Kryedemokrati në senat, Chuck Schumer, tha të enjten se presidenti Donald Trump duhet të shkarkohej menjëherë nga detyra pasi nxiti rebelimin në godinën e Kongresit.
“Ajo që ndodhi në godinën e kongresit, një ditë më parë, ishte një rebelim kundër Shteteve të Bashkuara, i nxitur nga presidenti. Ky president nuk duhet të mbajë postin as edhe një ditë më tepër. Mënyra më e shpejtë dhe më efikase për ta hequr këtë president, është të evokohet amendamenti i 25. Nëse zëvendës presidenti dhe kabineti refuzojnë ta bëjnë këtë, atëherë kongresi duhet të kërkojë hetimin e presidentit” tha Schumer.
Kërkesa e Schumer vjen vetëm dy javë para se Trump t’ia dorëzojë pushtetin presidentit të zgjedhur Joe Biden. Schumer kërkoi ndërhyrjen e zëvendëspresidentit Pence, që zemëroi Trumpin të mërkurën duke pranuar se ai nuk mund të ndryshonte rrjedhen e disfatës së tyre elektorale në Kongres. Senatori i Nju Jorkut, i kërkoi Pence t’i referohet Amendamentit të 25 në të cilin kabineti, me shumicë votash, mund të shkarkojë presindetin për paaftësi për t’i shërbyer vendit. Por i pyetur nga gazetarët, nëse do ta bëjë këtë, Pence nuk pranoi të përgjigjej….
Kërkesa për evokimin e Amendamentit të 25 të Kushtetutës, është mbështetur edhe nga disa republikanë. Mes tyre Adam Kinzinger, përfaqësues i Illinoisit, po ashtu ftoi zëvendëspresidentin të ndërhyjë. Amendamenti 25, i ratifikuar më 1967 dhe i miratuar pas vrasjes së presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, ka të bëjë me zëvendësimin e postit të presidentit dhe paaftësinë për të kryer detyrën.