Paradigma e antishtetit po mundohet të shtrihet në një kauzë false morale, duke e keqpërdorur sistemin e drejtësisë për qëllime politike dhe në funksion të eliminimit të jobashkëmendimtarëve në prag të asaj që dikush ndryshimin e percepton si makth
Nga Emin AZEMI
Në Kosovë po ndodhin dy lloj fushatash në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Në njërën anë partitë politike po bëjnë fushatë duke garuar për më shumë vende në Parlament, kurse në anën tjetër të gjithë janë bërë bashkë (kuca e maca) dhe po e orkestrojnë njëfarë gabel-fushate kundër Albin Kurtit. Kulmi i kësaj fushate u arrit me vendosjen e sanksioneve ligjore kundër kandidimit të tij për deputet.
Kjo i bie, që Albin Kurti duhet të bëhet njëfarë kurbani i demokracisë së rrejshme të Kosovës, e cila gjatë gjithë këtyre viteve ushqeu iluzione boshe se njerëzit edhe kur nuk kishin punë dhe varfëroheshin për çdo ditë, megjithatë kishin shpresë se një ditë gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës do t’ua konfiskojnë pasuritë hajnave të politikës, paçka se zelli i tepërt e shtetarëve abuzues kishte aftësuar makinën e mjerimit që prodhonte mijëra raste sociale në Kosovë.
Dikush që nuk e njeh mjaftueshëm Kosovën dhe zbret për herë të parë në aeroportin Prishtinës, ky lajm i duket tepër kurajoz për një shtet që po vendoska filtra e diga ligjore ndaj personave të penalizuar nga gjykatat. Thjeshtë, vizitorit të painformuar ky lajm ia shton shpresat për të sjellë miliona investime, ndonëse nuk shkon shumë kohë dhe pahetueshëm futet në një merimangë mafioze ryshfetgjinjsh të shtetit (lexo:argatëve të politikanëve të fuqishëm).
Storje të tilla “suksesi” të afaristëve të huaj ka pasur plot në Kosovë brenda këtyre 20 viteve. Ka plotë investitorë të huaj të cilët kanë dashur të derdhin miliona në Kosovë, mirëpo ata janë dëbuar nga politikanët ryshfetgjinjë, të cilët para se të lidhin ndonjë kontratë me investitorët e huaj, e kanë kërkuar përqindjen e tyre.
Për çudi kjo praktikë korruptive dhe kriminale e klaneve mafioze të disa familjeve politikanësh, asnjëherë nuk mobilizoi vetëdijen kritike të medias dhe të shoqërisë civile, çfarë po ndodhë tani me këtë mobilizim kaq skandaloz kundër Albin Kurtit. Prandaj pesha e fitores së tij në zgjedhjet e 14 shkurtit ka rëndësi të shumëfisht: ai po triumfon edhe ndaj politikës së vjetër, por edhe ndaj një mendësie vazale e mercenare që ishte injektuar me vite të tëra në shoqërinë kosovare dhe në një pjesë të mediave të kontrolluara nga oligarkët e ndryshëm.
Ndryshe s’mund të kuptohet paradoksaliteti i një sistemi antishtet, pasi që Albin Kurti, nga një njeri i urryer i sistemit të vjetër, u përdor saora si grep ku shteti dhe instilacionet e tij në KQZ, vari gunën e arnuar të defekteve dhe animoziteteve të krijuara institucionale këtu e disa vite më parë.
Sado që në shikim të parë, sanksionet e vendosura penalizuese (lexo: politike) në prag të zgjedhjeve kundër Kurtit, duke i pamundësuar atij që të kandidohet për deputet, tingëllojnë për një gazetar të painformuar Perendimor si diçka që i shkon shtetit të së drejtës, në esencë ky sanksionim shpërfaq kalbjen e një sistemi i cili kundërshtarin politik (si në rastin e montuar “Syri i Popullit”) mundohet ta kafshojë me dhëmbët e prishur të antishtetit.
Paradigma e antishtetit po mundohet të shtrihet në një kauzë false morale, duke e keqpërdorur sistemin e drejtësisë për qëllime politike dhe në funksion të eliminimit të jobashkëmendimtarëve në prag të asaj që dikush ndryshimin e percepton si makth. Zatën fushata kundër Albin Kurtit burimin e ka pikërisht tek ky makth, sepse njerëzit me ndërgjegje të vrarë do ta kenë vështirë të bëjnë gjumë rehat pas 14 shkurtit.
Nëse deri më tani dorës së drejtësisë i shpëtuan dhjetëra hajna të veshur me pushtet dhe nëse Kosova, edhe përkundër asistencës dhe konsulencës ndërkombëtare, nuk arriti të siguroj një pavarësi kredibile gjyqësore, tani na duket qesharake ta marrim seriozisht vendimin e fundit që penalizon Albin Kurtin në procesin e ardhshëm zgjedhor.
Të gjithë po e kuptojnë se pengesat që po i bëhen Albin Kurtit janë alibira të rrejshme juridike-ligjore, për arsye se prapa krejt kësaj llakërdie juridike-politike qëndron fryma e shtetit të kapur. 14 shkurti mund të jetë fundi i kësaj fryme dhe fillimi i një epoke të re që do të udhëhiqet nga Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe të gjithë njerëzit që guxojnë ti luftojnë cubat zaptues të shtetit.