edhe gjatë muajit maj qytetarët të rrinë të izoluar, si masë për t’u mbrojtur nga ky virus?
Dedushaj: Besoj se gjatë muajit maj numri i të prekurve do të fillojë të bjerë dhe gradualisht disa masa do të tërhiqen dhe do t’i kthehemi jetës normale.
Zëri: A po kryhen mjaftueshëm testime nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për të detektuar rastet e infektuara?
Dedushaj: Deri sot në IKSHPK janë kryer mbi 2.300 teste të personave të dyshimtë, të kontakteve direkte ose indirekte dhe të personave që kanë ardhur nga vendet ku zhvillohet pandemia dhe 7,6% kanë rezultuar pozitivë e kjo flet se është bërë një punë shumë e mirë. Tani Instituti ka numër të mjaftueshëm të testeve dhe preferohet që pos personave të kontaktit e atyre në karantinë, të fillohet me testime të punëtorëve shëndetësorë, që janë të lidhur drejtpërsëdrejti me pacientët, me shërbimet e urgjencave, të Radiologjisë dhe të atyre që punojnë në dializë. Janë testuar një numër i madh i punëtorëve të kujdesit parësor, që kanë qenë në kontakt me të sëmurët, por në vazhdim duhet të përfshihen edhe grupe tjera të caktuara të punëtorëve shëndetësorë në tri nivelet.
Zëri: Sa mund ta menaxhojnë situatën punëtorët shëndetësorë në rast të shtimit të rasteve me këtë virus, duke u bazuar edhe në numrin e vogël të këtyre punëtorëve?
Dedushaj: Tani për tani situata është duke u menaxhuar mirë dhe është një fat i mirë që mjekët dhe infermieret janë të paprekur nga sëmundja (pos 5 infermierëve dhe një mjeku), ndërsa në botë situata është ndryshe, ku edhe mjekë dhe infermierë kanë përfunduar fatalisht. Besoj se kapacitetet tani për tani janë të mjaftueshme e në rast keqësimi do të shfrytëzohet edhe Klinika e Pulmologjisë, e Dermatologjisë, por edhe klinikat tjera.
Zëri: Disa punëtorë shëndetësorë tashmë janë izoluar për shkak të dyshimeve se mund të jenë infektuar gjatë trajtimit të pacientëve. A janë të mjaftueshme pajisjet mbrojtëse që u janë ofruar atyre për t’u mbrojtur nga infektimi me këtë virus?
Dedushaj: Për fat të mirë në Kosovë kanë arritur ndihma nga OBSH-ja, UNICEF-i e BE-ja, por edhe nga donatorët vendorë. Është për t’u përshëndetur angazhimi i disa grave humaniste në qepjen e maskave, por edhe atyre pedagogëve dhe studentëve që po përgatisin maska dhe aparatet për oksigjenim. Nevojat për pajisje janë të shumta, por edhe mjetet e ndara nga Qeveria janë për t’u përshëndetur.
Zëri: Sa mund të na dalë nga duart menaxhimi i situatës në rast se një numër i madh i infektologëve infektohen me COVID-19?
Dedushaj: Ky opsion do të ishte i tmerrshëm, sepse në shumë vende të botës kjo ka ndodhur, por duke e parë situatën e deritashme kjo nuk ndodhi, pastaj përvoja e madhe më sëmundjet ngjitëse shumë të rënda në Kosovë ka bërë që infektologët dhe epidemiologët e Kosovës kanë krijuar një përvojë të madhe se si të mbrohen në këto kushte të jashtëzakonshme.
Zëri: A janë të mjaftueshme masat e marra nga Qeveria për menaxhimin e gjendjes dhe për ndaljen e përhapjes së koronavirusit të ri?
Dedushaj: Është një grup i madh i ekspertëve të lëmenjve të ndryshëm dhe të institucioneve shtetërore që kanë bërë një punë shumë me vlerë në menaxhimin e kësaj situate. Qëndrimet e Qeverisë në zbatimin e këtyre masave të propozuara janë bërë me përpikëri dhe rezultatet po shihen. Unë kam një porosi miqësore për disa politikanë të Kosovës që të mos marrin rolin e epidemiologëve ose të infektologëve të flasin për COVID-19, por t’i bashkëngjiten përkrahjes morale të çetës së mantelbardhëve në tejkalimin e kësaj fatkeqësie, që ka pllakosur sot botën. Unë prej ditës së parë si person apolitik dhe epidemiologu i parë i vendit kam apeluar dhe sërish apeloj se sot në Kosovë ka vetëm një parti politike dhe ajo është lufta e përbashkët si ta mbrojmë popullin nga kjo fatkeqësi.
Zëri: Dimë që zakonisht viruset largohen me rritjen e temperaturave. A do të thotë se me ngritjen e temperaturave do t’i vijë fundi koronavirusit?
Dedushaj: E ceka në fillim se ky është një virus i ri, shumë gjëra rreth tij nuk dihen dhe shkenca mjekësore po përpiqet që t’i zbulojë. Po punohet në zbulimin e një vaksine efikase ose medikamenti, që do të kishte efekte në parandalimin dhe në mjekimin e kësaj sëmundjeje, por duhet pritur. Temperaturat e larta do të kenë ndikim në eliminimin e virusit jashtë organizmit në ambientet e jashtme. Besoj se gjatë muajve të verës do të stabilizohet situata dhe dashtë Zoti që të mos futemi me këtë virus në vjeshtën dhe në dimrin e vitit të ardhshëm, sepse atëherë vërtet kjo sëmundje do të shkaktojë probleme edhe më të mëdha për shëndetin global./ Gazeta FAKTI