Tomas Nydal, rrëfen shqiptarët për lexuesin suedez
Intervistoi: Alisa VELAJ
Zoti Nydahl, ju sapo keni botuar për lexuesin suedez librin “Pasardhësit e Skënderbeut. Një kronikë për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Suedi” (“Skanderbegs ättlingar. En krönika om albaner i Albanien, Kosova och Sverige”). Cilat janë lidhjet tuaja me shqiptarët dhe ku qëndron e veçanta që sjell ky libër në njohjen e tyre prej publikut suedez?
– Në të vërtetë kam dy lidhje të ndryshme. Në rininë time kam patur shokë shqiptarë nga Kosova në vendlindjen time në Malmo, në jug të Suedisë. Në moshën 20 vjeçare erdha në Shqipëri, në 1972. Në vitin 1978 u punësova nga një agjenci turistike suedeze për të organizuar ture për turistët suedezë dhe më pas për 2 javë drejtova delegacionin e një organizate miqësore shqiptaro-suedeze. Kam qëndruar atëherë në Durrës, Gjirokastër, Sarandë dhe Tiranë dhe ka qenë koha e trazirave të verës së 1978, kur regjimi i Enver Hoxhës prishi lidhjet me homologun e vet kinez. Ishte një periudhë e tmerrshme, por edhe një mësim për të ardhmen mbi qëndrimin e regjimeve intolerante dhe totalitare.
Përkundër gjithë zhurmës dhe problemeve miqësia ime me shqiptarët nisi të rritej kur isha aktivist në solidaritet me Kosovën, gjatë viteve të fundit të regjimit të Titos dhe më pas gjatë terrorit të Milosheviçit, kur u forcua shtypja kundër shqiptarëve.
Libri im është një përpjekje për të sqaruar disa prej çështjeve të rëndësishme të shqiptarëve dhe kjo përfshin si Shqipërinë edhe Kosovën, po ashtu edhe diasporën e shqiptarëve në Suedi. Përveç kësaj, është në qëllimin tim personal të tregoj çfarë do të thotë lëvizje totalitare komuniste për një të ri të ardhur nga një vend i lirë dhe demokratik si Suedia, si një paralajmërim për gjeneratat për të mos flirtuar kurrë me këto lloj idesh.
Keni qenë në Shqipëri në 1978, kur marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë u prishën. Ju zgjodhët të merrnit anën e Shqipërisë, gjë që çoi në dëbimin tuaj nga shoqata suedo-shqiptare. Ju lutem mund të na tregoni diçka më shumë për këtë çështje?
-Kam punuar në Shqipëri në vitin 1978, në fillim si udhërrëfyes turistik dhe më pas si kryetar i delegacionit nga Suedia. Kur Kina dhe Shqipëria prishën marrëdhëniet, unë vendosa të mbaja një qëndrim pro-shqiptar. Por kur u ktheva në Suedi, u përjashtova nga shoqata, e cila menaxhohej nga aktivistë pro-kinezë si Jan Myrdal. U ndalova, si nga Shqipëria, ashtu edhe të merrja pjesë në çdo aktivitet për çështjet shqiptare në Suedi. 15 vjet më vonë u zgjodha “anëtar nderi” i shoqatës, por kjo nuk kishte më rëndësi për mua.
Jeni shkrimtar, poet, studiues dhe përkthyes. Keni shkruar disa artikuj mbi veprat e Ismail Kadaresë ne Suedi. A ka publiku suedez të tjera njohje nga letërsia shqipe veç Ismail Kadaresë?
– Në të vërtetë vetëm Kadare njihet mirë në Suedi. Në fund të viteve ’70-të u bë i njohur edhe Dritëro Agolli, ndërkaq që ka patur shumë poetë që janë përkthyer në suedisht dhe janë bërë pjesë e antologjive. Kadare më shumë përmendet si fitues i mundshëm i Çmimit Nobel.
Në këtë libër keni bashkëpunuar me albanologun Ullmar Quick, emër tepër i njohur për publikun shqiptar. Do dëshironim të dinim diçka më tepër rreth këtij bashkëpunimi.
-Unë dhe Ulmar Kvik (Ullmar Qvick) jemi kolegë dhe miq prej 40 vjetësh. Jemi takuar për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1978. Gjatë 15 viteve të fundit dhe më shumë e kemi forcuar komunikimin tonë rreth politikës dhe letërsisë. Ulmari më ka ndihmuar shumë dhe në mënyra të ndryshme, duke qenë se e zotëron mirë gjuhën shqipe. Kur më është dashur të shkruaj për çështje bashkëkohore dhe kam patur nevojë për përkthim, në mungesë të materialeve në gjuhën angleze, i jam drejtuar Ulmarit. Ai është një njeri bujar dhe shumë miqësor, gjithmonë i sjellshëm dhe i kuptueshëm. Pa të, nuk do të kisha patur mundësi të njihja dhe të kuptoja as edhe gjysmën e asaj që njoh për çështjet shqiptare.
Ekziston një mergatë e jona në Suedi, që u shtua në numër gjatë luftës së Kosovës, në 1999. Sa mendoni se ndikojnë mërgatat në përgjithësi dhe kjo mërgatë në veçanti, në prezantimin e vlerave të vërteta të një kombi në “atdheun tjeter”, ku kjo mërgatë është vendosur?
– Sot shqiptarët e Kosovës përbëjnë një komunitet prej 55.000 banorësh në Suedi. Vetëm një pjesë e vogël e tyre janë nga Shqipëria. Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë nisën të vinin në Suedi në vitet ’60-të, me qëllim punësimi. Kam takuar shumë prej tyre, që punonin në fabrika dhe kantiere detare. Shumë më vonë shqiptarët kanë ardhur si refugjatë, duke arritur kulmin në vitet 1990 dhe 1999. Ata janë të shpërndarë në të gjithë Suedinë, por shumica e tyre janë përqendruar në jug të vendit. Shqiptarët që kam patur rastin të njoh, punojnë si mësues, artistë, shoferë autobusësh, infermierë në spitale apo klinika dentare. Sigurisht që ka edhe në sektorë të tjerë të shoqërisë.
Imazhi suedez për shqiptarët është shumë kontradiktor dhe ka ndryshuar shumë me kohën.
Në vitet ’70-të ata konsideroheshin si “jugosllavë” dhe shpesh ishe kolegë me ta. Në 1990 dhe sidomos gjatë periudhës së luftës, suedezët i mbështetën shumë shqiptarët e Kosovës kur erdhën në Suedi si refugjatë.
Fatkeqësisht, disa elementë kriminalë e kanë shkatërruar imazhin pozitiv që ishte krijuar në fillim. Në Suedi ne kemi një problem të madh në lidhje me bandat kriminale. Të shtënat, vrasjet dhe sulmet me bomba, po ndodhin kaq shpesh kohët e fundit, në fakt çdo ditë javën e fundit!
Një prej këtyre bandave në qytetin tim, ashtu si edhe në qytete të tjera të vendit, ka në përbërjen e vet djem shqiptarë. Është kaq e trishtueshme dhe në fakt, nuk di çfarë të them në lidhje me këtë. Biznesi kryesor i këtyre bandave është droga, por edhe armët.
Suedia konsiderohet si vend ekstrem në këtë drejtim. Edhe fqinjët tanë Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia kanë problem me bandat, por kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që përballet Suedia. Arsyeja kryesore për këto kushte ekstreme sot, është fakti që Suedia u tregua shumë liberale në drejtim të lejimit të shumë njerëzve në vend. Bandat kriminale sot janë edhe afgane, somaleze dhe arabe. Konsiderohet kaq pa vend të flasësh për këtë çështje tani dhe të krijon një atmosferë të rrezikshme në vend.
Mbi autorin
Tomas Nydal (Thomas Nydahl) u lind në Malmoe në vitin 1952. Është i martuar me Astrid, ka 6 fëmijë dhe 11 nipër e mbesa. Aktualisht jeton në Kristianstad, në veri të Skanias, në Suedi. Ka botuar 53 libra. Ka punuar gazetar i pavarur prej 1975-2009, mbi kulturën dhe politikën e jashtme të vendeve si: Shqipëria, Izraeli,Palestina, Libia, Gjermania, Portugalia, Republika Çeke, Anglia dhe Danimarka. Ka interes të veçantë për muzikën fade dhe kulturën portugeze dhe ka shkruar 4 libra rreth kësaj. Ka vizituar për herë të parë Shqipërinë në vitin 1972 dhe vizitën e fundit e ka bërë në vitin 1978. Është shpallur person i padëshiruar non grata për shkak të pikëpamjeve të tij kundërshtuese mbi praktikën e terrorit dhe ekzekutimit të Hoxhës mbi popullin dhe kundërshtarët e tij politikë. Nydal ka qenë aktivist për lirinë e Kosovës prej kohës së regjimit të Titos dhe Millosheviçit deri më sot. /Gazeta Liberale