• Today is: Monday, November 25, 2024

Si ua mori Ali Pasha britanikëve Pargën?

fakti
January06/ 2021
Në pranverë të vitit 1819 britanikët ia dorëzuan qytetin Ali Pashës, kurse banorët, në mesin e tyre mbi 800 familje suliote, kaluan në Korfuz që britanikët e kishin okupuar nga francezët më 1814. Njëkohësisht, shtetet tjera filluan ta urrenin Britaninë dhe e krijuan shprehjen ironike:’britanikët t’shesin te Ali Pasha’.
Nga Dr. Daut DAUTI/Londër
Ujdhesa e Visit që sot i takon Kroacisë, ujdhesa e Korfuzit dhe qyteti Parga janë okupuar nga britanikët gjatë luftërave të Napoleonit.
Britanikët Visin e morën në vitin 1809 dhe menjëherë aty e ndërtuan një kazermë të madhe, muret e së cilës shihen edhe sot. Pas zbarkimit forcat britanike nuk patën ndonjë përleshje ushtarake me askend kështu që ushtarët kohën e kalonin duke u rrezitur dhe në flladin e pasditës luanin kriket që është një sport shumë i dashur i anglezëve. Ky sport monoton nga njëherë vëzhgohej me çudi nga vendasit.
Pasi që Napoleoni u mund, britanikët nuk shihnin asnjë arsye të qëndronin më tutje në këtë vend të largët për ta. Prandaj, ia dorëzuan austrakëve më 1815. Sado shkurt që qëndruan në këtë ujdhesë, britanikët pas e lanë kujtesën për kriketin. Si ndikim britanik, sot Visi ka klub të kriketit që është mjaft gjë e çuditshme.
Gati pas një shekulli e gjysmë Visi u bë sërish vend i interesit britanik. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Londra e dërgoi Fitzroy MacLean-in si oficer ndërlidhës në shtabin e Titos. Nga një shpellë e Visit që gjendej në maje të një kodre, Tito, shpesh nën këshillat e MacLean-it, i udhëhiqte forcat partizane. Visi, nën sygjerimin e MacLeanit, një kohë funksionoi edhe si bazë e aviacionit britanik.
Visi te britanikët, në letërsi dhe kinematografi e ka edhe një domethënie tjetër. Maclean është konsideruar si oficer avanturist i cili nuk iu ka prituar situatave të rrezikshme dhe ka qenë mik i ngushtë i Ian Flemingut. Konsiderohet se Fleming, duke qenë i inspiruar nga tregimet avanturistike të MacLean-it, me novelat e tija e ka krijuar James Bondin, agjentin e famshëm britanik 007.
Sidoqoftë, kur britanikët u larguan nga Visi, po atë vit (1815) e okupuan Pargën e cila gjendej nën sundimin francez. Parga ka qenë vend të cilit Ali Pashë Tepelena që moti ia kishte vënë syrin. Por, kur Parga ra nën britanikët, Ali Pasha i ndali sulmet dhe presionet pasi që strategjia e tij ishte që të mos prishej me Londrën. Megjithatë, Ali Pasha vazhdimisht ua bënte me dije britanikëve për aspiratat e tija ndaj Pargës. Një ditë, gjatë vitit 1818, Ali Pasha e dërgoi një delegacion te britanikët për t’i pyetur nëse do t’ia shitnin Pargën. Pasi që britanikët nuk kishin interes të hynin në luftë për këtë qytet, pranuan dhe Ali Pasha ua numëroi paratë (£ 124 000).
Në pranverë të vitit 1819 britanikët ia dorëzuan qytetin Ali Pashës, kurse banorët, në mesin e tyre mbi 800 familje suliote, kaluan në Korfuz që britanikët e kishin okupuar nga francezët më 1814. Suliotët ishin në armiqësi me Ali Pashën dhe nuk mund ta pritnin ardhjen e tij. Por, ata dhe banorët tjerë të Pargës u kompenzuan nga britanikët me paratë e Ali Pashës. Ky akt pati jehonë të madhe në Britani dhe vende tjera ku Ali Pasha doli personalitet edhe më i rëndësishëm se që mendohej. Njëkohësisht, shtetet tjera filluan ta urrenin Britaninë dhe e krijuan shprehjen ironike:’britanikët t’shesin te Ali Pasha’.
Ali Pasha në programin e zgjerimit të territorit të tij e përfshinte edhe Korfuzin. Por, me prezencën e britanikëve kjo ishte aspiratë që nuk realizohej. Kjo nuk ishte vetëm punë e alencës së Pashës me britanikët. Më shumë ishte gjendje faktike pasi që në Korfuz britanikët kishin koncentruar armatë dhe marinë të pathyeshme dhe kishin planet e veta.
Megjithatë, më 1864 britanikët u larguan edhe nga Korfuzi kur tanimë shteti grek ekzistonte. Prandaj, Korzufin ia falën Greqisë me qëllim që ta forconin këtë shtet dhe ta dobësonin Perandorinë Otomane. Gjatë kësaj periudhe të sundimit britanikët krijuan një infrastrukturë solide në Korfuz. Por, ndikimi kulturor britanik nuk ka qenë i fuqishëm dhe mezi vërehet. Natyrisht, edhe Korfuzi është vend ku si traditë ka mbetur kriketi që luhet edhe sot.
Kjo ka qenë një periudhë e shkurtër e përfshirjes së drejtëpërdrejtë të britanikëve në Ballkan. Adriatiku dhe Joni, sikur edhe pjesa tokësore ballkanike, nuk kanë paraqitur interesim për britanikët. Londra interesohej vetëm për Mesdheun i cili nuk mund të rrezikohej nga Adriatiku