BBC ka publikuar një mori urdhrash ekzekutivë të planifikuar nga Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, sapo të marrë detyrën këtë javë.
Menjëherë pas marrjes së detyrës, Biden planifikon të ndryshojë dekretin për ndalimin e udhëtimeve nga vendet myslimane, të Trump dhe po ashtu pritet t’i ribashkohet marrëveshjes së klimës në Paris, në ditën e tij të parë në detyrë.
Presidenti i zgjedhur gjithashtu do të përqendrohet në bashkimin e familjeve të ndara në kufirin SHBA-Meksikë.
Biden do të inaugurohet të mërkurën, më 20 janar, ndërsa të 50 shtetet amerikane janë në gatishmëri të lartë për dhunë të mundshme, para përgatitjes së ceremonisë së përurimit.
Sapo Biden të vendosi ‘këmbë’ në Shtëpinë e Bardhë, ai ka planifikuar një sërë vendimesh, që do të sinjalizojnë një ndarje të pastër nga administrata e paraardhësit të tij.
Presidenti i zgjedhur pritet gjithashtu të dërgojë një projekt-ligj të madh për imigracionin në Kongres, si dhe të përqendrohet në miratimin e një plani stimulues për të ndihmuar ekonominë e vendit të rimëkëmbet nga koronavirusi.