• Today is: Sunday, November 24, 2024

Hungaria, bazë e kundërzbulimit rus në Evropë?

fakti
December27/ 2020
A punon shefi juaj për Moskën?”

Kjo është një pyetje që nuk dëshiron ta dëgjojë asnjë oficer perëndimor i kundërzbulimit nga homologët e tij në vendet e tjera të NATO-s, por për oficerin Ferenc Katrein kjo nuk ishte një pyetje aq e rrallë gjatë shërbimit të tij rreth 15 vjeçar në Zyrën për Mbrojtjen e Kushtetutës së Hungarisë.

Më i rëndë është fakti që ai vetë mendonte se kishte arsye për dyshime rreth shërbimit hungarez të inteligjencës.

Pesë vjet e gjysmë më parë, zoti Katrein u largua nga agjencia hungareze e kundërzbulimit, ku ai u ngrit deri në postin e kreut ekzekutiv të operacioneve dhe më pas në atë të këshilltarit kryesor të drejtorit të agjencisë. “Ekziston një pikë kur duhet të thuash ‘mjaft’,” tha ai për Zërin e Amerikës, ndërkohë që pinte kafe pranë një stacioni hekurudhor.

“Kjo kishte të bënte me disa gjëra që më kërkoheshin të bëja, që për mendimin tim nuk ishin të drejta, dhe njëkohësisht bllokonin punën për gjërat që unë mendoja se duhej t’i bënim”, shton ai.

Kupa u mbush për oficerin Ferenc, kur ai u pengua në operacionet kundër aktivitetit të inteligjencës ruse në Hungari, mes tyre edhe një operacion që kishte si objektiv përpjekjet për të rekrutuar zyrtarë rusë si agjentë të dyfishtë.

Katrein, i cili tani jeton jashtë Hungarisë, pranoi të intervistohej nga Zëri i Amerikës në klimën e një stuhie politike në Budapest, lidhur me një vendim të debatueshëm të qeverisë së Kryeministrit Viktor Orban për të pranuar zhvendosjen në kryeqytetin hungarez të një banke zhvillimi të kontrolluar nga Rusia, e cila ka një histori ndërhyrjesh në Hungari gjatë Luftës së Ftohtë.

Komekon, që tani njihet si Banka Ndërkombëtare e Investimeve, drejtohet nga Nikolai Kosov, prindërit e të cilit kishin poste të larta në agjencinë sovjetike të spiunazhit, KGB.

Politikanët e opozitës në Hungari, si dhe zyrtarët perëndimorë të sigurisë, kanë shprehur shqetësim se banka do të përdoret si mbulesë për aktivitetet ruse të spiunazhit në Evropë.

Katrein ndan këtë shqetësim, prandaj pranoi të intervistohej nga Zëri i Amerikës dhe të diskutonte mbi politizimin e shërbimeve sekrete hungareze si dhe për kërcënimin rus ndaj Evropës.

“Rusët do ta shfrytëzojnë bankën, ashtu siç po i shfrytëzojnë kompanitë dhe organizatat e tjera shtetërore që hapin zyra jashtë vendit, për qëllime zbulimi”, thotë ai. “Është shqetësuese për mua, si ish oficer kundërzbulimi, që kjo bankë lejohet të rivendoset në Budapest,” shton ai.

Banka i ka mohuar akuzat se drejtori i saj është i lidhur me shërbimet ruse të kundërzbulimit.

Por Katrein thotë se agjencia, në të cilën ai ka punuar, nuk do të ketë burime dhe personel të mjaftueshëm për të monitoruar aktivitetet e bankës dhe punonjësve të saj. Qeveria e Kryeministrit Orban i ka dhënë imunitet diplomatik bankës, duke e mbrojtur edhe më tej atë. Ai beson se zoti Orban dëshiron të hedhë në konflikt Rusinë dhe Perëndimin.

“Të gjitha shërbimet ruse (të inteligjencës) – GRU, FSB dhe SVR – janë shumë aktive në Hungari dhe atyre u është dhënë liri në veprimet e tyre, për mua kjo është problematike. Nuk ka patur asnjë përpjekje për t’i kufizuar ose kontrolluar ato. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe kemi përgjegjësi ndaj aleatëve tanë. Disa prej nesh filluan të pyesnin: ‘Kush është partneri ynë, NATO-ja apo rusët? Pyetja shtrohej brenda ndërtesës. Nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte”, thotë ai.

Gabimi i parë që bëri Hungaria pas rënies së komunizmit ishte mos pastrimi rrënjësor i agjencive inteligjente të vendit. “Ne nuk bëmë atë që bënë çekët apo atë që ndodhi me shërbimet e inteligjencës në vendet baltike. Ata i rindërtuan të gjitha agjencitë e tyre të zbulimit nga e para, me ndihmën e britanikëve”, thotë Katrein.

Politizimi dhe demoralizimi i agjencisë së kundërzbulimit filloi në vitin 2007, një dekadë pas anëtarësimit të Hungarisë në NATO. Gjatë administratës socialiste të Ferenc Gyurcsany-it, shefi i kundërzbulimit kërkoi ndihmën e operativëve rusë për të zbuluar rrjedhjen e informacioneve nga partia e tij tek Viktor Orbani. Kjo ngriti dyshime tek agjentët e kundërzbulimit hungarez.

Sipas oficerit Katrein, politizimi i agjencisë hungareze të kundërzbulimit vazhdoi edhe gjatë administratës së Orbanit, i cili në vitin 2010 fitoi zgjedhjet, duke zëvendësuar Kryeministrin Gyurcsany. Rreth 100 specialistë me përvojë të zbulimit u larguan nga agjencia e kundërzbulimit në tetë vitet e fundit, të irrituar nga pengesat e krijuara në lidhje me luftimin e aktivitetit rus të spiunazhit.

“Hungaria po përdoret si bazë logjistike për të nisur operacione në vendet e tjera të Bashkimit Evropian,” shpjegon Katrein. “Ata mund të organizojnë operacione dhe misione në Hungari pa shumë shqetësime,” shton ai.

I pyetur se si ai do ta karakterizonte kërcënimin nga spiunazhi rus dhe masat e tij aktive ndaj Evropës, ai nuk hezitoi të thoshte: “Është i rëndë”. Ai thotë: “nuk kam probleme me rusët. Më pëlqen kultura e tyre. Por qeveria ruse është shumë agresive kundër Bashkimit Evropian. Nuk duhet t’i nënvlerësoni këta njerëz”. /VOA