• Today is: Thursday, April 25, 2024

“Uliksi” i Xhojsit ndryshoi mënyrën sesi e perceptojmë kohën

fakti
January21/ 2021

 Ka ditë kur koha duket se nuk ecën fare, nga ana tjetër ka ditë kur akrepi i orës rrotullohet kaq shpejt sa e kemi vështirë ta ndjekim. Që koha është relative tashmë është një koncept i qartë, veçse nuk ka qenë gjithmonë kështu. Nëse lexojmë një libër vendosur në shekullin XIX, do të shohim se si dimensioni i kohës përfaqësohet në një mënyrë objektive dhe lineare.

Një përvojë kohore krejt e ndryshme na pret, nëse marrim në dorë një libër të Xhejms Xhojsit. Në vazhdën e revolucionit të shkaktuar nga Sigmund Frojdi (dhe zbulimi i pavetëdijes), në fakt, Uliksi i Xhojsit ishte i destinuar, nga dita e botimit më 2 shkurt 1922, të ndryshonte përgjithmonë fatin e letërsisë bashkëkohore.

Sepse ka ndryshuar perceptimi ynë për kohën

Shekulli XX lindi nën shenjën e nxitimit dhe përshpejtimit, efektet e së cilës u ndien edhe në art dhe letërsi. Autorët e mëdhenj të fillimshekullit XX, si Marsel Prusti, Virxhina Ulf dhe Xhejms Xhojs, kthejnë fragmentizmin dhe çoroditjen e së tashmes përmes mënyrave të reja të të shkruarit, të cilat kulmin shprehës e arrijnë me teknikën “përroi i ndërgjegjes”.

Koha ndryshon në varësi të asaj që po përjetojmë

Koha kronologjike dhe lineare e romanit të shekullit XIX zëvendësohet nga një kohë e ndërgjegjes. Personazhet e lindur nga pena e Xhojsit zbulojnë se përvojat e së kaluarës nuk janë vetëm të kaluara, por vendosen në pavetëdije. Pavetëdije nga e cila shfaqen vazhdimisht fragmente të së kaluarës dhe përzihen me të tashmen, në një mënyrë që jo gjithmonë është e vullnetshme. Në të vërtetë, koha e vetëdijes përbëhet nga çaste të padukshme që kalojnë nga njëra tek tjetra dhe formojnë një rrymë që vazhdimisht pasurohet: “përroi i ndërgjegjes”. Në personazhe, koha pëson transformime të rëndësishme: krahas një kohe objektive, kronologjikisht lineare, ekziston ideja e një kohe subjektive, e përjetuar nga vetëdija e personazheve.

 

“Uliksi” i Xhojsit është arketipi i njeriut bashkëkohor

Me një hijeshi të parezistueshme dhe simbol i etjes për dije, Uliksi është heroi me shumë fytyra. Nëse cilësitë e tij pozitive u lartësuan në poezitë homerike, cilësitë negative u theksuan në letërsinë e shekujve në vijim, të tilla si mashtrimi dhe cinizmi, deri në rishkrimin që bëri Xhejms Xhojsi në shekullin XX. Pra, Uliksi bëhet arketipi i bredhërimeve dhe anktheve të përditshme të njeriut bashkëkohor, simboli i një perceptimi të ri dhe revolucionar të kohës.

Për çfarë flet “Uliksi” i Xhoisit

“Uliksi” është historia e një dite, 16 qershor 1904, e një grupi dublinasish. Personazhet kryqëzojnë në dukje rastësore jetën e të tjerëve, përcaktojnë zhvillimin e saj dhe e përshkruajnë atë, përmes një monologu të brendshëm të vazhdueshëm. Protagonisti kryesor, irlandezi hebre Leopold Blumi, nuk është hero apo antihero, por thjesht një njeri mendjehapur e shumë i njerëzishëm, gjithmonë i vëmendshëm ndaj më të dobëtve dhe të ndryshmve, me mirësjellje edhe ndaj atyre që nuk janë të tillë. Protagonistët e tjerë janë intelektuali i ri, brilant, por i zhgënjyer Stephen Dedalus dhe Moli Blum, gruaja e hebreut, mbretëresha e vërtetë e romanit. Në fund, e shtrirë në shtratin e vjetër lëkundës, Moli reflekton – një monolog prej më shumë se njëzet mijë fjalësh pa pikësim, për ditën që sapo ka kaluar, mbi tradhtinë e bashkëshortit, në çdo kujtim të së kaluarës dhe në të ardhmen e mundshme imagjinare. Moli është një grua hijshëm instiktive, por edhe rezistuese ndaj çfarëdolloj forme të karakterizimit kategorik.

 

“Uliksi” është lindja e një epoke të re, vepra e fundit dukshëm e përkryer e shkrimtarit të madh irlandez, i cili gradualisht shndërrohet përmes një proces kristalizimi jashtëzakonisht të rrallë i burgosuri i hermetizmit të tij. Stili i të shkruarit të Xhojsit evoluoi me kalimin e kohës, pra secila prej veprave mund të thuhet se ka stilin e saj të veçantë. Në përgjithësi, të shkruarit shënohet nga një vëmendje e jashtëzakonshme ndaj gjuhës, përdorim inovativ i simbolikës dhe përdorimi i monologut të brendshëm për të portretizuar mendimet dhe ndjenjat e një personazhi. Krijimtaria e Xhojsit përcaktohet edhe nga kompleksiteti i saj. I kushtonte shumë kujdes të shkruarit, madje lexuesit dhe kritikët vërejnë kuptime shumështresore në prozën e tij. Xhojsi iu referua një larmie temash, nga letërsia klasike te psikologjia moderne, për rrjedhojë eksperimentet me gjuhën përfshinin përdorimin e prozës elegante formale, zhargonit dublinas dhe, veçanërisht te “Zgjohuni Fineganë”, përdorimin e termave të huaja, shpesh si lojë fjalësh që mbarin shumë kuptime. Xhejms Xhojsi, poeti dhe dramaturgu irlandez, vdiq më 13 janar 1941 në Cyrih.

Ulysses by James Joyce, Random House (1934) - Fonts In Use