Akuzat ‘hidh e prit’ mes Ramës dhe Bashës për bashkëpunimin me Serbinë në dëm të luftës çlirimtare të UÇK-së, janë përpjekje të shëmtuara dhe dinake për t’i ikur përgjegjësisë që Tirana zyrtare ka ndaj çështjes kombëtare.
Nga Koço Kokëdhima
Elita e vjetër politike e Shqipërisë, në dy dekada, të vetmin merak për Kosovën, pati imponimin e modelit antidemokratik, të korruptuar, të paaftë e servil me të huajt që ka instaluar këtu. Shqipëria dhe Kosova sot vuajnë njësoj nga krimi, korrupsioni, largimi i rinisë dhe i njerëzve të ditur, janë njësoj më të vogla, më të dobëta dhe më të damkosura se kurrë më parë.
Janë ende me mijëra shqiptarë të zhdukur, qindra mijëra dëshmitarë të gjallë të vrasjeve barbare, rrëmbimeve, përdhunimeve, djegieve të qyteteve dhe fshatrave të Kosovës nga ushtria serbe dhe çetnikët, por Shqipëria si anëtare e Këshillit të Europës nuk e ndihmoi Kosovën për ta çuar atje dosjen akuzuese për krimet e shtetit serb, që sot fërkon duart i veshur me mantelin e viktimës.
Përkundrazi, si thikë pas shpinës së Kosovës martire u bënë plane për ndryshimin e kufijve, këmbimin e trojeve shqiptare po me troje shqiptare gjoja në emër të paqes në rajon e u mbështet ‘minishengeni’ që i vë shtetet shqiptare nën dominimin sllav.
Më 15 maj 2019, Kuvendi i Kosovës, miratoi Rezolutën për “Gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe të luftës së ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”, ku përmenden të gjitha vendet ku janë kryer masakrat, vrasjet, dhunimet seksuale si dhe dëbimi i më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova në mars-qershor 1999 dhe ku kërkohet që autorët e krimeve kundër njerëzimit, luftës dhe gjenocidit të dalin para drejtësisë.
Parlamenti i Shqipërisë nuk e ka bërë dhe nuk pres ta bëjë, sepse këtë detyrë atdhetare s’mund ta përmbushin të emëruarit memecë dhe servilë që votojnë vetëm ligje që grabitin dhe zhbëjnë vendin.
Ky do të jetë detyrimi ndaj çështjes kombëtare të një parlamenti me të zgjedhurit nga shqiptarët. Atëherë në bankën e të akuzuarve do të ulen ata që kryen krime dhe gjenocid në Kosovë.
*Komenti i kryetarit të partisë “Zgjidhja”