• Today is: Tuesday, April 23, 2024

LIGËSIA E “TRAMPIZMIT” DHE PASOJAT

fakti
January10/ 2021
E dhimbshme por e vërtetë: Kosova dhe disa politikanë me ose pavetëdije u bënë pjesë e frymës “Trampiste”, duke hyrë në bisedime për ndryshim kufijsh, vite më parë, e së fundi edhe për relativizim të pronësisë së liqenit të Ujmanit…
Imazhi mund të përmbajë: Valentina Saraçini, jashtë dhe Zmadho
Nga Valentina SARAÇINI
Edhe me 6 janar 2021 Donallt Tramp dëshmoi sa dhe si e vlerëson demokracinë dhe Kushtetutën e vendit të tij ShBA…Frymëzoi terrorizëm kundër institucioneve të larta dhe kundër Kushtetutës së ShBA! Mbase duhet të shpresojmë se ai shpejtë do të japë llogari, jo vetëm politike, përpara institucioneve ligjore të ShBA.
Ka vite që Bota ka pasur telashe të mëdha me administratën Tramp…Madje edhe Kosova i ka ndjerë pasojat e “Trampizmit”, përmes të dërguarit të tij Riçard Grenell, ama edhe me “vullnetshmërinë” e ish krerëve të shtetit të Kosovës, me qëllim kinse përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi dhe mbërritjes së “marrëveshjes gjithëpërfshirëse deri dhe njohjen e ndërsjellë”.
Pjesë e këtij procesi, që u “Trampizua”, u bë ideja e famshme matrapaze për ndryshim e herë-herë korigjim të kufirit” mes Serbisë dhe Kosovës…E kam quajtur (qysh në gusht të vitit 2018) një lojë mes kumarxhinjëve por njëherazi një “ lojë zjarri” në kontekstin historik e politik të Ballkanit lehtësisht të trazueshëm…Sepse, sidomos gjatë dekadës së fundit interesi i Rusisë qartazi ka shpërfaqur qëllimin për ta destabilizuar Ballkanin, e të zbehë ndikimin e ShBA, si edhe integrimet euro-atlantike të shteteve të brishta të Ballkanit.
TË SHPALLET E PAVLERË MARRËVESHJA EKONOMIKE KOSOVË-SERBI E NDËRMJETËSUAR NGA DONALLD TRAMP!
E dhimbshme por e vërtetë: Kosova dhe disa politikanë me ose pavetëdije u bënë pjesë e frymës “Trampiste”, duke hyrë në bisedime për ndryshim kufijsh, vite më parë, e së fundi edhe për relativizim të pronësisë së liqenit të Ujmanit…
Pse disa krerë shteti të Kosovës u përfshinë nga qasja “Trampiste”?
Vallë vërtetë kishin qëllim t’i ruajnë dhe t’i përparojnë marrëdhëniet me ShBA, aleatin, mikun më të shtrenjtë dhe hisedarin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës? Apo ishin interesat personale dhe diletantizmi politik, karshi lojës së Serbisë, arsyet pse disa krerë shtetërorë të Kosovës me verbëri politike ndoqën “këshillat” e emisarëve të Donallt Tramp, ndërkohë që mbarë bota demokratike po lebetisej nga sjelljet publike, vendimet dhe deklarimet e Trampit për shumë çështje?
Si ka mundësi t’i bindesh dikujt si Tramp kur mund të dëmtohet rëndë sovraniteti i shtetit tënd?
E tash, pas shpërfaqjes së marrëzisë politike të kryeprotagonistit Trump, frymëzuesit të sulmit të 6 janarit kundër Kongresit të ShBA , shtrohet pyetja: a janë vetëdijesuar pushtetarët aktual të Kosovës se me “aminin” e kujt e kanë negociuar “marrëveshjen finale” dhe “ekonomike” me Serbinë?
Atë marrëveshje që kryeministri Avdullah Hoti dhe partia e tij si edhe koalicioni qeverisës e quajtën marrëveshje HISTORIKE, sot edhe më qartë shihet se në fakt ishte marrëveshje HISTERIKE, brënda fushatës elektorale të Trump-it…
Ajo marrëveshje “ekonomike”, është e dëmshme, e cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës ngase qartë e promovon liqenin e Ujmanit, për herë të parë si çështje për negociim mes Kosovës dhe Serbisë.
Prandaj, përpara se të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, Qeveria në detyrë për hir të interesave shtetërore dhe sovranitetit, le të korigjohet dhe me përkrahje të Kuvendit të Kosovës le ta shpallë marrëveshjen ” historike dhe ekonomike” me Serbin të pavlefshme, me arsyetim se për atë marrëveshje Qeveria e Kosovës ka dhënë pajtim dhe nënshkrim edhe shkaku i presionit të madh, elektoral, të ushtruar nga Presidenti Trump!
Kaq mundet dhe duhet të bëjë LDK!
Anipse jemi në prag të zgjedhjeve, LDK duhet të demonstrojë atdhedashuri – ta pranojë gabimin dhe mungesën e syçeltësisë ndaj një administrate amerikane tërësisht jonormale siç ishte administrata e presidentit Tramp.
Kryeministri Hoti duhet ta shpallë të pavlerë marrëveshjen ekonomike me Serbinë!
Çështjet e tjeta si ajo: Vallë LDK e rrëzoi Qeverinë Kurti për ta marrë pushtetin në kohë pandemie, apo ishte rrjedhojë e presionit “Trampist” do të qartësoheh, shpresoj shpejtë .
Sot është tejet e rëndësishme të hiqet qafe një marrëveshje e dëmshme për Kosovën, sovranitetin dhe integritetin territorial.
TË EVITOHEN URREJTJA DHE FYERJET NË GARËN POLITIKE!
Ashtu si Amerika, edhe vogëlsia e jonë, pra ne në Kosovë, çdo qytetar, militant partiak, partitë politike, mediet duhet të përmbahemi nga shfaqja e urrejtjes ndaj çdokujt që ka simpati, përkatësi e angazhim paritak të kundërt…
Gara politike, debati dhe qasjet programore politike nuk duhet kurrë të prodhojnë armiqësi, urrejtje, fyerje e largqoftë dhunë…
Gara me ide, argumente, bindje dhe veprime politike ka kuptim brenda parimeve demokratike dhe ligjeve të një shteti që synon të jetë shtet ligjor dhe sovran…
E turpshme dhe primitive do të ngelet çdo fushatë partiake apo karrierë individuale politike nëse risjell tash urrejtje në skenën politike dhe mediet në Kosovë e gjetiu, pas krejt përvojave që i pamë e i ndjemë me pasoja të shumta si në Kosovë, ashtu dhe gjetkë, e të cilat kanë ndodhur edhe për shkak të ndikimit të Donallt Tramp, në politikat e tij ndaj vendeve në Ballkan…
Për fatin e gjithë Botës, pas sulmit në kongresin e ShBA, epoka e “Trampizmit” duhet të marrë fund, do të marrë fund!
Mësimi që po merr bota demokratike besoj është edhe ky: Toleranca që pati shoqëria amerikane ndaj një personi, me shenja të qarta të skizofrenisë, narcisoizmit dhe marrëzisë, një bisnesmeni ndër më të pasurit në planetin Tokë, dëshmoi se sa dëmin dhe turpin ja solli ShBA-së, por edhe mbarë njerëzimit, vlerave demokratike e humane, që janë jetike dhe përcaktuese për paqen dhe sigurinë ne Botë.
Kuptohet, pasojat e “Trampizmit” ShBA-ja mundet dhe do t’i evitojë shpejtë.
Porse në Kosovën tonë pasojat nga sjelljet antidemokratike dhe antikushtetuese do të jetë më e vështirë të tejkalohen. Për shembull: Përçarja krahu i luftës-krahu i paqes (që na helmatis edhe pas 20 vjetësh), si edhe pasojat e shkaktuara nga klasa politike që qeverisi keq 20 vjet duke “promovuar dhe miratuar” korrupsionin, vjedhjen e parasë së shtetit, krimin dhe injorancën në çdo hallkë të sistemit, si një mendësi “prijëse” në shoqëri, do të na përcjellin si gogol edhe gjatë zgjedhjeve të shkurtit 2021, e edhe pas tyre. Sepse, në Kosovë gati 20 vjet ka mbretëruar fryma “Trampiste” që lirshëm ka mundur të ketë emërtim të protagonistëve lokal, brenda pushtetit të të gjitha niveleve, brenda ndërmarrjeve publike, agjencive të shtetit, brënda oligarkëve në lulzim e sipër, brenda kapitalistëve të rinjë, (të cilët kujtojnë se bëjnë ç’të duan me vartësit e tyre) siç thoshte Bernard Rasëll…
Kaq shumë janë stërkequr marrëdhëniet dhe raportet politike, profesionale e njerëzore, kaq shumë jemi zhytur në krizë morale, në mbarë shoqërinë, sa që si përmbajte dhe formë “Trampizmi” ka vite e vite që u “përqafua fort” nga politikanë, funksionarë partiak, deputetë, zyrtarë të lartë në administratën e shtetit. Besa “Trampizmi” fort u pëlqye edhe nga disa portale e medie, ish gazetarë si edhe “banalistë” politik…
Si ilustrim m’u kujtua një “kapitalist i ri”, kur më pat thënë: “…Nuk ka më ideal e demokraci…profesionalizëm e parime…Në një trajnim një ligjerues na tha se duhet ta thyesh shpirtnisht vartësin tënd që t’i bindet mendësisë kapitaliste, e kështu bëhesh sipermarrës, biznesmen i suksesshëm…”?!
Si ky personi kemi parë e dëgjuar mbi dy dekada shumë të tjerë, të cilët publikisht e kanë demonstruar se e kanë afinitet personal kapitalizmin e egër, poashtu edhe politikën e kanë si biznes për pasurim personal, pa respektuar parimet demokratike…
KOSOVA NUK I MERITON UDHËT E PRAPAMBETJES!
Pra qasja e shumicës që ka pasur qasje dhe pozita brenda pushtetit, në nivele të ndryshme, kryesisht ka frymuar sipas prirjes, jo të qeverisësh por të sundosh, ose po të bëhesh deputet do të votosh qysh thotë “shefi”, “grupet e interesit” e bën edhe të korruptohesh…Ose, të bësh “biznes”, alias politikë duke shkelur dinjitetin dhe vlerat e çdokujt që nuk i bindet “shefit”! Kur kjo mendësi dhe sjellje bëhet dukuri, dihet se sistemi i vlerave do të ketë përjetuar degradim të madh…
Sidoqoftë, Kosova ka marrë mjaftueshëm edhe mësime nga pësimet! Fatkeqësisht mësimet nuk kanë gjetur zbatim sa ka qenë e nevojshme…Prandaj, kemi shumë pasoja të rënda nga keqbërja e politikave dhe nga vendimet e gabuara.
Por ama ka gjithmonë mundësi për ta bërë kthesën drejt përparimeve. Besoj se edhe ngjarjet e 6 janarit 2021 në Kongresin e ShBA janë mësim i madh edhe për Kosovën dhe të ardhmen e saj, siç janë mësim për gjithë Botën.
Prandaj, fakti se muajin që vjen, kemi zgjedhje parlamentare duhet parë si mundësi e madhe që t’i japim drejtimin e duhur shtetndërtimit dhe forcimit të sovranitetit.
Tash e tutje vetë qytetarët duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj politikbërjes në vendin tonë. Që të ndodhë kjo uroj që qytetarët të votojnë jo për interesa të ngushta klanore, por doemos duhet të votohet për politika dhe politikanë që angazhohen për të drejtat qytetare të barabarta, për shtëtësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për ata që dinë dhe duan ta bëjmë vendin tonë shtet ligjor, me zhvillim ekonomik, me luftë të pandalshme kundër korrupsionit e krimit, me sistem shëndetësor dhe të arsimit që konkurron kudo në Evropë…
Kosova e ka të domosdoshme që t’ia thellojë ndjenjën e perspektivës rinisë.
Kemi rini të shkëlqyer, e cila ka dëshmuar se është e denjë, e ditur dhe e gatshme për ta çuar vendin në rrugë të ndritura, të integrimit Evropian, e që partneritetin me vendet e zhvilluara e bëjnë të mundur!
Kosova nuk i meriton udhët e prapambetjes, hipokrizisë kolektive dhe skizofrenisë politike! Jemi me fat që tash rra “TRAMPIZMI”, që pasqyronte disi edhe të keqiat në vendin tonë ! Jemi me fat që në krye të ShBA po vjen Presidenti i zgjedhur Xho Bajden, një mik i pandalshëm i lirisë, i demokracisë, i shqiptarëve, i Kosovës…Një politikan që na i njeh varret e luftës së fundit, plagët, dhimbjet e ëndrrat tona…
Kujtoj se Kosova po hyn edhe njëherë në një fazë delikate të shtetndërtimit, kur i kërkohet më shumë vendosmëri për ndryshime të mbara, por edhe më shumë dashuri për lirinë, demokracinë dhe respekt për njëri – tjetrin.
Le të tregojë secili javët, muajt e dekadat në vijim sa dimë ta shmangim përçarjen molisëse e goditëse brenda klasës politike, e cila i ka alivanosur disa interesa shtetërore. Le të provojmë t’i shmangim helmatisjet kolektive me zbrazje dhe nxitje të urrejtjes e fyerjeve ndaj kundërshtarëve politikë, mendimit ndryshe, apo rivalëve!
Le ta dëshmojmë se nuk do të “ngrisim” më armiqësi të kota brenda nesh, por do të ngrisim nivelin e sjelljes dhe përgjegjësisë demokratike!
Vetëm kështu si qytetarë të Kosovës sovrane do të dëshmojmë se mudemi ta duam më shumë atdheun dhe kombin, ashtu si edhe vlerat mbarë njerëzore, liridashëse e bashkëpunuse kudo!