• Today is: Saturday, April 27, 2024

Edi Rama flet për marrëdhënien me të atin dhe divorcin

fakti
December26/ 2020

Në një intervistë në “Opinion” me Blendi Fevziun, kryeministri Edi Rama u ndal ndër të tjera edhe te raporti me të atin, skulptorin Kristaq Rama, si edhe marrëdhëniet e mëparshme.

I pyetur nga Fevziu se çfarë raporti kishte me të atin, Rama u shpreh:

“Babai ka qenë një dhuratë e Zotit për mua në sensin që ai nuk është përpjekur asnjëherë të më imponohet. Nuk mbaj mend të ketë ngritur dorën ndaj meje, apo dhe më pas kur unë fillova t’i jepja gojës, ai të imponohej ose të kërkonte që unë të mbyllja gojën.

E vetmja gjë, në rastet kur kishim debat ose mosdakordësi, unë kam qenë fëmijë goxha rrebel në aspektin e debatit, ishte që në fund thoshte: Dakord, po unë me timen ti me tënden, me këtë mendje që ke mund të përfundosh edhe në burg, por puna jote. Ka qenë shumë liberal në raport me mua. Më ka dhënë mundësinë që unë të jem unë. Në aspektin artistik nuk ishim në një vijë, por në atë pikë im atë ishte shumë përpara meje, në aspektin e tolerancës apo mirëkuptimit.”

Kryeministri Rama flet për marrëdhënien me të atin dhe

Kryeministri u shpreh se është me fat që është bashkëshorti i Linda Ramës. Në vijim, Fevziu e pyet se çfarë nuk ka funksionuar në raportin e tij me gratë.

“Së pari unë e thashë që më parë, që jam me fat që jam burri i Lindës dhe kam Lindën në krah prej 10 vjetësh, gjë që ma ka bërë shumë të largët kohën e mëparshme. Së dyti unë mendoj që në jetën e njerëzve, pjesa personale, private, është shumë individuale, e veçantë për secilin dhe është e vështirë që nga larg ta gjykosh. Nuk është e mundur. Unë nuk kam dashur asnjëherë të jem njeriu që jap mend. Në jetën private, të gjithë janë të lirë të bëjnë atë që mendojnë. Për hir të së vërtetës kam patur thjesht raporte që në një moment të caktuar nuk kanë funksionuar dhe janë ndërprerë në mënyrë civile.”

Divorcin me aktoren Matilda Makoçin, me të cilën ka një djalë, Gregun, Rama e cilësoi si “dosje të fabrikuar” nga kundërshtarët e tij politikë.

“[…]janë të njëjtët njerëz që për mua fabrikuan një dosje të tërë gjyqi të ndarjes me nënën e Gregut, ku u arrit deri në mostruozitetin që të shkruhej që unë në gjyq paskësha akuzuar nënën e djalit tim se djali im ishte djali i babait tim. Është një dosje e fabrikuar 100% sikundër pastaj edhe është provuar 100%, për shkak se materialet e gjyqit janë aty dhe gjyqi ka qenë vetëm një seancë pajtimi dhe pas asaj seance pajtimi, kanë shkuar avokatët dhe nuk ka patur asnjë problem.”

Kryeministri Rama flet për marrëdhënien me të atin dhe

Rama dhe Matilda Makoçi i dhanë fund martesës në vitin 1991. Në tetor të vitit 2016, Makoçi, e rikthyer në vëmendjen e mediave falë një ekspozite të piktores Natasha Bega, foli publikisht edhe për ish-bashkëshortin. E intervistuar në fund të ekspozitës, ajo u shpreh: “Më vjen mirë që kur mora pjesë në këtë ekspozitë përmendet ish-bashkëshorti im Edi Rama. Ka qenë shoku im i rinisë, me të cilin ndamë ëndrrat tona dhe kemi një djalë të mrekullueshëm, Gregun. Tani shoku im i rinisë ndjek rrugën e ëndrrave të tij dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj suksese në misionin e tij.”

Kryeministri Rama flet për marrëdhënien me të atin dhe

Megjithëse për Matildën nuk flitet shpesh, ajo mbahet mend për filmat si “Shpresa”, “Hije që mbeten pas”, “Të mos heshtësh”, “Apasionata”, “Në kufi të dy legjendave”, “Si gjithë të tjerët” etj. Përkushtimi në rritjen dhe edukimin e të birit e largoi aktoren nga kinematografia.