• Today is: Monday, November 25, 2024

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë mbahen më 14 shkurt 2021

fakti
January07/ 2021
U.d. Presidentja Osmani shpërndanë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të  Kosovës dhe i cakton zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt. Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese: Aktgjykimi është i dedikuar për Etem Arifin, jo për Albin Kurtin

Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr. Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme.

Më këtë vendim KQZ-ja është udhëzuar t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës. U.d. Presidentja po ashtu ka nxjerrë Dekret për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë hoti u publikua sot, në këtë vendim thuhet se zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më larg se 40 ditë pas publikimit të këtij vendimi.

Ky vendim thotë:

Gjykata rikujton që Qeveria e votuar përmes Vendimit nr. 07/V-014 të Kuvendit, të 3 qershorit 2020, është bazuar në Dekretin e Presidentit nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, të nxjerrë bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, përkatësisht në tentativën e dytë për zgjedhjen e Qeverisë. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton interpretimin e dhënë në Aktgjykimin KO72/20 ku kishte theksuar se “zgjedhjet do të jenë të pa evitueshme në rast të dështimit të zgjedhjes së Qeverisë edhe në tentativën e dytë, […] me ç’rast, bazuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, Presidenti shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Në dritën e kësaj, Gjykata thekson se në rastin konkret vihet në lëvizje paragrafi 4 i nenit 95 të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese: Aktgjykimi është i dedikuar për Etem Arifin, jo për Albin Kurtin

 

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese Kadri Kryeziu ka thënë se vendimi i Kushtetuese duhet të zbatohen nga të gjitha institucionet shtetërore.

Kryeziu në “Debat Plus” thotë se aktgjykimi është dënues pavarësisht se është i lehtë.

“Vendimi është i dedikuar për Etem Arifin e jo për Albin Kurtin. Në vendim ka vetëm konstatime…Megjithatë vendimet duhet të jenë të qarta për qytetarët, e jo vetëm për juristët”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se një normë kushtetuese nuk guxon ta shkatërron shtetin. Kryeziu thotë se Gjykata nuk guxon askujt t’ia ndalojë mandatin, por proklamon normën gjyqësore.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese ka arsyetuar edhe vonesën në shpalljen e këtij vendimi.

“Vendimi është dashur të përkthehet në gjuhën serbe dhe atë turke, pasi ai vendim është dashur të dedikohet edhe për deputetët e komuniteteve”, tha ndër të tjera Kadri Kryeziu.