Presidenti amerikan Donald Trump “thjesht e ka gabim” kur flet për parregullsitë zgjedhore në Xhorxhia, tha të hënën zyrtari më i lartë zgjedhor i këtij shteti, i cili të shtunën refuzoi kërkesën e zotit Trump që ai t’i gjente vota të mjaftueshme për ta kthyer në fitore humbjen prej 11,000 votash në Xhorxhia ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Sekretari i Shtetit i Xhorxhias Brad Raffensperger, që është zyrtari i zgjedhjeve në këtë shtet, tha për programin “Good Morning America” në kanalin ABC News se gjatë telefonatës prej një ore që ai dhe zoti Trump patën të shtunën, u bë e qartë se Presidenti vazhdon të besojë në teoritë e pabaza për mashtrim në zgjedhje dhe që, sipas tij, bënë që të 16 votat elektorale të Xhorxhias t’i kalonin rivalit Biden.
“Ai foli shumicën e kohës. Ne dëgjuam shumicën e kohës,” tha zoti Raffensperger. “Të dhënat që ka ai janë thjesht gabim. Ai ka të dhëna të gabuara.”
“Gjatë dy muajve të fundit, ne vazhdojmë të bëjmë luftë me thashethemet”, tha zoti Raffensperger. “Kjo ishte mjaft e qartë shumë herët, kur ne hodhëm poshtë si të pavërtetë secilën prej atyre teorive që kanë qarkulluar. Por Presidenti Trump vazhdon t’i besojë atyre. Ne mendojmë se e vërteta ka rëndësi.”
Të hënën, zoti Trump, i cili ka refuzuar të pranojë humbjen ndaj Presidentit të zgjedhur Biden, e vazhdoi në Twitter sulmin e tij për rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se në mbrëmje, ai do të zbulonte “numrat e vërtetë”, kur të shkonte në Xhorxhia për të bërë fushatë për dy senatorë republikanë që përballen të martën në balotazh me dy sfidues demokratë.
“Si mund të çertifikosh zgjedhjet, kur numrat që çertifikohen janë të GABUAR dhe kjo mund të verifikohet”, tha Trump në një koment që Twitter-i e etiketoi si “të debatueshëm”.
Në telefonatën me sekretarin e shtetit të Xhorxhias, Presidenti Donald Trump paraqiti një sërë kalkulimesh të paqarta dhe pretendimesh të rreme, duke kërkuar përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhje.
Lutja e tij drejtuar zotit Raffensperger për të “gjetur” vota shtesë për të është dënuar nga një numër personalitetesh politike, kur regjistrimi i plotë i bisedës u publikua të dielën pasdite nga gazeta Washington Post.
Zëvendës Guvernatori i Xhorxhias, Geoff Duncan, i tha televizionit CNN: “Mund t’ju them me 100 për qind siguri se (biseda) ishte e papërshtatshme dhe sigurisht që nuk e ndihmoi situatën. Ajo ishte e bazuar në keqinformime. Ishte e bazuar në të gjitha llojet e teorive që janë hedhur poshtë dhe përgënjeshtruar gjatë 10 javëve të fundit.”
Senatorja republikane Marsha Blackburn e shtetit Tenesi, një mbështetëse e vendosur e zotit Trump, tha në programin “Fox & Friends” të televizionit Fox News se lutja e Presidentit Trump për më shumë vota për të përmbysur rezultatin në Xhorxhia nuk ishte “e dobishme”.
Senatori Demokrat Dick Durbin i shtetit Ilinoi, kritik i zotit Trump, tha në një deklaratë se “përpjekja e turpshme e presidentit për t’i bërë presion një zyrtari të zgjedhur që ai të ndryshojë dhe keqinterpretojë qëllimisht totalin e votave të konfirmuara ligjërisht në shtetin e tij, godet në zemër të demokracisë sonë dhe nuk meriton asgjë më pak sesa një hetim penal”.
Michael Bromwich, ish-inspektor i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë, tha në Twitter: “Nëse nuk ka ndonjë pjesë të regjistrimit audio ku të mohohet disi qëllimi kriminal”, kur i kërkohet zotit Raffensperger që t’i gjejë më shumë vota, atëherë “mbrojtja e tij më e mirë do të ishte të deklarohet se ishte i çmendur”.
Kërkesa e Presidentit Trump për zotin Raffensperger vjen në prag të votimit të planifikuar të mërkurën në Kongres për të konfirmuar fitoren e zotit Biden 306 me 232 në Kolegjin Zgjedhor, që e bën atë presidentin e 46-të të vendit, kur ai dhe Zëvendës Presidentja e zgjedhur Kamala Harris të inaugurohen më 20 janar.
Në prag të çertifikimit nga Kongresi të rezultatit të zgjedhjeve, më shumë se 100 ligjvënës republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 12 senatorë thanë se po planifikojnë të kontestojnë fitoret me rezultat të ngushtë të zotit Biden në shtetet fushë-betejë.
Por demokratët, të cilët kontrollojnë Dhomën, janë të sigurt se do ta çerfifikojnë fitoren e Presidentit të zgjedhur Biden, ndërsa pakica demokrate në Senat, së bashku me udhëheqësit kryesorë republikanë të Senatit, të cilët e kanë pranuar fitoren e zotit Biden dhe kundërshtojnë sfidën e kolegëve të tyre republikanë, gjithashtu pritet ta çertifikojnë rezultatin e zgjedhjeve në favor të zotit Biden.
Edhe nëse Presidenti Trump do ta përmbyste rezultatin në Xhorxhia, zoti Biden përsëri do të kishte më shumë vota elektorale se sa pragu prej 270, i nevojshëm për të fituar presidencën, i nevojshëm për të fituar presidencën./ VOA/