Gazeta “Izvjestija”: Për shkak të pakujdesisë shekullore ruse, siç e dimë, shtëpia në Troica-Llikovo, u ndërtua me vështirësi. U konstatua se çatia rridhte; në mure kishin harruar të hapnin kanalet e ventilimit… Aleksandër Isajeviçin e zemëronte zgjatja e panevojshme e punimeve. Ju e përfshitë atë në “proces”, ngaqë si ekspert kishte përvetësuar në GULAG specialitetetet e muratorit, të bojaxhiut e të shtrimit të parketit?
Natalja Sollzhenjicina: Ruajna, o Zot! Mua më vinte keq për kohën që u kushtonte. Ne mendonim: do ta përfundojnë pa nevojën tonë, sepse po punonin profesionistë. Problem tjetër ishte koha, e cila, kur ne u kthyem në Rusi ishte mjaft e turbull, por jo sepse ndërtimin e shtëpisë e zvarritën, thjesht se e ndërtuan keq. Çatia rridhte edhe për shkak të një shiu apo ngrice të lehtë. Tre vjet me radhë, çdo verë i është ndërruar çatia! Por më keq e kemi pësuar nga hidroizolimi! Në një shtëpi të përfunduar është shumë e vështirë të luftosh me lagështirën. Me të gjitha forcat arritëm të shpëtojmë prej saj bodrumin, të destinuar për ruajtjen e librave dhe për arkivin. Ç’qendrim mbante ndaj tërë kësaj situate Aleksandër Isajeviçi? Natyrisht që atë e mërzisnin zhurmat, trokitjet, ecejaket poshtë dritareve. Por gjatë jetës ai kishte punuar në kushte të tilla, saqë ishte mësuar të mos ankohej për shkak të pengesave. Vetëm se kohë pas kohe pyeste: kur do të mbarojë më kjo?
Me siguri që Aleksandër Isajeviçi shkruante me kënaqësi pranë këtyre dritareve.
Po, atë e dehte natyra e Rusisë Qendrore. Gjithmonë mendonte: “Nuk kam pasur fat që kam lindur në jug, pa pyje”. Pishat e Troica- Llikovos atë e mahnisnin; po ashtu dhe drurët me gjethe nën dritare.
Ju jeni moskovite me rrënjë, kurse nën ndikimin e burrit jeni bërë “idilike”.
Jo, unë e adhuroj qytetin. Por, e para, Troica-Llikovo nuk është krejtësisht një humbëtirë, ndërsa e dyta, të shkëputesh nga një arkiv me përmasa të tilla dhe ta shpiesh diku tjetër, ishte e pamundur. Unë jam e mbërthyer pas tij. Vështroni: gjithandej ka rafte librash, madje në korridore ka edhe kutia, kurse këtu pranë meje gjen letra, çanta e trasta mbi tavolinë…Dhe këto janë vetëm një grumbull i vogël. Si një stacion i paanë treni: ngado që vete…në shtëpitë botuese, apo në Fond…gjithmonë marr me vete ndonjë dorëshkrim apo libër dhe në kthim sjell të tjera.
Ja që mjedisi, më pak se çdo gjë tjetër, të kujton stacionin e trenit. Një banesë me shije të hollë.
Sidoqoftë, është komod. Neve na duhej që në njërën gjysmë të shtëpisë të jetonte familja jonë e madhe, ku të tërë mund të flisnin me zë të lartë, pa u shqetësuar se po pengonin Aleksandër Isajeviçin. Kurse gjysma tjetër të ishte mjedis pune. Shtëpia është ndërtuar me dy krah, të vendosur poshtë qoshes, kështu që zhurma nuk arrinte që andej. Kjo ishte një zgjidhje e njohur arkitekturore.
Dhe si e festuat shpërnguljen këtu, në këtë banesë të re?
Ç’banesë e re?! Ne u gëzuam pa masë, që u kthyem në Rusi. Kurse për shtëpinë jo, sepse nuk do të thoshte që me të hapur derën…të gjeje gjithçka gati, me orendi dhe të filloje të banoje në të. Po të futeshe tek ne do të ndeshje kuti pas kutish me libra. Eh, ato duheshin sistemuar; madje as etazherë nuk kishim; duheshin kryer matjet në mur dhe pastaj të bëheshin porositë. Mungonin edhe enët; sa më parë duhej blerë diçka sa për fillim. Unë vërtitesha sa andej-kndej… Dhe me gjithë këtë rrëmujë, puna kryesore nuk u ndal. Ne punonim e në të njejtën kohë sistemoheshim. Tri shpërngulje të mëdha kam provuar në jetën time: në fillim drejt Evropës, pastaj… për në Amerikë dhe, më në fund, këtu. Në dy prej tyre fëmijët i kisha të vegjël. Për tërë jetën ato më mjaftojnë dhe tjetër nuk do të desha, vetëm nëse jeta nuk do të na detyrojë. Aq më tepër që mua nuk më jepet fare për gjëra të tilla. Me to, në fund të fundit, siç thotë edhe Sanja (Aleksandri) jam marrë kalimthi, domethënë gjatë orëve dhe minutave që na tepronin nga angazhimi kryesor.
Zakonisht më 9 shkurt Sollzhjenjicini përkujtonte “ditën e izolimit”, datën fatale, kur në vitin 1945 e arrestuan. Më sy e peshonte racionin e varfër të ushqimit; gatuante gjellë pa shije dhe çorbën me ujë. Me humor vinte në dukje: “Në mbrëmje hyja kaq fort në rol, saqë mblidhja në gojë thërrimet dhe lëpija tërë pjatën”. Përse duhej kujtuar rituali i gjendjes materiale, të cilën Aleksandër Isajeviçi edhe kështu përmendte?
Nuk duhet që vazhdimisht të kujtosh vuajtjet fizike. Kur je i ngopur, harrohet ndjesia fizike e urisë. Kujtesa është disi harraqe, kurse trupi noton tutje… Por nëse je i uritur njëzet e katër orë, të shfaqet frika e njohur: po sikur edhe më tej të mungojë ushqimi? Gjendja psikologjike e fshirë për vite me rradhë nga jeta normale, kthehet përsëri. Aleksandër Isajeviçi thoshte se koha pas kohe ia vlen t’i kujtosh vuajtjet e trupit; lëndimet e tij. Në parim ai mendonte se nuk duhet llastuar shumë trupi, sepse e bën njeriun të varur prej tij. Për shembull: unë pija shumë duhan, prandaj Sanja ngulmonte: “Lëre edhe ti duhanin!” Nuk duhet të kryesh asgjë të tillë (me përjashtim kur është e domosdoshme), që të bën të varur. Ja ku të arrestuan…Në fillim të viteve 70-të arrestimi ishte tepër real. Por ti…nuk e shtyn dot pa cigare. Dhe hetuesi yt do të bëj lojëra me ty në këtë dejtim”.
Dhe ju e dëgjuat?
(qesh) Jo, këshillat e tij nuk ndikuan. Unë e lashë duhanin, por për arsye dhe në një periudhë tjetër.
Tashmë ndodhemi në katin e dytë… në kabinetin e Aleksandër Isajeviçit, të përbërë nga dhoma të ndërmjeme dhe të gjëra. Këtu ndodhet një kuzhinë e vogël, ku Natalja Dmitrijevna i ngrohte të shoqit ushqimin.
Aleksandër Isajeviçi nuk zbriste për të ngrënë drekë?
Pesë vitet e fundit ai lëngoi dhe rrallëherë zbriste për të ngrënë në tavolinën e përbashkët, ku vazhdimisht drekonim të gjithë bashkë. Dreka shërbehej vonë: rreth orës gjashtë të mbrëmjes. Kuzhina në katin e sipërm shërbente, që në pjesën e parë të ditës Aleksandër Isajeviçi për asnjë arsye të mos shkëputej nga puna. Ai ngrihej jo më vonë se ora shtatë; pinte kafen dhe ulej për të shkruar. Para mesditës i përgatisja diçka për të ngrënë. Dita përpjesëtohej për angazhime të natyrave dhe intensiteteve të ndryshme. Në mëngjes shkruante. Pjesa e dytë e ditës… ishte e ngarkuar: lexonte, mbante shënime, e mendonte në tërësi materalin që do të shkruante, jo vetëm për të nesërmen, por edhe për më tutje. Zbritja për të ngrënë drekë, dashje pa dashje, do të thoshte të shkëputej nga puna. Madje edhe një bisedë e shkurtër familjare e shpërqendronte atë. Aleksandër Isajeviçi nuk ishte nazeli në ushqim, por as veshjes nuk i kushtonte ndonjë interes. Dy gjëra kishin me të vërtetë rëndësi për të: ndriçimi dhe qetësia; veçanërisht qetësia. Në Vermont, në murin e garazhit, si në shumë shtëpi në Amerikë, ishte vendosur tabela e basketbollit. Deri në orën tre mbasdite, në ditë të lira, gjatë pushimeve ose jo, fëmijët nuk guxonin të përplasnin topin, duke e ditur se babai punonte. Ç’është e vërteta, mua më dukej, se ndalimi zbatohej deri në orën një, por Ignati në një intervistë ka pohuar se zgjaste deri në orën tre mbasdite. Sido që të ishte, në orët e mëngjesit askush nuk pipëtinte, përveç qenit (qesh).
Sanjës i pëlqente shumë trikoja me kopsa, – dhe Natalja Dmitrijevna përkëdhel palat e trikos ngjyrë gri të thurrur me dorë e që varej mbi shpinën e kolltukut. Në të dallon një vrimë të vogël dhe, duke vazhduar mekanikisht ta përkëdhelë, arsyeton me zë: – Kur qenka shfaqur? Duhet arnuar…
– Dhe pas një pauze: – Këtu bën ftohtë në dimër. Në rini Sanjës i pëlqente të ftohtit; madje atë e thërrisnin “fokë”: asnjëherë ai nuk mbante pallto apo kokore. Por me kalimin e moshës filloi të mbërdhinte. Ndërkohë Aleksandër Isajeviçi mund të shkruante, duke qendruar në këmbë, pranë kësaj tavolinë prej kompensate, të punuar për gjatësinë e tij. Shikojeni, ajo është portative: ai e merrte me vete nën sqetull. Tavolina jonë është udhëtare: ajo ka shtegtuar nëpër Rusi, ka qenë në Zyrih dhe në Vermont. Kurse tavolina e vjetër e shkrimit… është nga Petërburgu. Në vitet 69-70 ia dhuruan Sanjës. Në fillim e mbanim në kopshtin e shtëpisë së vogël, në Rozhdestvo, pastaj në shtëpinë tonë, në Tvjerskaja. Kur në vitin 1974 Aleksandër Isajeviçin e internuan, ne u nisëm fill pas tij dhe unë e mora tavolinën me vehte. Ajo u kthye bashkë me ne nga internimi. Në dhomën tjetër ndodhen dy tavolina të mëdha e të thjeshta: e para është me rrota, kurse e dyta ka mbështetëse të sigurta dhe lëvizet lehtësisht. Ato na i sajuan në Vermont, madje muratorët dhe jo marangozët. Tavolina të ndryshme për punë të ndryshme dhe nuk ishte nevoja që vazhdimisht të zhvendoseshin pirgjet me libra dhe letra.
Ditën e largimit të tij nga jeta Aleksandër Isajeviçi tërë mëngjesin e kaloi në kabinet, duke punuar si zakonisht. Ja edhe fletët e fundit të dorëshkrimit, syzet, lapsat, penat… unë përpiqem që këtu të mos preket asgjë.
Të flasësh për aftësitë në ngritje të pasionit për punë të Aleksandër Isajeviçit, si edhe për mërzinë e tij të përhershme ndaj vetes, nëse kohën nuk e shpenzonte për të shkruar, do të zinte një vend të veçantë. E megjithatë, si sillej ai gjatë “kohës së lirë”, që i imponohej në grafikun e ngjeshur, për të cilin nuk e qortonte veten?
Për ne nuk ekzistonte ndarja: kjo është kohë pune dhe kjo “kohë e lirë”. Si Sanja edhe unë, ndonëse në mënyra të ndryshme, e donim pafundësisht punën dhe asnjëherë nuk jetonim sipas parimit: ta shtyjmë ditën, mbylle dosjen, apo tani të shkojmë për të pushuar. Darka të tilla të posaçme: hajt të mblidhemi, të bisedojmë për këtë apo atë çështje, atij nuk i pëlqenin. Bisedat familjare ishin të shumta, por zakonisht lindnin natyrshëm, më shpesh gjatë ngrënies. Në përgjithësi të tërë në familje hamë shpejt, por thjesht në aspektin fizik. Nëse gjatë drekës biseda ishte tërheqëse apo e rëndësishme, ajo vazhdonte derisa t’i humbte i tërë interesi. Nëse jo, atëherë të tërë papritur shpërndaheshim, që t’u përkushtoheshim punëve tona. Aleksandër Isajeviçi nuk e duronte dot shpërdorimin e kohës, thjesht sëmurej prej tij. Nëse nuk ke për çfarë të flasësh, atëherë nuk ke edhe ç’të thuash. Kjo gjë u transmetohej edhe miqve. Ai me plot të drejtë do të thoshte: “Më falni të dashurit e mi, unë tashmë po largohem, sepse në mëngjes më pret një pjesë e vështirë”. Pastaj ngrihej dhe largohej. Por të shtunave fëmijët nuk shkonin në shkollë… kështu që ne e zgjasnim ngrënien e mëngjesit.
Tek “koha e lirë”, nëse dëshironi, mund të përfshini edhe diskutimet tona me Sanjën të radiolajmeve dhe të shtypit në vazhdim. Ne “i ndanim” gazetat dhe revistat, ndërsa më e rëndësishmja ishte se më pas ia rrëfenim njëri-tjetrit përmbajtjen. Gjithçka vërtitej rreth kthimit në Rusi. Familja (duke përfshirë edhe fëmijët) jetonte me shpresën se dikur kjo do të ndodhte. Herë-herë neve shpresa na dobësohej, por Sanjës… asnjëherë.
Tashmë, gjatë viteve 80-të, mbrëmjeve Aleksandër Isajeviçi filloi të më lexonte atë që nuk i duhej drejtpërsëdrejti për veprën. Le të themi se nga ora një deri në pesë, leximi ishte i domosdoshëm për veprën “Rrota e kuqe”, kurse më pas ai merrej me librat që dëshironte t’i rilexonte, ose që nuk i kishte lexuar më parë. Gjatë leximit mbante shënime. Nga e tërë kjo punë lindi “Koleksioni letrar” me ese kushtuar shkrimtarëve, mjaft të pazakonta, meqenëse ata shpesh i shmangen rrëfimit për kolegët, ose shprehen gabim. Ndërsa këtu ndodhte e kundërta: ai fliste me dashuri edhe pasion për ta.
A pushonte gjatë ditës Aleksandër Isajeviçi?
Praktikisht jo, ndonëse e kishte shumë problem gjumin. Për të fjetur ai flinte, por zgjohej shpejt. Frika se në mëngjes mund të mos ishte në formë dhe se ditën mund ta humbiste, nuk e linte të flinte. Rrallëherë mund të shtrihej ditën. Edhe kur ishte në kulmin e energjive të veta, rastiste të ishte në një gjendje të tillë, kur truri për shkak të lodhjes tamam sikur i bllokohej. Një lloj frenimi i fortë e mbërthente atë. Nëse arrinte të qetësohej rreth dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta, ngrihej i rinuar.
Fill pas njohjes ju e mahnitët Sollzhenjicinin me energjinë tuaj të pashtershme, saqë shkaktoi një replikë dhembshurie: “A mos, ndoshta, nguteni ca si tepër? Mos e mbingarkoni veten”. Dy punëdashës të mëdhenj. A nuk krijoi kjo ngjashmëri, mirëkuptim në familje, sepse në shtëpi nuk lejohej sadopak dembelizmi?
Eh, nuk di ç’të them; mendoj mirëkuptimin, megjithatë Aleksandër Isajeviçit i vinte mirë që mua nuk ishte nevoja të më nxiste për punë, sepse i përvishesha vetë… Kjo gjë atij i pëlqente. Pastaj mos harroni se romani “Një ditë nga jeta e Denis Davidoviçit” doli në vitin 1962. Atëherë kur publikoi librin e vet të parë, ai ishte dyzet e tre vjeç! Sanja ngutej jashtëzakonisht shumë. Nuk e mendonte se do të jetonte kaq gjatë. Ai kishte përjetuar kancerin e tmerrshëm, metastazat në sqetull dhe në tërë barkun. Njëri nga tumorët me madhësinë e grushtit ashtu edhe mbeti pas rrezatimit, si një masë origjinale gëlqerore. Sanja gjithmonë nisej nga fakti se, ndoshta, i kishte mbetur pak kohë. Prandaj… nuk kishte dëshirë ta shpenzonte më kot. Kjo nuk do të thoshte se ai shkruante si në ethe. Përkundrazi, Aleksandër Isajeviçi asnjëherë nuk ngutej; nuk e nxiste veten sikur po i vinte fundi. Vetëm kur libri i afrohej përfundimit, e shpejtonte punën. Ai ma jepte ta lexoja, priste vërejtjet dhe më pas bënte ripunimin. Vetëm atëherë (qesh) i krijohej përshtypja se të nesërmen duhej të ishte gati.
Edhe se ju lexonit ngadalë…
Po, po. Ai nuk më qortonte, por priste me padurim, gjë që ma bënte të qartë. Për sa i përket dembelizmit, të dy ne (ndonëse unë nuk mbaj mend asnjë sygjerim të Aleksandër Isajeviçit lidhur me këtë fakt) e konsideronim atë të neveritshëm. Ne pajtoheshim me mendimin se sa më pak një shfaqje e tillë në familje, aq më mirë do të ishte. Çdo ditë Sanja merrej me fëmijët: një orë në ditë u jepte mësime matematike, fizike apo astronomie. Unë u jepja atyre gjuhën ruse dhe përpiqesha që djemtë të mesonin nga një vjershë në ditë. Ata dinin me qindra vjersha. Kur na vinin miq, për nder të tyre ne organizonim koncerte, ku jehonin muzika dhe poezia. Babai asistonte gjithmonë në koncerte të tilla.
A nuk ishte e tepruar… një vjershë çdo ditë?
Jo… nuk ishte e tepërt. Kujtesën mund ta sforcosh, ashtu siç e sforcon stomakun grykësia, ndërsa kujtesa ishte pothuajse e vetmja gjë që ne mund t’ua ngulitnim fëmijëve. Kujtesa dhe aftësia për të punuar me librin, me fjalën, është një zanat më vete. Aleksandër Isajeviçit i pëlqente ta përsëriste:
“Kur njeriu e ka një zanat, ai e ndihmon shumë në jetë”. Por ja që ne nuk e dinim se si do të rridhte jeta jonë, do të na e ndërprisnin…apo jo; kush, kur dhe si do të vdisnim…Dhe shpejtonim t’ua transmetonim fëmijve sa kishim mundësi. Me ngrohtësi i kujtoj banorët e Vermontit. Vetë ata vendosën se duhej të na ruanin nga shtypësit ardhacakë. Në një dyqan të vogël vendas ishte varur një tabelë prekëse: “Rrugën për tek Sollzhenjicinët nuk ua tregojmë”.
Për fat të mirë fëmijët tanë u rritën me dashurinë për punën. I ati nuk u mbante predikime, ndërsa unë më se një herë ua përsërisja me zë të lartë neverinë ndaj përtacisë. Kur fëmijët ishin akoma adoleshentë, si me shaka u thoshja, se gruas që dashuron duhet të dish t’i falish çdo të metë, por nuk ka më të keqe se gruaja zemërake dhe përtace. Mos u martoni me të tilla (por që të kërkoje më shumë… atëherë duhej të ishe si ajo plaka e “Përrallës së peshkatarit me peshkun”). Ata më dëgjuan dhe nuk u martuan me të tilla (qesh). Unë jam e kënaqur nga të gjitha nuset.
Megjithëse Aleksandër Isajeviçi kishte një mori dashakeqësish, akoma më shumë kishte nga ata që e admironin atë. Edhe ju… gjithashtu. Në rastin tuaj, nuk ishte çështja vetëm tek idetë dhe librat e tij, por, me sa duket, edhe tek karizma e tij mashkullore?
Ç’të them, Sanja të tërhiqte si magnet. Për mua ai mbeti i tillë deri në ditën e fundit. Joshjen e tij e kanë ndjerë shumë veta. Ai, si të them, e kishte organike mirësjelljen dhe vëmendjen ndaj femrave. Irina Aleksejevna Illovajskaja, e cila për disa vjet ka qenë sekretare tek ne, kur ndodheshim në Kavendish, thoshte se kur shkonte tek Aleksandër Isajeviçi (në kabinetin e tij të Vermontit ishte shumë ftohtë), ai me kujdes i hidhte mbi supe xhaketën e vet. “Më ikte mendja, kur vështroja sesi e bënte këtë veprim”. Mua më duket se edhe fytyrën Sanja e kishte të pazakontë; dhe me kalimin e kohës, bëhej më i vëmendshëm. Ai kishte një fytyrë të tillë, të cilën kishe dëshirë ta vështroje e ta vështroje, saqë mezi mund të shkëputeshe prej saj. Gjatë punës Sanja ishte i heshtur dhe shumë i përqendruar. Ai tregohej i rreptë ndaj kujtdo që përpiqej ta pengonte; madje as që e lejonte një gjë të tillë. Por edhe unë nuk e pengoja.
Edhe ju keni pasur fat me të.
Po, kam pasur fat me të. Të dy kemi pasur fat me njëri-tjetrin. Kjo është e vërtetë. Kur Sanja nuk ishte i tensionuar apo i trishtuar, ai tregohej i hapur, i butë, jashtë mase i dashur dhe si rrallëherë delikat.
Buzëqeshja i ndriste si diell dhe të qeshurën e kishte shumë ngjitëse. Ai ishte një tregimtar i përsosur. Djemtë tashmë kujtojnë shumë gjëra nga ato që babai rrëfente gjatë ngrënies. Atyre ato u kanë mbetur në kujtesë; nganjëherë habiten me mua: “Si ka mundësi që nuk i mban mend?” Shumë dreka festive kemi kaluar me Aleksandër Isajeviçin (në kundërshtim, më duket mua, me përshtypjen që u është krijuar juve). Ne i festonim të gjitha ditëlindjet e fëmijve (në fund të fundit, ata ishin katër djem!). Ne festonim edhe ditëlindjen e mamasë sime. Atë Sanja e donte shumë. Plus Krishtlindjet, Pashkët, vizitat e miqve si: Nikita dhe Masha Struve, Sllava Rostopoviçi, me të cilin Sasha mbante një lidhje të ngushtë, si dhe me një familje tjetër të afërt. Gjithmonë tavolina jonë festive ishte e bukur dhe e larmishme. Gatimin e bënim bashkë me mamanë. Unë edhe sot për pashkë bëj kuleçë dhe byreçka me peta. Sapo të mbarojmë intervistën… do të shkojmë për të pirë çaj me kekun e preferuar të Sanjës. Ai e pëlqente një kek të tillë, pa të cilin nuk jetonte dot (qesh). Unë edhe tani e përgatis tamam si për Sanjën.
Mamaja më ndihmonte në të gjitha drejtimet. Ajo ishte grua e mahnitshme, që e lumturonte jetën time; “kryeinxhinierja” e shtëpisë sonë. Duart i kishte të shkathta: rregullonte llampat, hekurin për hekuroje, ngjitësit dhe lodrat e fëmijve. Ajo pikturonte shkëlqyeshëm. Nga gatimet e saj pa dyshim binin në sy kotoletat dhe supa me lakra. Sanja bënte shaka: “Nuk duhet lejuar që ne të kthehemi në Rusi, pa e mësuar fëmijët se ç’është supa me lakra”. Kjo shprehje perceptohej me buzëqeshje… si një figurë abstrakte e fjalës. A do të ktheheshim dot? Por ne u kthyem; edhe fëmijët e mësuan se ç’ishte supa me lakra…Me fjalë të tjera, Sanja zotëronte një ndjenjë të pashtershme humori. Lidhur me këtë fakt ai shpesh ankohej dhe humorin e pamjaftueshëm në librat e tij e konsideronte mangësi.
Madje edhe në librin tragjik “Arkipellagu”, ka pjesë me humor të hollë.
Edhe unë ashtu mendoj. Kudo e gjen atë… mirëpo ai e kritikonte veten me ashpërsi.
Në çfarë forme shfaqej pakënaqësia e Aleksandër Isajeviçit, gjendja e tij e keqe shpirtërore?
Ai heshtte. Nëse ishte i pakënaqur, nëse atij i dukej se fajtore për diçka isha unë, apo se diçka nuk e kisha bërë siç duhej, thjesht heshtte, nganjëherë për shumë kohë. Sanja nuk dëshironte të të ofendonte me fjalë. Aleksandër Isajeviçi nuk ishte njeri qortues, por i tillë ishte ndaj vetes. Ai e qortonte rëndë veten kur mendonte se kishte bërë gabim. Ky fakt e torturonte atë. Me kalimin e moshës u bë më i butë ndaj njerëzve që e rrethonin, por tregohej më i ashpër ndaj vetes. Duke e kritikuar me mend jetën, ai e gjykonte rëndë vetveten, veçanërisht se ishte treguar i pavëmendshëm ndaj mamasë. Këtë dhimbje e përjetoi gjatë njëzet viteve të fundit të jetës.
Po juve, a nuk ju bënte të humbnit durimin heshtja e burrit?
Unë përpiqesha të sillesha sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Por, nëse vija re se kjo ishte e padobishme, nuk vazhdoja më dhe gjithashtu vazhdoja të heshtja.
A mund ta vazhdonit gjatë këtë situatë?
Mbase. Por më pak se ai. Zakonisht grindja vazhdonte derisa një çështje, e cila nuk shtyhej dot, duhej shqyrtuar. Në këtë rast gjithçka shuhej. Asnjëherë ne nuk i krijuam skena njëri-tjetrit; ndonëse ndodhte që sqarimin e bënim me zë të lartë… por jo marrëdhëniet… ato nuk i diskutonim.Unë jam një debatuese e tmerrshme. Debatet i bënim me pasion dhe, siç dëshmojnë fëmijët, nganjëherë edhe me zë shumë të lartë. Por në atë mënyrë, që të gjendej burimi i së vërtetës.
Po si i shprehnit dashurinë, mirënjohjen?
Si të gjithë njerëzit: me gjeste, zë dhe fjalë. Sanja ishte i aftë të tregohej jashtëzakonisht i dashur. Po, ne kemi kaluar shumë momente të vështira. Jeta ka qenë shumë e vështirë, por të bashkuar asnjëherë nuk e ndjenim atë. Përse thashë se të dy kemi qenë me fat? Ne, siç ndodh rëndom, nuk kemi pasur kontradikta të tilla shqetësuese, saqë familja t’i shmangej detyrës. Ne ishim kaq të bashkuar dhe të ndërthurur, saqë, nëse do të çalonte njëri nga ne të dy, menjëherë do të çalonte e tërë familja. Sanja gjithmonë i përjetonte vështirësitë e mia, të cilat mund të mos përputheshin me të tijat (unë kisha në ngarkim fëmijët, shtëpinë dhe Fondacionin), hidhërimet, me të cilat ndodhte edhe të mos pajtohej, duke thënë se nuk ia vlen t’u kushtosh shumë vëmendje, por në këto raste gjendej gjithmonë pranë meje. Mendoj se kjo mund të quhet harmoni familjare.
Tryeza e punës e Sollzhenjicinit
Kur me rastin e 50-vjetorit burri ju dhuroi trëndafila, në ditar, me njëfarë ironie, keni shkruar: “Ja edhe një, si mjaft të tjera”. Harmonia është harmoni, por juve nuk ju preku mungesa e vëmendjes standarte? Apo kjo u mbulua me rrezikun e tepruar të atyre jostandarte?
Mua nuk më prekte mungesa e shenjave të një vëmendjeje standarte, megjithatë u trembesha dhe asnjëherë nuk i kam dashur, sepse çdo shfaqje e kësaj vëmendjeje mund të shërbejë si perde për të fshehur mungesën e ndjenjave të vërteta. Kur me Aleksandër Isajeviçin filluam marrëdhëniet tona, ai qe një roman i zjarrtë dashurie; gjithmonë më sillte lule shëngjergji, që ishin të preferuarat e tij. Edhe mua ato më pëlqenin shumë më tepër sesa trëndafilat tekanjoze, pikërisht për shkak të thjeshtësisë së tyre. Unë e çmoja shumë vëmendjen, por aspak tiparet e banalitetit të saj. Ndërkohë vëmendjen e tij e kisha me tepricë.
Sanja vazhdimisht më ushqente me njëfarë krenarie, e thënë thjesht… për të qenë e lumtur. Fjalët e tij (se ai mund të mbështetej tek unë, se i vlerëson vërejtjet e sakta dhe se kisha “vesh të mirë”) më dukeshin komplimenti më i mirë, i mundshëm. Përderisa për shumë kohë kemi punuar bashkë, gjëra të tilla i dëgjoja shpesh. Me fjalët e Sanjës nuk mësoheshe dot, me fjalët e tij miratuese nuk ngopeshe dot. Sado të pije pa pushim, uji vazhdimisht buronte i freskët. Unë nuk isha e imunizuar nga gabimet. Dhe për habinë e Sanjës pothuajse nuk gaboja; mirënjohja e mahnitshme, urimet pa kursim në çdo rast për mua ishin si një dekoratë që vezullon.
Po ritualët? Në përgjithësi unë isha rritur në një familje “pa rituale”. Edhe Sanja nuk duronte asnjë lloj shtirje. Sigurisht që ne kishim datat tona sekrete. Aleksandër Isajeviçi zakonisht nuk e mbante unazën e martesës. Ajo në dorën e djathtë e pengonte të shkruante. Atë e mbante në sirtarin e lëvizshëm të tavolinës së tualetit të nënës së vet, të cilën, ashtu si edhe barometrin e saj të vjetër, e çmonte shumë. Atje gjithmonë ruheshin qirinjtë e martesës sonë. Në çdo rast, në datat e njohura vetë prej nesh, Sanja e vinte unazën.
Ju ia kujtonit?
Asnjëherë gjatë gjithë jetës. Vetë ai i ruante në kujtesë këto ditë. Pikërisht unë mund t’i harroja ato. Dhe nëse diçka e tillë ndodhte, ai më vështronte me qortim dhe trokiste unazën e vet me unazën time… Veçanërisht Sanja u shmangej festimeve pompoze të ditëlindjeve të veta. Neve na pëlqente t’i festojmë në qetësi të dy bashkë. Por kjo na ndodhte rrallë. Kurse Sanja gjithmonë preferonte “diçka të thjeshtë” dhe paraprakisht fillonte të më bindte: “Hajde të pimë vetëm çaj dhe asgjë më tepër”. Por , sigurisht, që përgatisja byreçka; fëmijët i bënin dhurata. Gjithashtu edhe unë, ndonëse e dija se dhurata më e mirë imja për të do të ishte (qesh) sikur brenda kësaj dite të përfundonim ndonjë pjesë të veprës.
Vitet e fundit Aleksandër Isajeviçi ankohej për mungesë fuqie, për dobësi?
Sëmundja e tij u bë serioze në vitin 2003. Pas dhjetorit të vitit 2012 tashmë nuk dilte më nga Troica-Llikovo. Kur Sanjës iu paralizua dora e majtë, për një kohë tepër të gjatë tek ai u shfaq hapur ndjenja e një pakënaqësie të brendshme: “Tashmë unë kam bërë çdo gjë që më takon mbi këtë dhe, përse Zoti nuk më çliron?” E megjithatë, ai ulej në tavolinë dhe psherëtinte thellë. Më parë mund të punonte 16 orë në ditë, më pas – 14, 12, kurse tani vetëm 8 orë.
Por ai vazhdoi të punojë, po e përsëris, deri momentin e fundit. Më 3 gusht, në orën nëntë të mbrëmjes, filloi agonia e tij. Ai u nda nga jeta para mesnatës.
(Një vit e gjysmë nga fundi i jetës, Aleksandër Isajeviçi pothuajse nuk priste miq; nuk dëshironte shoqëri, duke qenë në kolltukun e invalidit. Ai nuk ngjasonte më me një fytyrë njeriu (gjë që dukej në foton e fundit), – dhe Natalja Dmitrijevna kthehet e na tregon fotografinë mbi etazherin, që ndodhej pas shpinës së saj, – por me një ikonë. )
Akoma pa i bërë operacionin në arterien e qafës, ai sikur ishte bërë plotësisht i tejdukshëm, i bardhë në të kaltër. Operacioni i dhuroi një vit e gjysmë punë produktive. Ajo qe një periudhë plotësisht e ndritshme për të, ndonëse fizikisht e vështirë. Dhe Sanja nuk protestonte më. Shpirtërisht mbeti i fuqishëm, kurse energjitë po i shterreshn para syve. Mua më dukej si një luftëtar i plagosur…Por nëse kthen kokën prapa… mund të thuhet se Aleksandër Isajeviçi ka kaluar një jetë të lumtur.
Nga ana tjetër, një fat i rëndë e ndoqi atë.
Ai nuk e përceptonte atë si të rëndë. Si të vështirë… po.
Po ata janë sinonime.
E vështira… nuk është detyrimisht e keqe. Pra, atë… e kapërcejmë, kurse e rënda… është diçka shumë negative, shtypëse. Sanjën e gjithnjë e karakterizonte gjallëria e madhe dhe një energji e fortë. Ç’është e vërteta, afër fundit ai filloi të humbasë optimizmin për arsye të asaj që shihte rreth e qark. Ai u largua nga jeta me një shqetësim të madh për të ardhmen e vendit dhe nuk kishte besim se ajo do të mbetej kështu siç ishte.
Kur ju, me atë nuhatjen tuaj të veçantë, e ndjetë se Aleksandër Isajeviçi iku dhe asnjëherë nuk do të kthehej më?
Ju e dini se mungesën fizike të tij unë e ndiej tërë kohën. Në muajt e parë kjo më ndodhte vazhdimisht, në çdo javë. Unë përjetova goditje të forta, të papritura e të padurueshme. Ndaj tyre ishte e pamundur të merrje masa parapake dhe nuk mund të mësoheshe. Papritur të kujtohet ndonjë detaj dhe të rrëzon përdhe. Për shembull, laj fytyrën dhe vë re furçën e tij të dhëmbëve dhe aty lëndohem… Madje jo mendimi, por njëfarë ndjesie depërtuese fizike se ai nuk do ta prekë më asnjëherë atë. Apo kryqin metalik, që e varte në qafë. Sanja e vendoste natën në krye të krevatit, kurse në mëngjes e varte, duke bërë një lëvizje rrethore. Tashmë kryqi jeton me mua. Unë mbaj herë kryqin tim, herë të tijin.
Por largimin virtual të Aleksandër Isajeviçit asnjëherë nuk e kam përjetuar. Një moment i tillë thjesht nuk ka ndodhur. Me sa duket, edhe nuk do të ndodhë. Unë çdo ditë jetoj me tekstet e tij, me shkrimin e tij…
Kjo, kujtoj unë, është shkruar në praninë time; këtë ne së bashku e kemi redaktuar. Më jehon zëri i Sanjës, intonacioni i tij i veçantë. Kaq fort e ndiej se nuk është larguar nga bota ime e përditshme, saqë ndihem tamam sikur me të nuk jam ndarë.
Me cilësinë e “bashkëpunëtores” më të ngushtë të Sollzhenjicinit, ju e dini më mirë se kushdo tjetër, nëse me të vërtetë Aleksandër Isajeviçi e kreu misionin e caktuar në jetë. Cilat nga veprat e mbetura ai me besim ua ngarkoi juve për t’i përfunduar?
Ne asnjëherë nuk u shmangeshim bisedave rreth vdekjes; për të flisnim pa frikë dhe me mendje të kthjellët. Aleksandër Isajeviçi më urdhëroi: “Kur të mos jem, ja këtë punë do ta kryesh të parën, pastaj këtë të dytën, të tretën…”. Shpesh më paralajmëronte: “Shiko, vogëlushe, nëse nuk arrin dot, përpiqu të mos i shpiesh dëm”. Kjo, nëse unë do ta teproja me koncertet në konservator. Mua më dukeshin gjepura, të gjitha do t’i kryeja. Por vetëm tani e kuptoj sesa të drejtë kishte. Trashëgimia e lënë ishte e pafund. Mua më duhet të botoj mjaft vepra të papublikuara. Ja “Ditari i romanit”. Sanja e shkroi atë gjatë njëzet e pesë vjeteve, paralelisht me veprën “Rrota e kuqe”. Zhanri është i papritur: ditari i punës kushtuar romanit mbi revolucionin e vitit 1917… jo jeta gjatë punës, por vetë puna. Atje i gjen të gjitha: edhe dyshimet, edhe lumturinë për gjetjen e subjektit, edhe zemërimin ndaj dëshmitarëve gënjeshtarë të demaskuar, si edhe dëshpërimin që i ishte futur një veprimtarie të paanë e që nuk do të arrinte dot ta përfundonte…Ditari ishte shoku i Sanjës, me të cilin bisedonte krahas meje. Vvepra e tij duhet të arrijë në tridhjetë vëllime.
Përktheu nga origjinali: Nikolla Sudar. (EX Libris)