• Today is: Monday, November 25, 2024

ERNESTO SABATO NË SHQIP

fakti
January15/ 2021
Kur lexova romanin “Mbi heronjtë dhe varret”, u binda se për të përkthyer Sabaton (romanet e tij), duhet të kesh jetuar ca vite në Buenos Aires
Nga Bajram KARABOLLI
Përkthimin e romanit “Mbi heronjtë dhe varret”, sado i vështirë që ishte, e kam pasur një detyrim, jo vetëm për origjinën shqiptare të autorit, por edhe për përjetimet e mia në mjediset e Grand Buenos Airesit, këtij metropoli gjigand, me një mënyrë jetese dhe kulturë, sa latinoamerikane aq edhe europiane, mjedise ku jetojnë dhe veprojnë personazhet e këtij romani. Kam ecur në rrugët ku ecin personazhet e këtij romani, kam shëtitur në parqet ku shëtisin ata, kam pirë kafe në lokalet ku pinë kafe ata…
Kur lexova romanin “Mbi heronjtë dhe varret”, u binda se për të përkthyer Sabaton (romanet e tij), duhet të kesh jetuar ca vite në Buenos Aires, pasi personazhet e tij flasin kastejanon (spanjishten) që quhet portenjo, e folmja e Grand Buenos Airesit, dhe, për më tepër, gjuhën e rrugës së këtij qyteti gjigand, që është e përzier me italianizma, pasi aty, qysh në shek. XIX u vendosën mijëra e mijëra emigrantë italianë, përfshi edhe prindërit e Sabatos.
Aty nga mesi i dhjetorit të vitit 2000, po ecja përgjatë Avenidës Corrientes, në Buenos Aires, në kërkim të ndonjë bukinisti, për të blerë romanet e Ernesto Sabatos. Dihet se në këto lloj librarish të vjetra mund të gjesh libra interesantë dhe me çmim të arsyeshëm. Hyra në një të tillë dhe po këqyrja librat në rafte. Për çudi, vështrimi im kapi shpinën e disa të ashtuquajturave vepra të Enver Hoxhës: “Me Stalinin” dhe “Rreziku angloamerikan për Shqipërinë”. Natyrisht, në spanjisht. Për të shuar kureshtjen pyes pronarin, një burrë i moshuar, se si kishin mbërritur ata libra në dyqanin e tij. Ka 15 apo 20 vjet, më thotë, m’i sollën nja dy persona, ndoshta të ambasadës së Shqipërisë. Kur u thashë se nuk më duheshin, më thanë se nuk do të m’i shisnin, përkundrazi, do të më paguanin për to. Natyrisht, pranova. Më thanë t’i vendosja në vitrinë se donin t’i fotografonin. I fotografuan, më paguan dhe ikën. Pastaj unë i vendosa në raft dhe ja ku janë.
Paradoksi: të gjesh në Argjentinë librat e diktatorit të Shqipërisë të përkthyera në spanjisht, ndërkohë që Ernesto Sabatos, këtij fizikani, dijetari dhe shkrimtari gjigant, i cili mburrej se kishte gjak shqiptar, të mos i kishe dëgjuar as emrin e jo më ta kishe lexuar në shqip. A nuk është për të vënë duart në kokë?!
Vetëm barbaria komuniste mund të bënte gjëma të tilla që, gjatë gjysmë shekulli, të ndalonte autorë të tillë dhe, aq më tepër, libra të tillë, ku lexuesi shqiptar do të gjente fragmente me lëvdata dhe hyjnizime për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjatë komunizmit ai jo vetëm nuk u ftua, por nuk mund të pranohej të vinte në Shqipëri. Diktatori Enver Hoxha nuk i donte personalitete të tillë. Sigurish, ata i prishnin punë.

Shënim: Tekstin e plotë do ta gjeni te libri me mbresa, përsiatje dhe ese: DHIMBJE MËRGIMI që do të botohet së shpejti.

Libri i javës - “Heterodoksia” nga Ernesto Sabato - Lajmet e fundit - Zëri