”Bolero në vilën e pleqve” e ka bërë Spartak Pecani, i cili për realizimin e skenarit ka bashkëpunuar edhe me Linda Fejzaj . Një prej roleve të dalluara i është besuar artistes nga Shkupi, Gentiana Ramadani, e cila dëshmoi një performansë të shkëlqyer aktoriale
Filmi shqiptar “Bolero në vilën e pleqve”, me regji nga Spartak Pecani dhe me skenar nga Linda Fejzaj, ka fituar dy çmime ndërkombëtare. Çmimet a marra janë “Filmi më i mirë” në “Paris Play International Film Festival” në Francë dhe “Skenari më i mirë” në “Fusion Film Festival”, në Varshavë të Polonisë.
Lajmin e dha aktori Afrim Muçaj, përmes rrjetit social Facebook.
Ky konsiderohet edhe një sukses i përbashkët i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në fushën e kulturës.
Në këtë film luajnë aktorët Robert Ndrenika Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Afrim Muçaj, Olta Gixhari, Olta Daku,Ledjon Zoi etj.
Kamera Latif Hasolli ndërsa kostumografi është realizuar nga Gerta Oparaku. Regjinë e filmi ”Bolero në vilën e pleqve” e ka bërë Spartak Pecani, i cili për realizimin e skenarit ka bashkëpunuar edhe me Linda Fejzaj.
“Të jesh skenarist është si një pasaportë, e cila të jep krenari. Por le të jemi të sinqertë dhe korrekt, kjo është fitorja e të gjithë grupit.” Pa një skenar, nuk ka asnjë film, por asnjë skenar nuk do të shkëlqejë pa angazhimin dhe aktrimin e aktorëve, puna e shkëlqyeshme e regjisorit apo produksioni apo muzika. Ky film është një subjekt 100 përqind shqiptar, por që ka një tematikë universale. Ai zbulon misteret, dramat, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura. Drama ka “luftë të brendshme”, elektricitet, gjendje e situata shpeshherë absurde, por që marrin zgjidhje shpesh befasuese. Në këtë përplasje të dy botëve, bota e një brezi të vjetër që e duan njëri-tjetrin me frymën e fundit dhe brezi i ri, që sfidojnë të gjitha moralet dhe konventat. E kam shijuar këtë skenar, këtë film, këto xhirime, kontakti i përhershëm me regjisorin me aktorët, i jepnin edhe më shumë vlerë bashkëpunimit”, ka thënë Linda Fejzaj, bashkë-autorja në film.
Ngjarjet vendosen në Tiranë dhe skenaristja Linda Fejzaj tregon se në qendër të këtij skenari është jetesa e një çifti në moshë superiore, që në vitet e fundit të jetës të tyre, edhe pse kanë tre fëmijë, ju duhet të jetojnë vetëm.
Në film, sipas skenaristes gjatë gjithë kohës këtë marrëdhënie të tyre e shoqërojnë tingujt e magjishëm të pianos “Bolero” e Ravelit.
Në qendër të filmit një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundjetën e tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëj që ajo të shkoj përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbiroj mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Dhe nuk mbaron këtu.
Ky film është prodhim i kompanisë “Eclipse SA Film” dhe produksionit Adrian Morina, mbëshetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri dhe Qendra Kinematografike e Kosovës./ Gazeta FAKTI