Në faqen e Statista është publikuar një grafik që tregon vendet që janë vënë në garë për prodhimin e vaksinës për COVID-19. Sipas gjetjeve të shoqërisë së analizave të të dhënave, Airfinity, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kapacitet për të prodhuar thuajse 4,7 miliardë doza të vaksinës COVID-19 deri në fund të vitit 2021.
India, siç lexohet në Deutche Welle, ka një kapacitet të lartë prodhimi (më shumë se 3 miliardë) falë Serum Institute of India, i cili, siç shkruan Wall Street Journal, është sot prodhuesi më i madh në botë, me gati 1.4 miliardë doza në vit (të dhënat e vitit 2015).
Serum Institute of India është prodhuesi më i madh botëror i vaksinave në volum, i themeluar më shumë se 50 vite më parë nga Cyrus Poonawalla, sot multimiliarder. Ka të ngjarë të sigurojë jo vetëm thuajse të gjitha vaksinat që do të administrohen në Indi, por edhe në shumë vende të tjera të botës, pasi të lejohen eksportet gjatë vitit.
Sipas një studimi të fundit nga kompania gjermane e logjistikës, DHL, parashikohet se do të nevojiten rreth 15 mijë avionë për të shpërndarë të gjitha vaksinat e koronavirusit në të gjithë botën. Shifrat në infografikën e Statista shprehen në miliona doza midis vitit 2020 dhe 2021.