• Today is: Monday, November 25, 2024

Ne jemi ekspertë të mbërritjes me vonesë

fakti
January10/ 2021

I vetmi bllokim trafiku që na vonon janë qeveritë të cilat ne kemi 30 vjet që i zgjedhim. Mos gjetja e vetme e adresës që na vonon është ajo në të cilin partitë kërkojnë të marrin vota dhe ne duke mos parë orën që ka ikur, i votojmë si përfaqësues të një takimi që tashmë ka mbaruar dhe ku ne nuk do mundemi kurrë të jemi dot prezent.

Nga Meri Lika

Ne shqipëtarët jemi ekspertë tëmbërritjes me vonesë! Po po mos u çudisni, është pikërisht kështu.

Ne gjithmonë e kemi një justifikim në lidhje me zakonin për të qenë vonë për gjithçka: “kishte një bllokim në trafik”, “mbledhja mbaroi më vonë se sa duhej”, “nuk gjeta dot parkim”, “nuk po gjeja dot adresën” etj…
Kjo cilësi e jona duket si një e keqe më e madhe dhe më ngjitëse se covid-19, dhe gjëja më e keqe është se për të nuk ka as ilaç e as vaksinë.

Jemi të dënuar të jemi të vonuar.

Ne qytetarët e zakonshëm jemi vonë për mbledhje dhe takime, kurse qeveritë tona janë vonë për çdo gjë që për pjesën tjetër të botës është emergjencë.

Në pjesën tjetër tëbotës, ndërtimi i një linje metroje është diçka që qytetet e mëdha e kanë pasur si përparësi për dekada. Këtu tek ne, ngazëllehemi se e propozon një parti ndërkohë që partia tjetër sapo vjen në pushtet e kthen pas projektin, pra bota udhëton nëpër metro tash sa vite e ne ende nuk e kemi vendosur a duhet ta kemi apo jo dhe vazhdojmë të harxhojmë miliona euro në rrugë e projekte qëi bëjmë e i ribëjmë për të shfryrë trafikun.

Pjesa tjetër e botës, hapjen e një tuneli në një mal për të shpejtuar transportin rrugor e ka diçka normale dhe të zakonshme. Këtu tek ne kthehet në një aheng me saze e gërneta, me pllaka gjigande inaugurimi, sepse më në fund vendosëm të çajmë një mal e të hapim një tunel, për të cilin do na duhen 15 vjet për ta bërë realitet dhe miliona euro që ikin e nuk dihet se ku shkojnë.

Çfarë mund të bëjmë që qeveritë tona të ndryshojnë atë qëndrim i cili na çon ne shqiptarëve të festojmë prapambetjen tonë sikur të ishte një arritje?
Mos ndoshta dënimi për të qenë vonë për gjithçkaështë, si dhuna shtetërore, një tjetër virtyt por tashmëtragjik i vendit, nga i cili nuk shpëtojmë dot?

Pjesa tjetër e botës ka filluar të vaksinojë popullsinë ndaj Covid-19 kurse qeveria jonë në çdo dalje na lajmëron se vaksina do të vijëshpejt, madje shumë shpejt por kjo shpejt me sa duket do të bëhet shumë vonë.

Rasti i pasigurisë për mbërritjen e vaksinave kundër covid-19 është një shembull i shkëlqyeshëm sesi ne nuk kemi aspak turp të vonohemi për gjërat më të dukshme dhe më të rëndësishme.

Është për t’u habitur se ndërkohë që bota ka filluar të vaksinohet për herë të parë, në Shqipëri nuk ka as një plan real dhe të besueshëm që na lejon të projektojmë se si do të jetë procesi i vaksinimit për të gjithë ne.
Kush është fajtor për një gabim të tillë?
Mos u bllokua trafiku?
Mos jemi vonuar sepse zgjati më shumë se sa duhet takimi i mëparshëm?
Mos vallë nuk po e gjejmë dot adresën e laboratorëve?

I vetmi bllokim trafiku që na vonon janë qeveritë të cilat ne kemi 30 vjet që i zgjedhim. Mos gjetja e vetme e adresës që na vonon është ajo në të cilin partitë kërkojnë të marrin vota dhe ne duke mos parë orën që ka ikur, i votojmë si përfaqësues të një takimi që tashmë ka mbaruar dhe ku ne nuk do mundemi kurrë të jemi dot prezent.