• Today is: Friday, April 26, 2024

TRAMPIZMI, OSE JALTA E DYTË PËR KOSOVËN!

fakti
January10/ 2021

Betejat politike të Trumpit dhe sejmenti të tij, Richard Grenell, për të siguruar një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ishin projektuar si lojë fluturakësh mbi mullinjtë e erës ku flamuri i fitores duhej të ngulej në Kalamegdan. Në këtë projeksion, Kosova duhej të paraqitej si vilajet pa identitet dhe sovranitet të qartë shtetëror, duke i lejuar Serbisë luksin e të qenit njëfarë reprezentuese e interesave tregtare, infrastrukturore  e gjeopolitike trampiste në këtë pjesë të Europës Juglindore

 

Nga Emin AZEMI

 

Dikur Albin Kurti akuzohej si antiamerikan dhe ata që i hidhnin këto akuza mendjen gjithmonë e kishin te Amerika e Donald Trumpit.

Tani kur po e shohim se si Trumpi deshi ta bëjë shkrumb e hi Amerikën e tij, mendja sërish na shkon te Albin Kurti dhe te ata që Amerikën e kuptojnë se një konzervë të ngushtë ku mund të shuash urinë e lojalitetit falc, duke këmbyer dinjitetin nacional me një poltronizëm të paparë ndaj të tjerëve.

Edhe atëherë, edhe tash pas 20 janarit, Amerika do të vazhdojë të mbetet një nocion univerzal i vlerave demokratike dhe gjithë ata që përpiqen t’ia atribuojnë këto vlera vetëm një personi, qoftë ai edhe Presidenti i ardhshëm Joe Biden, i ngatërrojnë ose navisht ose budallakisht perceptimet e tyre mbi Amerikën.

Albin Kurti mospajtimin e tij nuk e kishte me Amerikën, por me disa aparatçikë në Shtëpinë e Bardhë të cilët deshën ta imponojnë Serbinë si problem të brendshëm të Kosovës, kurse këtë të fundit – si një monedhë për kusuritje të proceseve të papërfunduara gjeopilitike në rajon, ku Rusia gjithsesi dilte më e fituara.

Nuk do të shkojë larg koha kur do të zbardhen shumë skenarë, me disa lojtarë tragjikomikë të cilët, për një duçi taxhi, si kuaj të hazdisur të Apokalipsës , kishin kalëruar mbi fatet e atdheut të tyre!

Paraqitja e Kosovës, gjegjësisht e njerëzve të saj udhëheqës, si jokonstruktivë në raport me SHBA-të, një kohë të gjatë ishte bërë pjesë absurde e linjave editoriale të mediave e analistëve të caktuar në Prishtinë e deri diku edhe në Tiranë.

Trumpizmi si kundërvënie ndaj frymës tradicionale të bushëve dhe klintonëve në raport me Kosovën

Animozitet e brendshme kundrejt Albin Kurtit, u shndëruan në antena për përçimin e furtunave të jashtme kundër tij, ku Grenelli ishte personazhi më epik i kësaj narrative të mbushur plot me voajerizëm zhurnalistik. Se çfarë personazhi karikaturesk ishte ky far Grenelli, mjafton t’i bëjmë një vështrim retrospektiv cipës së budallakisë së shefit të tij,  e cila ishte aq e trashë sa që nuk mund të depërtonte kurrfarë fryme e estabilshmentit tradicional amerikan kundrejt problemeve të mprehta, siç ishin edhe raportet e pambyllura në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Një kohë Trumpi u angazhua tepër ta përmbys këtë mendësi amerikane, duke relativizuar sukseset e ekipit të Bil Klintonit (Medlin Olbrajt, Vesli Klark etj) në raport me çështjen e Kosovës në vitet 1988/99 dhe të gjitha veprimet tij shpiejnë në konkludimin se po të mbaronte edhe mandatin e dytë, Trump do të hedhte në erë gjithë atë projekt kolosal që e kishin krijuar Klintonët dhe aleatët e tyre në Londër e Berlin, duke e shndërruar Kosovën në pjesë të një hapësire të përbashkët ekonomike, pa atributet e një shtetit dinjitoz e të pavarur.
Të gjithë ata që ishin të entuziasmuar nga antikultura diplomatike e Trumpit për të ushtruar arrogancë në raport me bashkëbiseduesit (duke i ulur ata para vetes si të ishin fëmijë shkatrraqë që kishin thyer xhamat e fqinjëve),  nuk e di pse nuk iu bënte përshtypje mosnjohja e tij elementare me rrethanat në të cilat kishin kaluar raportet shqiptaro-serbe. Po të ishte ndryshe, ai nuk do t’ia mveshte vetes si sukses të madh  diplomatik “përfundimin e luftës 300 vjeçare në mes të Kosovës dhe Serbisë (!)”, përmes një letre që ishte gjithçka vetëm jo marrëveshje, sepse Kosova dhe Serbia nuk ishin aty palë, por ishin dëshmitarë para noterit ku paraqiteshin do ide futuriste trapiste. Formalo-juridikisht marrëveshjet mbajnë dy apo më shumë nënshkrime në të njëjtin dokument, por kjo nuk ndodhi kështu sepse Serbia ende në Kushtetutën e saj e ka Kosovën si pjesë të saj dhe ky diversion juridik mbi Kosovën askujt në Shtëpinë e Bardhë nuk i ka bë përshtypje. Në fakt, ai dokument në Washington përpos që nxori shumë defekte metodologjike formale juridike, rikonfirmoi edhe aspiratën serbe për mbajtjen peng të Kosovës si shtet jofunksional  në rrjetin destruktiv të merimangës së quajtur enklavizim, përmes projektit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

A kishte rrezik Kosova të bëhej kurban i një Jalte të dytë?!

Betejat politike të Trumpit dhe sejmenti të tij, Richard Grenell, për të siguruar një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ishin projektuar si lojë fluturakësh mbi mullinjtë e erës ku flamuri i fitores duhej të ngulej në Kalamegdan. Në këtë projeksion, Kosova duhej të paraqitej si vilajet pa identitet dhe sovranitet të qartë shtetëror, duke i lejuar Serbisë luksin e të qenit njëfarë reprezentuese e interesave tregtare, infrastrukturore  e gjeopolitike trampiste në këtë pjesë të Europës Juglindore. Si duket, dikush në Shtëpinë e Bardhë kishte nevojë të shlyente njëfarë detyrimi ndaj Rusisë, duke ia përkëdhelur asaj ambiciet e kahershme për një qasje më substanciale në Ballkan, përmes eksperimenteve gjeopolitike, ku Kosova gjithsesi do të duhej të  bëhej kurban i një Jalte të dytë. Rrjedhimisht, ndoshta nuk është krejt e rastësishme edhe fryma që u imponua kohë më parë përmes një debati kontrovers mbi të ashtuquajturin Minishengen, apo mbi shkëmbimin e territoreve, ku hijet e dyshimit preknin edhe njerëz të caktuar në Shtëpinë e Bardhë, të cilët më vonë do të mundohen të mohojnë se kanë qenë argatë të ndonjë kauze të gabuar.

Fatkeqësisht mbi këto kauza u ndërtua edhe diskursi publik i ish presidentit Thaçi dhe ithtarëve të tij, i cili asnjëherë nuk u sqarua deri në fund se kush ishte gjeneratori i ideve kontroverse , të cilat ai i plasonte si të vetat.

Kush e deshi Kosovën si grazhd mercenarësh?

Ndonëse bartësit dhe përhapësit e atyre ideve, hë për, hë ndodhen në situata të palakueshme, përfshi edhe një sejmen në Shtëpinë e Bardhë, që na u pat familjarizua me butaforinë e pakurrizorëve mediatik të Prishtinës, megjithatë Kosova asnjëherë nuk do të mund të lirohet plotësisht nga hijet e së kaluarës sepse ende janë në këmbë (në Beograd) trupat që përpos errësirës prodhojnë edhe acar në klimën politike të rajonit.

Por, ka një shpresë. Ndryshimet politike në Washington dhe në Prishtinë mund të instalojnë një frymë tjetër të mirëbesimit, duke e rikthyer traditën e kahershme të diplomacisë konstruktive amerikane, e kultivuar nga bushët dhe klintonët, në favor të zgjidhjeve që nuk e rrënojnë politikën ndaj Ballkanit, që ata e kishin konstruktuar në fund të viteve nëntëdhjeta dhe në fillim të viteve dymijë.
Në Prishtinë, mund të gjendet ende ndonjë zgjatim mediatik i Grenellit, të cilit ende nuk iu ka tretur në lukth taxhia, por nëse punët shkojnë ashtu siç pritet të ndodhin, atëherë  e vërteta (për të sotmen dhe të ardhmen) do të jetë malli më i shtrenjtë që nuk do të mund të këmbehet me kurrfarë lojaliteti dhe vasaliteti të  atyre që Kosovën e deshën si grazhd mercenarësh e jo si atdhe të tyre.