• Today is: Sunday, November 24, 2024

NA LA RAMIZ LLAPATINCA, ATDHETARI, PIKTORI, I URTI E I PALODHURI

EA
April09/ 2020

Ramiz Llapatinca u lind në një fshat të rrethit të Therandës, në Kosovë. Gjimnazin e kreu në Prizren, ndërsa shkollën e lartë në Universitetin e Prishtinës, degën e arteve figurative. Më 1976, erdhi në Shtetet e Bashkuara për të thelluar studimet në fushën e artit ku mori magjistraturën në Universitetin Montclair në New Jersey.

 

 

 

Nga Vehbi Bajrami

Ramiz Llapatinca, atdhetari, piktori, i urti, i palodhuri në veprimtarinë kombëtare në Amerika, paska vdekur. Na la Ramizi, miku im për shumë vjet, bashkëpunëtori i ngushtë i gazetës “Illyria”, njeriu i urtë që në çdo fjalë rrezatonte mirësi, urtësi e dituri…
Ky është një lajm tepër i hidhur për familjen e tij, për komunitetin e për të gjithë ata që e njohën e punuan me të për Kosovën në Klubin Kombëtar “Jusuf Gërvalla” e në organizime të tjera.
Veprimtaria e tij e çmuar ka merituar shumë më tepër vlerësim e njohje. Për punën e tij si piktor, krijues e artist, ndoshta do të nevojitet një shkrim më vete, por për angazhimin e tij politik në lobim për kauzën e Kosovës, sidomos në vitet e rënda 1980, vijon më poshtë intervista e tij e parë e plotë, në vitin 2002, e ribotuar këtu, nga libri im “Shqiptarët e Amerikës”.

 

Intervistë me Ramiz Llapatincën, ish-drejtues i Klubit Kombëtar “Jusuf Gërvalla”, në New York, botuar në librin“Shqiptarët e Amerikës”

Vendin amë e kemi dashur dhe e duam pavarësisht nga sistemi dhe regjimi

Në këtë intervistë ai flet për herë të parë për veprimtarinë e Klubit “Jusuf Gërvalla”, në Amerikë, në vitet e 1980-a, të shekullit të kaluar.

 

Na la Ramiz Llapatinca, atdhetari, piktori, i urti e i palodhuri ...
Ramiz Llapatinca, Boston, 1980.
(Marrë nga libri “Shqiptarët e Amerikës”

 

Si është i organizuar komuniteti shqiptar kur erdhët në Amerikë?

Kur erdha këtu në fillim, nuk njihja njeri e nuk kisha kontakte me ndonjë shoqatë. Më vonë u njoha me disa bashkatdhetarë kryesisht në tubimet që organizoheshin në Misionin e Shqipërisë në OKB. Pas demonstrative të vitit 1981, fillova të aktivizohem në veprimtaritë për të ndihmuar Kosovën. Siç u thashë, u lidha më Misionin e Shqipërisë në OKB, sidomos me Ilia Jankun, sekretar i parë i Misionit, i cili më thërriste sa herë që kishte veprimtari.

Një ditë më mori në telefon Marjan Shabani, të cilin nuk e kisha njohur e takuar ndonjëherë. Më thotë se kishte biseduar me Gjeto Sinishtajn dhe Tahir Kërrnajën. Ky i fundit kish propozuar që unë meqënëse kisha mbaruar arsimin e lartë të angazhohesha për hapjen e një shkolle shqipe në New York, së bashku me Marjan Shabanin, Gjergj Gegën, dhe Prelë Sinishtën. Shkolla u hap më 1982, në Bronx, Brooklyn, dhe Queens. Unë dhe Gjergj Gega ishim mësues në Bronx, me rreth 100 nxënës, në Brooklyn Prelë Sinishtaj, ndërsa në Queens, Marjan Shabani me rreth 60 nxënës, të dyja. Shkolla filloi punën dhe kishte shumë sukses. Në këto shkolla, për disa vjet, mësohej shkrim-këndimi, historia, gjuha e traditat tona kombëtare. Pas dy vitesh unë u detyrova të tërhiqem për t’u angazhuar me Klubin Kombëtar “Jusuf Gërvalla”, i themeluar në New York, në fillim të viteve 80, të shekullit të kaluar. Më 1984, u zgjodha kryetar i Klubit.

 

Si ishte i organizuar klubi në atë kohë?

Klubi, natyrisht, si çdo institucion që e nis nga fillimi, nuk ishte organizuar siç do ta dëshironim ne, por vullneti i anëtarëve të tij, atdhedashuria e dëshira e tyre për të ndihmuar Kosovën ishte e papërshkrueshme. Ne me Kosovën nuk nënkuptonim vetëm thjesht atë hapësirë që lidhej me këtë emër si nocion gjeografik por  të gjitha trojet tona etnike në ish-Jugosllavi. Ishte një gjë e mrekullueshme kur dëgjoje shqiptarët e Malit të Zi apo të Maqedonisë, që e quanin veten kosovarë. Në fillim, numri i anëtarëve ishte i vogël. Me kalimin e kohës, duke u njohur me veprimtarinë e klubit, numri i anëtarëve dhe i përkrahësve filloi të rritet duke arritur deri në 330 anëtarë të regjistruar. Gjatë viteve 1984-1990, në diasporën e Amerikës, ne ishim grupi që kishte mbështetejen më të fuqishme të komunitetit. Qendra e Klubit ishte në New York, ndërsa nëndegët vepronin edhe në Detroit, Chicago, Dallas e Toronto të Kanadasë. Degët e Detroit-it dhe të Chicago-s ishin më të organizuara e binin më tepër në sy ndaj edhe shtypi jugosllav ka botuar faqe të tëra me artikuj kundër tyre.

 

Cili ishte programi i klubit?

Klubi u themelua me një qëllim: të solidarizohej me kërkesat e popullit shqiptar të Kosovës e të shqiptarëve që jetonin në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë të publikuara në demonstratat e vitit 1981. Veprimtaria e klubit filloi nga një grup i vogël i aktivistësh, kryesisht nga Malësia e Madhe si shoqatë kulturore-artistike me emrin “Naim Frashëri”. Pas ca kohe, para se të regjistrohej zyrtarisht, me propozimin e Bashkim Spahos, zyrtar i Misionit të Shqipërisë në OKB, mori emrin Klubi Kombëtar “Jusuf Gërvalla”. Me këtë rast, përmend disa nga nisiatorët e themelimit të tij: Nua Camaj, Bruno Selimaj, Gjergj Dedvukaj, Prelë Camaj, Pjetër Berisha, Gjergj dhe Gjyste Kalaj, Pjetër Shkreli, Nikollë Berishaj, Ismail Gjonbalaj, Zefë Kalaj, Rrok Nikçi etj. Në shtëpinë e këtij të fundit, u vendos edhe selia e klubit. Dua të përmend gjithashtu kontributin e jashtëzakonshëm të grave të klubit si: Gjyste Kalaj, anëtare e Këshillit të Klubit, Prena Camaj, Kumrije Selimaj, Gjyste Ivezaj, Nurije Rugova etj.

Radiostacioni “Zëri i Malësisë” nën udhëheqjen e Gjeto Sinishtës, ka qenë zëdhënësi kryesor i klubit tonë. Për më tepër mund të themi se ky radiostacion ka qenë zëri i gjithë Kosovës, në New York dhe ka pasur një auditor shumë të madh, ndoshta më të madhin e mjeteve të tilla të informimit, në historinë e diasporës sonë.

 

Cilat qenë veprimtaritë kryesore të klubit?

Veprimtaria jonë kryesore ka qenë organizimi i demonstratave e protestave të tjera para Kombeve të Bashkuara, para Misionit të ish-Jugosllavisë, para Shtëpisë së Bardhë e para Kongresit, ndërsa në Chicago e Detroit, para konsullatave të Jugosllavisë. Ne e patëm shtrirë aktivitetin deri në Australi, ku me ndihmën tonë u organizuan edhe atje disa demonstrata anti-jugosllave që patën jehonë tek qeveritarët dhe në shtyp. Po kështu, edhe në Toronto të Kanadasë. Kemi shkruar peticione e memorandume dhe ua kemi dërguar Kombeve të Bashkuara, Shtëpisë së Bardhë, Kongresit Amerikan, qeverisë jugosllave e qeverive të tjera. Në to kemi evidencuar me dokumente shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë; kemi shpjeguar kërkesat e drejta të shqiptarëve për të qenë të barabartë në ish-Jugosllavi, kemi kërkuar që statusi i Kosovës të jetë i njëjtë me republikat e Jugosllavisë e të tjera. Pjesë e veprimtarisë sonë kanë qenë edhe koncertet me muzikë shqiptare; takimet e drejtpërdrejta me komunitetin ku kemi folur për situatën në trojet tona etnike në Jugosllavi; organizimi i pikniqeve, kremtimi i festave kombëtare, madje edhe i shfaqjeve teatrale. Vlen të përmendet një grup muzikor amerikan nga Los Angeles me emrin shqiptar “Drita”, i udhëhequr nga Jan Price, i cili më 1988, në New York dha disa koncerte me muzikë në gjuhën shqipe. Më vjen keq, që sot nuk e di nëse ky grup muzikor që u prit aq mirë nga bashkatdhetarët tanë vazhdon të ekzistojë akoma apo jo.

Nën ombrellën e Klubit tonë gjatë viteve 1985-1990 kanë zhvilluar veprimtari të suksesshme edhe Klubi Futbollistik “Kosova ‘81”, Ansambli Kulturoro-Artistik “Dedë Gjo’ Luli” si dhe Shoqata Kulturore-Artistike nga Kraja, në New York. Për çdo aktivitet ne jemi munduar të japim maksimumin e mundshëm për t’i dhënë komunitetit atë që dëshironte. Jo vetëm kaq, por pas çdo veprimtarie bënim analizimin e saj. Është me interes të vë në dukje se komunitetit nuk i kemi kërkuar kurrë kontribute materiale. Mërgimtarët, burra, gra e fëmijë vinin vetë e na ofronin ndihmë. Shqiptarët e Malësisë kanë qenë forca motorike kryesore e klubit tonë. Ata ishin jo vetëm me numër më shumë, por dhe nga ana gjendja materiale më mirë. Dhe, më e rëndësishmja, më të predispozuar për të ndihmuar.

 

Ç’mund të na thoni lidhur me demonstratat e organizuara me iniciativën e klubit tuaj?

Më 1989, kur minatorët e Trepçës u futën në thellësitë e nëntokës dhe u betuan se nuk do të dilnin jashtë pa u përmbushur kërkesat e tyre, ne organizuam një demonstratë të fuqishme para Kombeve të Bashkuara ku morën pjesë rreth 15 mijë veta. Rrugët përpara ndërtesës së OKB-së u bllokuan. Kolona e gjatë që nuk i shihej fundi, vazhdoi marshimin prej disa orësh deri te Misioni i ish-Jugosllavisë. Ajo që na bëri përshtypje ishte sjellja dashamirëse e policisë së New York-ut, e cila na bëri me shenjë se ne mund t’i kalonim edhe barrikadat që kishte vënë vetë ajo, që të bllokohej e gjithë rruga ku po marshonim. Kuptohet se ajo nuk e bënte me të gjithë këtë, pasi ne e ndjenim se na shikonte me simpati, sepse kemi qenë gjithmonë të rregullt e të disiplinuar dhe qe e njohur me kërkesat tona të drejta.

Një herë, në mes të Avenusë së Tretë, parkuam një makinë dhe këngëtarja jonë, Dila Gecaj, hipi mbi të dhe filloi të këndonte këngë patriotike. Policët u ndalën dhe po ndiqnin skenën që improvizuan krejt spontanisht shqiptarët. Detyra e tyre ishte që të ndërhynin por edhe atë ditë, siç e thashë, ata ishin me ne. Jehona e këngës shqiptare shpërndahej tutje ndërtesave të larta, në skajet më të thella të Manhattan-it. Ajo pjesë e qytetit gjigand pothuajse u paralizua. Kalimtarët e rastit pyesnin “Ç’po ndodh sot në Manhattan?” Si përgjigje merrnin memorandumet për Kosovën, i lexonin e pastaj pyesnin të habitur: “Si është e mundur të ndodhë kjo sot në Europë?” Të gjitha mjetet e informimit njoftoheshin me kohë disa ditë para zhvillimit të demonstratave, por fatkeqësisht në atë kohë, Amerika kishte marrëdhënie të mira me Jugosllavinë dhe gazetarët amerikanë nuk u jipnin vendin dhe vlerësimin e merituar demonstratave tona. Kjo na detyroi që për t’i publikuar memorandumet tona në mjetet amerikane të informimit të parapaguanim. Gjatë viteve 1988-1989, në gazetën “The New York Times” jemi detyruar të paguajmë dhjetëra mijëra dollarë për të botuar disa artikuj. Memorandumet tona i botonim zakonisht në faqet më të lexuara të gazetës, ndaj dhe na kushtonin më shtrenjtë. Më 1988, unë dhe Skënder Perolli patëm një takim me Paula Dobrisaky-n, zyrtaren e lartë në Departamentin e Shtetit të Amerikës. Ajo na tha se mënyra më e mirë për të tërhequr vëmendjen e politikanëve dhe të opinionit amerikan e botëror është që të vazhdoni të botoni artikuj në gazetën “The New York Times”.

 

Ç’biseduat tjetër me zonjën Dobriansky?

Në takimin me të merrnin pjesë edhe James Swyheart, përfaqësues i Amerikës për Evropën Lindore dhe Bashkimin Sovietik si dhe me James Hooper. Këtij të fundit i interesonin më shumë gjendja në Shqipëri dhe raportet e Washington-it me Tiranën se sa situata në Kosovë. Më kujtohet një moment kur m’u drejtua mua: “U thuaj miqve të tu, – fjalën e kishte për diplomatët e Misionit të Shqipërisë, – se zhvillimet që do të ndodhin në Lindje, do të habisin edhe ata vetë, se kanë filluar të fryjnë erërat e demokracisë në këtë pjesë të botës, se Shqipëria e ka rastin të dalë e para nga kjo situatë. Amerika nuk ka kurrfarë pretendime për t’u përzierë në punët e brendshme të Shqipërisë. Ajo dëshiron vetëm që të ketë marrëdhënie miqësore me Tiranën”.

“Shqipëria ka qeverinë, ushtrinë dhe institucionet e veta, – i thashë, – dhe unë nuk përfaqësoj shtetin shqiptar. Kam ardhur këtu për Kosovën. Megjithatë do të përpiqem që porosinë tuaj ta përcjell tek diplomatët e Misionit”. Dhe në fakt, ua thashë që në takimin e parë që pata më vonë me ta. Por, për fat të keq, mesazhin e zyrtarit të lartë amerikan, me sa m’u duk mua, diplomatët e Misionit e morën si kërcënim. Për të larguar çdo keqkuptim të mundshëm u thashë se po kryeja thjesht një porosi.

 

Keni pasur takime të tjera në Departamentin e Shtetit?

Po, më vonë, bashkë me Bruno Selimajn e Skënder Perollin patëm edhe një takim tjetër. Zyrtarët amerikanë edhe kësaj radhe përsëritën kërkesat e tyre.

 

Po takime të tjera në Washington a keni pasur?

Është interesant të tregoj edhe për nja-dy takime të tjera. Më 1988, bashkë me Skënder Perollin, takuam kryetaren e Shoqatës botërore të avokatëve. Në takimin e parë që pata me avokaten amerikane që faktkeqësisht nuk më kujtohet emri, gjatë bisedës e pyeta nëse kishte dëgjuar për mjete të përdorura të sterilizimit. “Po”, u përgjigj ajo menjëherë. “janë përdorur për herë të parë në luftën e Zambias, se fëmijët po vdisnin nga uria. Për të parandaluar këtë gjendje u përdorën mjete kundër lindjeve”, tha ajo. Pas një pushimi të shkurtër m’u drejtua: “Pse ma bëni këtë pyetje?” “Flitet se edhe në Kosovë po përdoren mjete sterilizuese kundër nxënësve të shkollave të mesme”, i thashë unë, por ajo nuk më la të mbaroja dhe reagoi ashpër. “Këtë nuk e bëjnë serbët. Ata janë populli më i mirë në Ballkan. Unë sapo u ktheva nga Beogradi, prej nga është edhe burri im.” Pas kësaj, u ndamë shumë ftohtë me të dhe nuk u takuam më.

Një takim tjetër interesant e kemi patur me përfaqësuesin e Kongresit Amerikan në OSBE, Bob Hand. “Topi është në fushën tuaj”, na tha ai. “Nëse dini të luani lojën, do të fitoni. Nëse jo, do të ngelni aty ku jeni”.

Ne i kërkuam atij të ndërhynte për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë si dhe intelektualëve që kishin nënshkruar memorandumin kundër ndërrimit të Kushtetutës së Kosovës, i njohur me emrin “apeli i intelektualëve”.

Ne luftonim me çdo mënyrë që zëri ynë të dëgjohej sa më shumë në administratën amerikane, e cila atëherë akoma nuk shfaqte shumë interes, për kërkesat tona. Bashkëpunimi ynë me Senatin dhe Kongresin tashmë qe shumë i mirë, por Departamenti i Shtetit vazhdonte në qëndrimin e vet ndaj Jugosllavisë që për ne ishte i gabuar dhe i papranueshëm. Për organizimin e demonstratave ne kishim një strategji të caktuar. Sa herë që mbahej ndonjë mbledhje në Beograd për cungimin edhe të atyre pak të drejtave që kishin shqiptarët, ose kur burgoseshin aktivistët apo kur Kosovës iu hoq autonomia etj, përgjigjeshim me demonstrata.

 

Çfarë aktivitetesh të tjera të klubit mund të përmendni?

Një herë në vit organizonim pikniqe në parkun e njohur të New York-ut “Anthony Wayne Recreation Park” ku vinin mijëra vetë. Ata mezi që prisinin të takonin njëri-tjetrin e të kërcenin valle shqiptare. Në piknikun e parë që organizuam në 1984, në “Bear Mountain Park”, na ndodhi një keqkuptim i vogël me policinë meqënëse nuk kishim kërkuar leje. Aty nga mesi i ditës, erdhi policia dhe kërkoi të bisedonte me organizatorët. Por, kur panë gjithë ata shqiptarë të veshur me kostume kombëtare, që këndonin e vallëzonin aq të gëzuar në natyrën e bukur, u erdhi keq dhe nuk ndërhynë. “Megjithëse nuk keni leje dhe është rreptësisht e ndaluar të organizoni pikniqe me muzikë në këtë vend, duke parë atmosferën e gëzuar dhe kënaqësinë me të cilën po e përjetoni këtë ditë, kësaj radhe nuk do t’ju bezdisim. Vazhdoni siç keni filluar! Por, herën tjetër, ju lutem na lajmëroni për të marrë leje dhe do t’ju gjejmë një vend tjetër ku është e lejuar muzika”, tha përgjegjësi i policisë. Këngët, vallet dhe hareja që sundonte aty tërhoqën edhe shumë amerikanë, të cilët u bashkuan me ne. Bile disa hynë në valle dhe qëndruan aty deri vonë. Atë ditë ishte me ne edhe veprimtari kroat, Mate Meshtroviq, një anti-jugosllav i përbetuar dhe luftëtar i zjarrtë për të drejtat e popullit të vet. “Kjo që po bëni, – tha ai, – është me të vërtetë diçka e bukur, ju lumtë! Populli shqiptar është i mrekullueshëm dhe unë jam i sigurtë se një ditë do t’i fitojë të drejtat e veta”.

Një aspekt tjetër i veprimtarive të Klubit ka qenë pjesëmarrja e aktivistëve tanë në gëzimet dhe hidhërimet familjare të bashkatdhetarëve tanë. Në disa raste, i kemi ndihmuar edhe materialisht ata që nuk i mbulonin dot shpenzimet e të tilla ceremonive.

 

Meqë përmendët më parë z. Meshtroviq, keni pasur ndonjë bashkëpunim tjetër me të?

Pata rastin ta takoj përsëri në pranverë të vitit 1988, në restorantin “Toscana”, pronë e vëllezërve Bitiçi, në pritjen e organizuar për nder të senatorit Larry Pressler. “Ua kam zili mënyrën se si jeni organizuar ju shqiptarët dhe sa thellë keni depërtuar në një kohë kaq të shkurtër në Kongresin dhe Senatin Amerikan”, tha veprimtari kroat. Ne, vazhdoi ai, ndonëse prej vitesh kemi shpenzuar shuma të pallogaritshme dollarësh, nuk jemi as afër dyerve të Senatit e Kongresit.

Me emigracionin antijugosllav kroat nuk kemi pasur ndonjë bashkëpunim të ngushtë sepse kërkesat e tyre ishin të ndryshme nga tonat.

 

Po me mërgimtarët tanë në Evropë a keni bashkëpunuar?

Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, e themeluar nga Jusuf Gërvalla me shokë u nda në dy pjesë. Madje filluan të botohen edhe dy gazeta me të njëjtën emër. Në u gjendëm përpara një dileme e nuk dinim si të vepronim. Vendosëm të mos merrnim krahun e asnjërit. Ky ishte hapi i parë. Hapi i dytë ishte ndërprerja e çdo bashkëpunimi me këto dy grupe.

Megjithatë, disa anëtarë të klubit tonë vazhduan të mbanin lidhjet me udhëheqësit e tyre. Por, ato ishin lidhje personale e jo të klubit. Ne si klub vendosëm që deri sa lëvizja e përçarë në dysh të mos bashkohej, nuk do të përkrahnim asnjërën e as tjetrën. Përçarja në Evropë pati pasoja negative edhe në klubin tonë. Disa prej anëtarëve dolën nga klubi dhe themeluan një shoqatë të re.

Aktivistët që drejtonin ato nuk kishin qendrime të qarta, manipulnin me mërgimtarët tanë dhe një pjesë e tyre, madje, kishin biografi të dyshimta. Fatkeqësisht, në radhët e “Lëvizjes Popullore për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”, në Evropë, ishin futur disa individë për ta shkatërruar veprimtarinë e kësaj orgnizate që i kishte futur Jugosllavisë frikën e tmerrin.

 

Ka qenë ky një numër i madh?

Fatmirësisht nuk ka qenë numri i madh por pasojat e veprimtarisë së elementeve të tillë reflektohen edhe sot.

 

Në çfarë mënyre?

Po ata njerëz që ishin futur në lëvizje, jo për ta ndihmuar, por për ta shkatërruar atë, vazhduan edhe më vonë, si psh gjatë luftës së Kosovës, me maskën e patriotizmit të futen në radhët e Lëvizjes, duke përfituar shuma të mëdha materiale.

 

Cilët janë ata?

Kësaj radhe kam vendosur të mos përmend emra, sepse një pjesë e tyre u përpoqën të zënë vagonin e fundit të trenit, dhe, në një mënyrë apo një tjetër, ndihmuan. Ata u përpoqën të përmirësonin biografinë e tyre me disa shërbime të dobishme për çështjen tonë.

 

Çfarë qendrimi konkret keni mbajtur ndaj regjimit në Shqipëri?

Për ne shqiptarët në ish-Jugosllavi, Shqipëria ka qenë dhe mbetet shteti ynë amë. Ne e identifikonim atë me atdheun tonë, pavarësisht çfarë regjimi kishte. Ne duhej të zgjidhnim një nga këto dy rrugë: ose me Beogradin ose me Tiranën. Ne zgjodhëm rrugën e dytë. Dhe besoj se kjo ishte zgjedhja më e mirë. Shqipërinë e donim ashtu si fëmija që do prindin e tij, sido që të jetë. Ne nuk ishim komunistë apo marksistë e leninistë. Ne kishim në zemër çështjen kombëtare. Dhe nuk ishte punë e mençur që t’i vërsuleshim Tiranës zyrtare. Ne kishim punë me Beogradin.

 

Gjykuar nga distanca kohore, a do të vepronit po në atë mënyrë si keni vepruar atëhere?

Pa dyshim. Unë mendoj se kemi vepruar në mënyrën më të arsyeshme. E theksoj edhe njëherë se ishte fat i madh që kishim një ambasadë shqiptare në OKB, një derë të hapur ku mund të hynim e të qanim hallet se askush tjetër nuk e dëgjonte vajin tonë. Dhe më e rëndësishmja: ne nuk e ndjenim veten të vetmuar. Gjithmonë shpresat tona i mbështesnim te shteti shqiptar, shtet i njohur ndërkombëtarisht, në sajë të të cilit edhe ne, në trojet e okupuara, njiheshim si komb, si shqiptarë. Po të mos ishte Shqipëria, merreni me mend se ç’mund të ndodhte me shqiptarët e Kosovës. Më kujtohet një kroat, i cili gjithmonë më thoshte: “Ju shqiptarët e keni më lehtë se ne, sepse keni një shtet që njihet në botë, pra keni ku mbështeteni”. Po të mos ishte Shqipëria, rrezik që lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Beogradit të ishin shumë më të zbehta, ose ndoshta nuk do të zhvilloheshin fare. Unë, personalisht, pa marrë parasysh se çfarë sistemi kishte Shqipëria, kurdoherë do të kërkoja mbështetje nga Tirana.

Kontaktet tona kanë qenë të mira e të herëpashershme. Atëherë Misioni kishte diplomatë të përgatitur dhe me ne kishin sjellje shumë korrekte. E përsëris, se kjo na forconte bindjen se nuk jemi vetëm, por kemi Shqipërinë që na mbështet. Ka pasur raste që kemi kërkuar këshilla tek ata dhe përgjigjia e tyre ishte e prerë: “Ju duhet t’i zgjidhni problemet duke pasur parasysh interesin e përgjithshëm kombëtar”. Mirëpo, ndodhte që përgjigjet e diplomatëve për këtë apo atë çështje të mos ishin të njëjta. Për shembull, një diplomat shqiptar me mua e shtronte problemin ndryshe, ndërsa një diplomat tjetër, me një aktivist tjetër të klubit, jepte mendim tjetër, për të njëjtën çështje. Megjithatë, në rrethet e ngushta, diplomatët shqiptarë i përkrahnin të gjitha kërkesat tona.

 

Po në forumet e OKB-së çfarë qendrimi mbanin ata?

Ata flisnin si diplomatë…

 

Me cilët prej tyre keni bashkëpunuar më shumë?

Pothuajse me të gjithë. Më shpesh jam takuar me Mikel Gjikën. Ai kishte një natyrë të qetë dhe gjithëherë i buzëqeshur, i këndshëm në bisedë dhe analist i thellë i situatave politike. Gjithmonë më thoshte se Kosova do të fitojë dhe mundi juaj nuk do të shkojë kot. Punonjësi që ka qenë më afër nesh, pra edhe më afër Kosovës, ishte Bashkim Spaho. Ai qëndroi i tillë deri në fund të luftës së Kosovës. Kur ishte mes nesh nuk sillej si diplomat, por si të ishte një bashkatdhetar yni. Përpiqej t’i ndante me ne hallet dhe gëzimet. Bashkim Spaho tani banon në Amerikë. Nuk duhet harruar edhe kontributi i Roland Llupës.

 

Tek një pjesë e madhe e diasporës, sidomos e asaj që ka qenë kundër regjimit të Enver Hoxhës, ka mendime se ju keni qenë të mashtruar nga Misioni i Shqipërisë…

E thashë edhe më lart se ne e kemi parë dhe e kemi dashur Shqipërinë si atdhe dhe qytetarët e saj i kemi konsideruar si vëllezërit tanë. Ne asnjëherë nuk e kemi vlerësuar Shqipërinë si shtet komunist ose për marksizëm e leninizëm që mbronte udhëheqja e saj. Ne kishim nevojë për mbështetje dhe u detyruam të kërkonim ndihmën e diplomatëve shqiptarë. Unë mendoj se të mashtruar kanë qenë ata që besonin në politikën jugosllave, e që kishin për lider Titon e më vonë Millosheviçin, ata që sulmonin me gjithë forcën sistemin e Tiranës, për të mbështetur regimin e Beogradit. Disa prej tyre më vonë e kuptuan se kishin qenë në rrugë të gabuar. Më e keqja është se ka akoma shqiptarë që e kanë në zemër sistemin e ish-Jugosllavisë. Dhe nuk është e vështirë për t’i njohur ata, shiko si flasin, tërë mllef, përbuzin, e zhvlerësojnë çdo arritje në Shqipëri dhe në Kosovë.

 

Si ka qenë bashkëpunimi i klubit me shoqatat e tjera të komunitetit?

Marrëdhëniet tona kanë qenë të mrekullueshme me të gjithë ata që kanë qenë kundër Jugosllavisë. Me ata që nuk u ka interesuar çështja e Kosovës, por kanë pasur si qëllim kryesor rrëzimin e qeverisë së Shqipërisë, nuk kemi pasur marrëdhënie. Kjo nuk do të thotë se kemi qenë kundërshtarë. Jemi munduar të bashkëpunojmë me të gjithë. Unë personalisht kam biseduar me drejtuesit e të gjitha shoqatave, mirëpo një pjesë e tyre nuk janë bashkuar me veprimtaritë tona.

Në qershor, 1989, para Senatit Amerikan, u jam drejtuar të gjithë bashkatdhetarëve shqiptarë me një thirrje për bashkim. Një vit më parë qe bashkuar me ne Fondi i Përbashkët Shqiptar, me qendër në Paterson (New Jersey) që drejtohej nga Faik Istrefi, i cili gjatë aksionit “Familja mban familjen” për disa muaj ndihmoi materialisht 20 familje të Kosovës, siç kishin bërë përpara tij edhe Zekë Kalaj dhe Metë Lulaj.

Ky fond ka dhënë një ndihmë të madhe edhe për aktivitetet tona.

 

A mund të na thoni edhe diçka më shumë për bashkëpunimin tuaj me zyrtarët amerikanë?

Takimet tona me zyrtarët amerikanë kanë filluar që nga viti 1985. Takimi ynë i parë ka qenë me ish-Senatorin Bob Dole dhe ish-Zv-Presidentin George Bush, në qytetin Rye, të New York-ut. Ata u bashkuan me ne për të mbështetur Joseph DioGuardi-n që të rizgjidhej në Kongres. Ishte hera e parë që George Bush takohej me një grup shqiptarësh. Më vonë, Bob Dole u tha në telefon zotërinjve Jim Xhema dhe Joseph DioGuardi se zoti Bush kishte mbetur tejet i impresionuar nga takimi me shqiptarët. “Unë i kam menduar shqiptarët ndryshe, – kishte thënë z. Bush. – Por tani e pashë se ata janë tamam një popull europian”.

Gjatë takimit, zyrtarët e lartë amerikanë na premtuan se do t’i kenë parasysh kërkesat tona për Kosovën. Me Senatorin Dole vazhduam bashkëpunimin. Ai i qendroi besnik Kosovës deri sa ajo fitoi lirinë. Edhe sot mbetet i dashur për shqiptarët dhe vazhdon të ndihmojë çështjen tonë. Për këtë ka merita Jim Xhema, me të cilin ka marrëdhënie shumë të ngrushta. Shpeshherë e kam dëgjuar duke thënë: “Ju duhet të keni më shumë njerëz si Jim Xhema”.

Vlen të veçohet se klubi ynë ka iniciuar disa dëshmi për Kosovën në Kongresin Amerikan.

 

Së fundi, do të dëshironit të shtonit diçka?

Veprimtaria e klubit “Jusuf Gërvalla” ka qenë aq e madhe sa për të mund të shkruhet një libër me shumë faqe. Fatkeqësisht, tërë kjo është lënë në harresë. Jo vetëm sipas mendimit tim, po edhe të shumë bashkatdhetarëve të tjerë, “Jusuf Gërvalla” ka qenë shoqata më frytdhënëse për Kosovën, në historinë e shqiptarëve të Amerikës. Me këtë nuk dua të mohoj punën e shoqatave dhe individëve të tjerë, por realiteti është ky, i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt. Ndoshta nuk është mirë që këto fjalë t’i them unë, por po e shoh se ata që duhet t’i thonë, po heshtin.

Nga e majta, Prelë Camaj. Nua Camaj, Senatori Bob Dole, Jim Xhema, Joseph DioGuardi, Ramiz Llapatinca dhe Gjeto Sinishtaj, në një fushatë për rizgjedhjen në Kongres të kongresistit DioGuardi. (1987)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>