• Today is: Monday, November 25, 2024

SI PO PËRBALLET GLOBI ME COVID-19, MBI 1.5 MILION TË PREKUR

EA
April09/ 2020

Numri i të prekurve më koronavirus në botë ka kaluar shifrën prej 1.5 milion.
Sipas “worldometers”, deri të mërkurën në mbrëmje janë regjistruar 1.501.368 raste me Covid-19, ndërkohë kanë vdekur si pasojë e tij 87.834 persona.

Bindshëm numrin më të madh të rasteve e ka SHBA-ja me 422.800, ndërkohë pasojnë Spanja dhe Italia me 146.690, përkatësisht 139.422.

Turqi, numri total i viktimave ka shkuar 812

Kurse numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 është rritur në 38226, pasi 4117 njerëz të tjerë kanë rezultuar pozitivë në teste, treguan të dhënat e fundit të ministrisë së Shëndetësisë.

Deri më tani, gjithsej 1846 pacientë janë shëruar plotësisht nga sëmundja, ndërsa rreth 1.592 të tjerë po mbahen nën kujdes intensiv.

Pas shfaqjes dhjetorin e kaluar në qytetin Vuhan të Kinës, virusi është përhapur në mbarë globin, duke shkaktuar mbi 85 mijë të vdekur, ndërsa mbi 308 mijë janë shëruar deri më tani.

Bilanc i zi në Britani të Madhe – 936 ditën e fundit

Britani ka publikuar shifrat e 24 orëve të fundit në lidhje me Koronavirusin. Zyrtarët kanë konfirmuar që ka qenë dita më e zezë në ishull me 936 vdekje në ditën e fundit.
Numri total i vdekjeve ka shkuar në 7095, ndërsa të infektuar janë 55242. Zona që ka më shumë të vdekur është Londra me 1353 viktima.
Skocia ka 220 viktima, Irlanda e Veriut 63 vdekje, Uellsi 245 vdekje.

Gjendja Boris Johnson po përmirësohet

Boris Johnson u pranua në spitalin e St Thomas të dielën në mbrëmje me një temperaturë dhe kollë të vazhdueshme dhe u transferua në kujdes intensiv të hënën, shkruan Reuters.
Udhëheqësi britanik, i cili rezultoi pozitiv për koronavirusin gati dy javë më parë, ka marrë ndihmë për oksigjenin, por nuk është vendosur në një ventilator.
“E fundit nga spitali është se kryeministri mbetet në kujdes intensiv, ku gjendja e tij po përmirësohet,” tha Sunak në një konferencë të përditshme për qeverinë koronavirus.
“Unë gjithashtu mund t’ju them se ai është ulur në shtrat dhe po bashkëpunon pozitivisht me ekipin klinik.”

Në Itali bie numri i viktimave

Italia ka raportuar të mërkurën 542 të vdekur nga coronavirusi, 62 më pak se të martën. Sipas mediave të huaja,  numri i personave të infektuar është rritur me 1,195 ose 1,3 për qind. Raportohet se numri i personave të shëruar ka shkuar në 26 mijë, ndërsa vetëm ditën e sotme janë raportuar 2,099.

Ndryshe numri i përgjithshëm i rasteve nga coronavirusi në Itali është rritur në 139 mijë, ndërsa 17 mijë persona kanë ndërruar jetë.

OBSH reagon ndaj kritikave të Presidentit Trump

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbrojti të mërkurën me forcë menaxhimin e koronavirusit nga ana agjencisë së tij, në përgjigje të kritikave të Presidentit Donald Trump dhe sugjerimit të tij se mund të rishikojë fondet për OBSH-në.
Tedros Adhanom Ghebreyesus bëri thirrje për unitet dhe për ndaljen e “politizimit” të krizës shëndetësore globale.

“Më të fuqishmit duhet të udhëheqin me shembullin e tyre dhe të vendosin në kuarantinë politilën e COVID-it”,tha ai.

Ai tha se priste që fondet e Shteteve të Bashkuara të vazhdonin me mbështetje tradicionale dypartiake.

Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara i dhanë 400 milionë dollarë agjencisë me qendër në Gjenevë. Faqja e internetit e OBSH-së i radhit Shtetet e Bashkuara si dhuruesin e vet kryesor, duke kontribuar një shumë që përbën pothuajse 15 për qind të buxhetit të saj.

“Ne e kemi informuar botën për të dhënat dhe informacionin më të fundit”, tha zoti Tedros.

Presidenti Donald Trump tha në një konferencë shtypi të martën se Shtetet e Bashkuara do të “ndalnin fondet që shpenzojnë për OBSH-në”,por u duk se u tërhoq më pas kur tha se “do ta shqyrtojmë një gjë të tillë”.

Tedros, hodhi gjithashtu poshtë sugjerimin e zotit Trump se OBSH-ja ishte përqendruar tek Kina, duke thënë se “ne jemi pranë çdo vendi”, raporton VOA.
Dr. Deborah Birx, Koordinatorja e Reagimit ndaj koronavirusit në Administratën Trump, iu bashkangjit akuzave të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, drejt Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gjatë të mërkurës duke thënë se organizata vonoi në deklarimin e shpërthimit të koronavirusit në pandemic globale.
Birx thotë Administrata Trump duhet të fillojë një investigim në lidhje me mënyrën se si janë pranuar raportet dërguar OBSH-së, në kohën kur shpërtheu virusi i ri në Kinë, raporton Daily Mail, transmeton lajmi.net.
“Ne duhet të hetojmë raportimin dhe mënyrën se si raportet u pranuan nga Kina. Unë mendoj se OBSH vonoi shpalljen e pandemisë globale”, bëri me dije ajo përgjatë CBS.
Organizata është bërë shënjestra e fundit e Presidentit Trump, i cili e fajëson trupin shëndetësor të OKB-së për efektet shkatërruese të koronavirusit.

Zvicra gati të lehtësojë masat anti-COVID-19

Zvicra po planifikon të lehtësojë masat që i ka ndërmarrë për të luftuar përhapjen e koronavirusit.
Autoritetet thanë se lehtësimi i masave, mund të bëhet duke filluar nga fundi i prillit.
“Ne e dimë se këto masa janë të vështira për ekonominë dhe njerëzit, por ne gjithashtu kemi planifikuar të lehtësojmë ato nga fundi i prillit”, tha ministri i Shëndetësisë Alain Berset.
Qeveria e Zvicrës tha se do të zgjasë kufizimet edhe për një javë deri në 26 prill, përpara se të shikonte një heqje graduale të tyre.
Masat që ka vendosur Zvicra përfshijnë kontrollet kufitare, mbylljen e shkollave dhe ndalimet e tubimeve.
Vendi mund të përballet me rënien e tij më të keqe ekonomike, tha qeveria, duke parashikuar tkurrjen e saj me 10,4% këtë vit.
Deri më tani, në Zvicër, kanë vdekur 705 njerëz nga koronavirusi, tha të mërkurën, ministria e Shëndetit Publik.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 22.789.

Japonia u ofron falas 20 vendeve ilaçin kundër COVID-19

Japonia ofron falas ilaçin kundër gripit për disa vende, përfshirë Turqinë, për të trajtuar pacientët me koronavirusin e ri (COVID-19), deklaroi ministri i Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi, shkruan Anadolu Agency.

Siç raporton agjencia e lajmeve Kyodo News, Motegi tha se 20 vende mund të marrin ilaçin Avigan, i cili aktualisht po kalon teste klinike, përfshirë Turqinë, Bullgarinë, Çekinë, Indonezinë, Iranin, Mianmarin dhe Arabinë Saudite.

“Tridhjetë vende të tjera kanë shfaqur interes për ilaçin”, tha Motegi para gazetarëve.

“Ne do të punojmë me vendet e interesuara për zhvillimin e studimeve klinike të Avigan ndërkombëtarisht”, u shpreh ai.

Avigan, i njohur gjithashtu si Favipiravir, është një ilaç antiviral i zhvilluar nga Toyama Chemical e Japonisë për të trajtuar gripin, por studiuesit në Kinë thonë se ka efekt edhe ndaj koronavirusit.

Japonia ka mbi 4.250 raste të konfirmuara me COVID-19 ndërsa 93 kanë vdekur.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe të martën shpalli gjendje të jashtëzakonshme njëmujore në të paktën 7 prefektura nga 47, përfshirë Tokion, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Masat e reja i lejojnë pushtetit lokal të ndërmarrë hapa më rigoroze parandaluese, përfshirë kërkesën për të qëndruar në shtëpi dhe të kufizojë funksionimin e shkollave dhe shërbimeve të tjera.

Që kur u shfaq në Wuhan të Kinës, dhjetorin e kaluar, koronavirusi është përhapur në mbarë globin, me numrin e rasteve të konfirmuara që tani tejkalon shifrën 1.42 milionë persona./ Gazeta FAKTI

 

 

 

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>